Seanca e turpit në Kuvend. PS dhe Rama, sjellje prej talebanësh politikë

PS po “debaton” në Kuvend sot për një mocion kundër Presidentit Ilir Meta, me argumentin se ka shkelur Kushtetutën pasi anuloi datën e zgjedhjeve, e cila sipas të gjitha palëve do të ishte nisja e një konflikti.

Ajo që bie në sy nga qëndrimet e deputetëve socialistë në Kuvend është se nuk bëhet fjalë për debat. Fjala debat, nënkupton shkëmbim qëndrimesh apo opinionesh mbi një çështje të caktua dhe për të zhvilluar debat, sipas asaj që njihet në gjithë botën, duhet të jenë dy ose më shumë palë. Në sallën e Kuvendit sot janë deputetë të PS me teserë dhe deputetë të tjerë pa teserë të PS, por që  mbështesin hapur PS. Ndaj debati sot në Kuvend është vetëm një mbledhje partie.

Por nuk është ky problemi i vetëm i seancës së sotme. Mocionet kërkojnë jo vetëm qëndrim politik, por edhe argumente juridik për çështjen që diskutohet. Në fjalimet deputetëve të PS dhe jo vetëm atyre, vihet re se vetëm interpretime juridike nuk ka. Të gjithë flasin për Kushtetutën, por asnjë nuk e di t’i interpretojë nenet e saj. Kushtetuta nuk interpretohet nga deputetë pionerë dhe as nga ata që kanë mbaruar universitetin e “Avdylajve” në Durrës.

Deputetët e PS, madje dhe një pjesë e të ashtuquajturës opozitë përsërisin fjalë për fjalë qëndrimet e Edi Ramës. Kryeministri ka thënë se vendimi i Presidentit është anti-kushtetues dhe gjithë urdia e deputetëve thotë se është i tillë, pa e vrarë mendjen se ku bazohet Edi Rama për këtë akuzë. Sepse, nëse vendimi i Presidentit është anti-kushtetues këtë e thotë Gjykata Kushtetuese dhe jo Edi Rama apo kushdo jurist tjetër në vend. Shëmti të tillë parlamenti nuk ka parë as në kohën kur deputetët mësonin përmendësh veprat e Enver Hoxhës. Ndaj kjo seancë, përveç se jashtë çdo normaliteti politik dhe ligjor është një turp moral.

Kjo seancë është e turpshme, sepse njerëz si Gramoz Ruçi, Bashkim Fino, Erion Braçe, dhe të tjerë që njohin hierarikë e shtetin, sot janë kthyer në kamikazë dhe talebanë politikë të Edi Ramës duke shkelur parimet bazë të ndarjes së pushteteve.

Kjo seancë është e turpshme, sepse partia që dje festoi 28-vjetorin si forcë progresiste, sot është vënë në rresht për të shkelur Kushtetutën dhe për të nisur një puç institucional kundër shtetit.

Kjo seancë është e turpshme, sepse idiotësitë politike të një kryeministri, tashmë janë kthyer në proces parlamentar, duke e futur këtë skandal në precedentin më të rrezikshëm për themelet e republikës në vend.

Kjo seancë është e turpshme, sepse mazhoranca më e akuzuar në vend për lidhjet me krimin, trafikantët, ka marrë përsipër të bëj moral duke akuzuar kreun e shtetit për një vendim që është tërsisht pjesë e kompetencave të tij.

Kjo seancë është e turpshme, sepse deputetë të zgjedhur nga bandat e krimit, siç u provua në Durrës, Shijak, etj, kanë marrë përsipër të shkarkojnë të vetmin institucion që u doli kundër dhe po u tregon ligjin.

Kjo seancë është e turpshme, sepse me logjikë telebanësh një parti politike i është kundërvënë të vetmit akt të logjikshëm në këtë krizë politike, anulimin e datës së përplasjes dhe zgjedhjeve.

Nuk ka rëndësi nëse kreu i shtetit do të shkarkohet apo jo nga PS. Fakti është se sot po shohim se si asnjëherë më parë, Parlamenti pluralist po bën një gjyq publik të rrezikshëm, ndaj një akti që kërkoi të ruante paqen sociale në vend dhe të shmangte viktimat.

Në fund, se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet dhe sa i rëndë do të jetë konflikti social askush nuk e di. Por pas ca kohësh, kur të nxirren përgjegjësitë se kush e solli kaosin, do mbahet mend se Presidenti e bëri një akt që i shërbeu zgjidhjes së krizës, po PS çfarë bëri? Jo vetëm çoi vendin në krizë, por u soll si terroristët me institucionet.

Mili Xhani

SHKARKO APP