Saimir Tahiri mbetet në “arrest shtëpie”. Prokuroria: Kemi prova të reja për ish-ministrin

Ish-ministri Saimir Tahiri do të vazhdojë të qëndrojë në “arrest shtëpie”. Gjykata e Krimeve të Rënda ka konfirmuar sot vendimin e dhënë ditën e shtunë ndaj ish-ministrit, i cili akuzohet për “përfshije në trafikun e drogës” dhe “korrupsion pasiv”.

Gjykata ka rrëzuar pretendimet e avokatëve mbrojtës dhe të vet ish-ministrit lidhur me akuzën. Gjatë seancës nuk kanë munguar replikat dhe akuzat e Saimir Tahirit ndaj prokurorëve të çështjes, Besim Hajdarmataj e Elisabeta Imeraj.

Ish-ministri është shprehur se prokurorët e çështjes kanë abuzuar me faktet. “Abuzuan me faktet, shkruan fakte të gënjeshtërta në shkresë”,-ka deklaruar Tahiri.  Gjatë seancës, ish-ministri ka replikuar me gjyqtaren e çështjes. Ai ka deklaruar se është gati të përballet me drejtësinë dhe nuk ka ndërmend të largohet. “Nuk kam ndërmend të largohem, jam gati të përballem me drejtësinë”.

Ndërkohë vetë Tahiri është se shprehur se për të “është njëlloj, si arrest shtëpie, si arrest me burg”.

Ai kundërshtoi argumentimet në vendimin e zbardhur të gjyqtares Liliana Baku. “Ju argumentoni se unë kam aftësi të prish e dëmtoj provat, kjo nuk është e vërtetë dhe është e pamundur. Këtë argumentim e keni dhënë dhe më herët në vendimin kur shpallët bllokimin e pasaportës. Ju po ndiqni të njëjtin kriter si kur isha deputet dhe tani qytetar i lirë. Ju thoni se ekziston rreziku i ikjes, nuk ka asnjë mundësi që unë të largohem. Gjatë kohës që më është kthyer pasaporta kam lëvizur disa herë jashtë vendit dhe jam kthyer sërish në Shqipëri. Unë mandatin e dorëzova vullnetarisht dhe jam i hapur për drejtësinë dhe për të parë drejtësinë në sy”, mësohet të ketë thënë ai.

Ndërkohë Prokurori Besim Hajdarmataj tha se janë dërguar letërporosi të reja, dy në Itali dhe një në Mal të Zi. “Na rezulton e provuar se është zhdoganuar një skaf i blerë nga Orges Liperi. U ble 15 mijë euro. Na rezulton e provuar që Saimir Tahiri ka drekuar në Greqi me Artan Habilajt. Do konfirmojmë që shumë të dhëna nuk rezultojnë fare në sistemin TIMS sikurse është rasti i Moisi Habilajt”, tha Hajdarmataj.

Prokurori Besim Hajdarmataj tha më tej se dyshohet se lekët që iu gjetën në makinë Orest Sotës, janë të ish ministrit Saimir Tahiri. Ndërsa pikë tjetër kyçe është edhe Orges Liperi, pronari i skafit që mendohet të jetë përdorur për një kohë të gjatë nga Tahiri, kryesisht gjatë pushimeve.

Prokurori vijon më tej se në Durrës u paraqit Moisi Habilaj për skafin e prishur të Orges Liperit dhe fillimisht ka pasur rezistencë nga policia kufitare e Durrësit, dhe më pas është lejuar.  “U nis  skafi  për t’u riparuar dhe persona që ishin në skaf” dhe sipas Hajdarmatajt personat, që ishin mekanikë  të policisë së Shtetit, dyshohet se rikthimi i tyre në Shqipëri është paguar nga Moisi Habilaj.

“I kemi dërguar Italisë  dy letërporosi  ku faturat  e blerjeve  të bizhuterive të blera  të na vijnë me emër”, ka thënë Hajdarmataj. Më pas ai i ka thënë Tahirit se ka drekuar e darkuar me Artan Habilajn në Greqi. “Zonja gjyqtare do sjellim të dhëna më pas që vërtetojnë se ka ndërhyrje në sistemin TIMS jo vetëm në Vlorë, por edhe në Durres e Sarandë, ku nuk pasqyrohen hyrje-daljet e Moisi Habilajt”, tha prokurorir Hajdarmataj.

Të shtunën ndaj ish-ministrit të Brendshëm u vendos masa arrest shtëpie, teksa ndaj tij rëndojnë akuzat për trafik narkotikësh dhe korrupsion të zyrtarëve të lartë. Vendimi erdhi pothuajse dhjetë ditë pasi ai hoqi dorë nga mandati i deputetit.

Në një dalje nga Gjykata e Krimeve të Rënda, avokati i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Maks Haxhia ka këmbëngulur se në dosjen e Prokurorisë, nuk ka prova të reja. Haxhia pohoi se masën do ta apelojë sipas ligjit. Avokati nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve në lidhje me takimin e Tahirit me Habilajt.

Sipas provave të reja të prokurorisë, Saimir Tahiri është takuar disa me Artan Habilaj në Greqi. Artan Habilaj, pjesë e bandës që trafikonte drogë drejt Italisë, në përgjimet e të cilave nga pala italiane përmend disa herë emri i Saimir Tahirit.

Gjatë kohës që Saimir Tahiri ishte ministër dhe deputet ka mohuar se ishte takuar ndonjë prej pjesëtarëve të familjes Habilaj, me të cilët është kushëri. Tahiri pretendonte se e vetmja lidhje me kushërinjtë ishte shitja e makinës së tij, “Audi”. Por provat fundit të prokurorisë tregojnë se jo vetëm ish-ministri takohej rregullisht, por edhe ka kaluar pushimet me Artan Habilaj në Greqi.

SHKARKO APP