Sfidat sfilitëse të ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj

Operacioni që solli kapjen e 613 kilogramë kokainë në Durrës ka pështjelluar skenën politike shqiptare. Dje Parlamenti ishte një përballje mes opozitës dhe pozitës, ku gjuajtjet  bëheshin me kokainë, heroinë dhe hashash. Prej më shumë se një jave debati politik dhe pikëpyetjet për këtë sasi droge kanë ngritur teori të shumta për klanet dhe organizatat mafioze që veprojnë në vend. PD dhe LSI shigjetojnë Edi Ramën si njeriun që direkt apo indirekt, i cili u ka hapur rrugë trafiqeve që kurrë më parë nuk ishin kaq shumë të pranishme në vend. Nga ana tjetër, PS-ja e gjendur nën presionin e akuzave u kundërpërgjigj dje duke listuar historitë me hashash dhe kanabis gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Është po e njëjta Partia Socialiste që në vitet 2014-2016, kur kanabisi u mboll në gjithë vendin, e mohonin kategorikisht mbjelljen e tij. Por fatmirësisht mazhoranca, të paktën ka një ministër në kabinetin qeveritar që nuk flet politikisht për drogën, por vetëm me fakte dhe aksione konkrete. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj që nga koha kur mori detyrën dhe deri më sot mund të cilësohet si ministri që ka kapur me shumë drogë, bile me shumë se gjithë qeveritë e këtyre 27 viteve. Kryesore nuk është sasia, por vendosmëria për të shkatërruar krimin e organizuar. Aksioni i fundit në Durrës ku policia kapi 613 kilogram kokainë te pastër kolumbiane është vepër direkte e Fatmir Xhafaj dhe Ardi Veliut, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Të paktën deri dje ministri Xhafaj është në zenitin e punës dhe shpresohet të mos e ulë ritmin e ndëshkimit ligjor ndaj kujtdo. Që në marrjen e detyrës për herë të parë, pas largimit të Saimir Tahirit, ministri Xhafaj miratoi kryerjen e disa operacioneve që tronditën edhe vetë mazhorancën socialiste. Disa deputetë dhe zyrtarë të PS-së shfaqen habi dhe pakënaqësi për operacionet e ministrit të brendshëm. Kishte prej tyre që flisnin nëpër kafenetë e ish-bllokut në Tiranë se “punë ditësh dhe do ta shkarkojë kryeministri Rama, pasi Fatmiri po prek edhe klanet e PS”. Informacione të besueshme thonë se Fatmir Xhafaj ka mbështetje të fortë amerikane në luftën kundër krimit të organizuar.

Zhurma e aksioneve që kreu dhe prishja e disa interesave brenda PS-së duket se nuk e favorizonin rizgjedhjen e tij në këtë post pas 25 qershorit. Disa në PS menduan se mund të kishte një qeveri Rama-Basha dhe ku Fatmir Xhafaj nuk do ishte ministër. Marrëveshja ra dhe Xhafaj vazhdoi dorën e fortë ndaj krimit. Me operacionet e policisë në gjithë vendin dhe disa zona që njiheshin si bastione ku nuk mund të kontrollonte policia, ministri i brendshëm rrëzoi gjithë propagandën, edhe të PS-së, se në Shqipëri nuk ka më kanabis. Tonelatat që kapeshin çdo ditë tregonin se jo vetëm Shqipëria ishte bërë një plantacion hashashi, por edhe policia e viteve 2014-2016 ishte bërë pjesë e trafikut. Dëshmia më e fortë e këtij implikimi është operacioni i zhvilluar në Vlorë, pak pas daljes së përgjimeve të ish-ministrit Samir Tahiri, ku u godit banda e njohur e Habilajve si dhe një pjesë e strukturës së policisë së shtetit që e mbështeste atë. Prapë zemërim nga disa skalione të PS-së, sikurse dhe një egërsi e madhe e PD-së.

Në këto gjashtë muaj të mandatit të qeverisë “Rama2”, më shumë se ministër i brendshëm, Fatmir Xhafaj ka qenë ministri i antidrogës dhe i përballjes me grupet më të mëdha kriminale. Gjithë operacionet e zhvilluara këto muaj kanë pasur si qëllim goditjen e grupeve kriminale dhe pastrimin e radhëve të policisë nga efektivët që lejuan kanabizimin e vendit.

Ndërkohë dhe në debatin e fundit për kokainën kolumbiane, ku në të vertetë ka jo pak pikëpyetje për lidhjet politike, Fatmir Xhafaj është i vetmi zyrtar që ka bërë detyrën. Arriti që të udhëzojë gjithë strukturën e policisë në një nga operacionet më delikate për kapjen e 180 milionë dollarë kokainë. Informacioni nuk rrodhi në Ministrinë e Brendshme, siç ndodhte më parë. Sasia e drogës u kap dhe Policia e Shtetit fitoi reputacionin e humbur në aksione të ngjashme të cilat më parë kanë dështuar, pasi dekonspirohej nga kupola. Sigurisht që pas kokainës ka njerëz me pushtet, por Policia e Shtetit e bëri detyrën e saj. Tashmë i takon Prokurorisë dhe institucioneve të tjera të zbulojnë se kush fshihet pas linjës së kokainës në Shqipëri.

Natyrisht një politikan i fortë duhet të jetë pas kësaj sasie kokaine. Akuza ka plot, por mbetet në dorën e prokurorisë të faktojë e të gjejë kapon e kësaj kupole mafioze. Bile duhet të jetë politikan dhe me kredite të forta, pasi nëpër kafenetë e Tiranës, edhe ku rrijnë deputetë të PS-së, thonë nëpër dhëmbë se “ç’pati Fatmiri që e kapi këtë sasi kokaine!”. Ministri duhet të urdhërojë prerë që sasia e kapur e kokainës, të mos tjetërsohet nëpër koridoret e ndonjë laboratori, sikurse ka dyshime se akoma janë lidhje të vjetra të policisë së kanabisit ndër radhët e policisë së sotme, polici e cila po spastrohet, por akoma mbeten fije mafioze ndër segmente policore. Të mos harrohet se segmente të shërbimeve amerikane po monitorojnë gjithçka. Edhe qeverinë!

Ministri i Brendshëm duhet mbështetur nga të gjitha forcat politike, mazhorancë dhe opozitë, për sa kohë ai është në krye të luftës kundër krimit të organizuar.

Duhet pranuar se krimi akoma ndikon dhe bashkëpunon me politikën, prandaj pa mëshirë ndaj tyre me forcën e ligjit. Për këtë mbështetet Fatmir Xhafaj nga publiku dhe jo për thinjat e bardha të një politikani të majtë.

Q.Xhani

SHKARKO APP