Mesazhet e koduara tre ditore të ish-ministrit Tahiri për Edi Ramën

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është shfaqur këtë të premte në emisionin “Zonë e Lirë” të gazetarit Arian Çani për të sqaruar pozicionin e tij lidhur me akuzat e Prokurorisë për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik droge. Por në vend të përgjigjeve publike ndaj akuzave dhe dyshimeve, Tahiri është kujdesur të lëshojë mesazhe që vetëm njerëzit që kanë bashkëpunuar me të, mund ta kuptojnë qartë. Ai la të kuptonte se nuk mund ti tradhtonte shokët e tij të “idealit” kanabisian që janë në pushtet.

Në tre ditët e fundit, ish-ministri Saimir Tahiri ka dhënë më shumë se 5 intervista. Interesant është fakti se pyetjet që i janë bërë nuk lidhen në asnjë rast me akuzat që rëndojnë mbi, të cilat për hir të së vërtetës janë më të rëndat ndaj një politikani shqiptar, por intervistuesit merren me mesazhet e koduara, me batuta, etj. Mjeshtri e koduar për ta spostuar vëmëndjen nga e verteta e për ta kaluar te fabula, humori, tregimi, sur’realja dhe te gjuha e pakuptimtë e kodeve, kode që si rregull përdoren nga mafia.

Gjithë kureshtja e medieve është te mesazhet e “koduara”, kur dihet se mes aktorëve të këtij niveli politik nuk ka nevojë për mesazhe që përcillen me anë të mediave. Në këto raste, mediat janë të fundit që përdoren. Në fakt kjo ideja e “kodeve” është një lojë që duket se po i pëlqen si Tahirit, ashtu dhe Ramës që është në jo pak siklet nga kjo histori. Sikleti i kreministri kuptohet, aqsa avokat Ngjela e thotë në një prononcim se “edhe minjtë fillojnë e dalin në dritë kur ndjejnë termetin, ndaj dalja e Tahirit po lajmëron termetin kundrejt kryeministrit e ku do të zhyten të fundosur si Tahiri, si Rama. Amerikanët nuk të falin”- përfundon avokat Ngjela.

Prej tre ditësh çështja më e nxehtë e politikës shqiptare po trajtohet si parashikime horoskopi dhe matës audience për televizionet, por jo si informacion që i shërben publikut dhe hetimit.

Ndryshe nga intervistat e tjera, që në fillim Arian Çani ka shtruar pyetjen: “Kush ja futi Saimir Tahirit?”. Disa herë gjatë intervistës, Tahiri deklaroi se nuk besonte se pas akuzave ndaj tij ishte kryeministri Edi Rama. Ish-ministri tha se “nuk beson se Rama ka ndikim të prokuroria dhe gjykatat”. Togfjalëshi “nuk beson” ishte edhe presion ndaj kryeministrit, se nëse me marrin brenda, atje është ngushtë qelia për dy veta, porse të marrë me vehte! Dhe nëse ka njeri që sot po uzurpon dhe fut nën kotroll drejtësinë, ai mbetet të jetë vetëm Edi Rama. Këtë e di mjaft mirë ish-ministri Tahiri.

Çani bëri një paralele me Qemal Stafën, i cili sipas tij “e hëngri nga Enveri” dhe “Tahiri mund ta hajë nga Rama”. “Nëse Qemali nuk e dinte nga i erdhi, unë e di nga e kam. Nuk ka shanse dhe nuk mendoj se do ta kem nga Edi Rama”,- tha Tahiri. Prapë ia lëshoi një “silurë” që nëse Rama pranon presionin e kancerales Merkel ditën e martë në Berlin ku ajo do ti kërkojë me insistim që të lerë të lirë prokurorinë, sidomos për rastin Tahiri, që të jepen negociatat në fund të qershorit, ish-ministri e la hapur paralajmërimin. Tahiri tha se Edi Rama do jetë “djalë i mirë” me ish-ministrin! Se ish-ministri di, dhe mund të flasë. Po foli ish-ministri, qelbet dynjaja në PS e jo vetëm në PS!

Çuditëtisht Tahirit aludoi për shumë persona që mund të jenë pas sulmeve ndaj tij, vetëm te Edi Rama nuk i shkonte mendja! Por ishte vetëm për Edi Ramën përgjigja e tij. Vetëm kryeministri Rama po e mbron me kryeprokuroren dhe vetëm ai mund ta nis drejt udhës së burgut, nëse kancelarja gjermane Merkel i bën presion dhe nëse amerikanët i rrezikojnë karriken kryeministrore.

Ish-ministri u kujdes të mos sulmonte në asnjë rast kryeministrin Edi Rama, por disa mesazhe duket se i dha në mënyrë të koduar. Ish-ministri tha se ka disa persona  që kanë “lubrifikuar” mekanizmat duke nënkuptuar institucionet për sulmet ndaj tij. Pyetjes nëse mund ta lëshonin të vetët për shkak të negociatave, ai tha se “kjo nuk ka mundësi të ndodhë”. Përgjigja ishte dhe për ish-ministrat, ministrat dhe deputetët e PS, të cilëve iu ka materiale kompromentuese, siç thonë mediat dhe burime të ndryshme. Kjo u pa edhe te radha e PS në parlament ditën e enjte, ku u regjistruan nga media, duke pritur në radhë për ta puthur ish-ministrin. Çdo puthje kushton mos nxjerrjen e regjistrimëve për ata që rrinin në radhë për një puthje!

Tahiri iu përgjigj dhe deklaratave të bëra një ditë më parë nga Edi Rama në “Vizion Plus”, ku kryeministri tha se ka shumë që përdorin batutat e tij, duke ju referuar deklaratës së Tahirit se “s’ka bir nëne dhe bir kurve…”:.

Në emisionin “Zonë e Lirë” tha se nuk i kishte pëlqyer batuta e Ramës se “ishte rritur nën hijen e tij”. “Unë nuk do ta kisha thënë. Në fund të fundit jemi rritur të dy nën të njëjtin diell” – tha Tahiri. Pra ish-ministri i tha me kode kryeministrit se kujdes me mua dhe mos me thuaj se me ke je rritur, pasi të dy jemi rritur e fuqizuar në vitin e kanabisit! Ndaj kujdes kur ironizon për të shpëtuar b… për vete.

Kryeministri Rama do jetë për vizitë te Kancelarja gjermane Merkel javën e ardhshme dhe nga mimika dhe nxirja e fytyrës se kreut qeverisës shqiptar do të kuptojmë nëse e shiti Sajmir Tahirin apo jo. Ish-ministri ndjen diçka që po i sillet rrotull këto ditë ndaj është aktiv në media, tamam siç tha avokat Ngjela se “tërmeti po vjen….”.

Një gjë dihet saktë se po hyri në burg ish-ministri Tahiri, qeveria Rama rrëzohet dhe nuk dihet fundi i rrokullimës dhe piskamës që mund të vijë nga qelia e burgut.

SHKARKO APP