SHBA dhe BE: Partitë e institucionet të zbatojnë reformën në drejtësi

Ambasadat e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian në Tiranë dhe Delegacioni i BE-së, si dhe ambasada e SHBA-ve kanë reaguar sot lidhur me opinionin e Komisionit të Venecias për ligjin e Vetingut.

Në një reagim për mediat, selitë më të rëndësishme diplomatike shprehen se partitë politike dhe institucionet duhet të marrin në konsideratë këto rekomandime dhe  të nisin zbatimin e reformës në drejtësi.

Deklarata e plotë e BE: 

Ambasadat e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian në Tiranë dhe Delegacioni i BE-së mirëpritën përmbledhjen Amicus Curiae të Komisionit të Venecias lidhur me kushtetutshmërinë e Ligjit të Rivlerësimit dhe përputhshmërinë e tij me konventat ndërkombëtare.

Ne presim që angazhimi i të gjitha palëve të interesuara ndaj rolit qendror të Komisionit të Venecias të vazhdojë dhe që opinioni i tij të merret në konsideratë në mënyrë të duhur.Pjesa dërrmuese e qytetarëve shqiptarë kërkojnë një gjyqësor të pavarur, profesional, të paanshëm dhe efektiv.

Ne nxisim gjithë të gjitha forcat politike, të gjitha institucionet shtetërore përkatëse dhe të gjitha organet gjyqësore në Shqipëri që të nisin pa vonesa të mëtejshme zbatimin e reformës së drejtësisë.

Progresi në këtë fushë është thelbësor në mënyrë që procesi i anëtarësimit në BE të ecë përpara.

Deklarata e SHBA:

Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret opinionin e datës 10 dhjetor të Komisionit të Venecias mbi Ligjin shqiptar të Vetingut. Vetingu i gjykatësve do të jetë një hap kuptimplotë drejt eliminimit të korrupsionit të thellë gjyqësor në Shqipëri dhe opinioni i Komisionit të Venecias duhet t’i japë fund çdo shqetësimi legjitim lidhur me ligjin.

Presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi Ligjin e Vetingut, që ka pasoja me ndikim të gjerë për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.

Shtetet e Bashkuara kanë besim se Gjykata Kushtetuese do të riparojë besimin e publikut tek sistemi gjyqësor që është dëmtuar nga gjykatës dhe prokurorë të korruptuar.

SHKARKO APP