Sekuestrohen pronat e Adriatik Llallës
Prokuroria për Krimet e Rënda ka regjistruar sot procedim penale ndaj ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, si dhe ka bllokuar disa prej pasurive të tij.
Hetime ndaj ish-prokurorit lidhur me pasurinë e tij nisën rreth pesë muaj më parë. Dyshimet e prokurorisë ishin se pasuria e ish-kryeprokurorit nuk justifikohej me të ardhurat që kishte gjatë ushtrimit të detyrës.
Prokuroria ka arritur në përfundimin se kemi të bëjme me shkelje ligjore nga ana e ish-kryeprokurorit dhe ka kërkuar nga gjykata sekuestrimin e pronave të ish-kryeprokurorit të cilat dyshohet se janë vendosur në mënyrë të paligjshme.
Vendimi vjen pas hetimeve paraprake të kryera për proçedim penal të tij, në bashkëpunim të ngushtë me policinë gjyqësore në Drejtorinë Hetimore Qëndrore, pranë Departamentit të Policisë Kriminale të Drejtorisë së Policisë së Shtetit Tiranë, janë kryer një sërë veprimesh hetimore.
“Me vendimin nr.179, datë 20.07.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, është vendosur pranimi i kërkesës së Prokurorisë, vendosja e masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasuritë e paluajtshme të mëposhtme:
Apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës;
Tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², ndodhur në Tiranë;
Tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë;
Tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë;
Tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë;
Policia Gjyqësore pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit Tiranë në datën 23.07.2018 ka ekzekutuar vendimin gjyqësor për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të mësipërme.
Vlera e tregut e pasurive të paluajtshme të mësipërme, në total është në shumën 98.772.000 lekë.
Vijojnë hetimet e mëtejshme lidhur me këtë proçedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit Tiranë.