SHBA dhe Tajvani duan të fillojnë së shpejti bisedime tregtare. Egërsohet Kina: Do ta marrë Tajvanin!
Në vjeshtë, qeveria amerikane dëshiron të nisë negociatat e para me Tajvanin. Temat tashmë janë përcaktuar. Marrëdhëniet mes dy vendeve dhe Kinës kërcënohet të përkeqësohen.
Pavarësisht nga situata e tensionuar në Detin e Kinës Jugore, qeveritë e Tajvanit dhe të Shteteve të Bashkuara kanë njoftuar se duan të thellojnë marrëdhëniet e tyre. Negociatat tregtare do të nisin zyrtarisht në “vjeshtën e hershme” dhe do të përfshijnë tema të tilla si bujqësia, tregtia digjitale, rregullimi i tregut dhe heqja e barrierave tregtare. Kjo u bë e ditur nga zyra e Përfaqësueses Tregtare të SHBA-së, Katherine Tai. Edhe pse parimi i këtyre diskutimeve ishte shpallur tashmë më 1 qershor, ato nisin zyrtarisht me deklarimin e temave të planifikuara dhe një datë të përafërt për vjeshtën.
Ky njoftim vjen vetëm dy javë pas qëndrimit të Nancy Pelosit në Tajvan. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA është numri tre në politikën amerikane pas Presidentit dhe Zëvendës Presidentit. Prandaj, udhëtimi i saj në Taipei ishte vizita shtetërore e nivelit më të lartë të Shteteve të Bashkuara në Tajvan në një çerek shekulli dhe u quajt provokim nga Kina. Udhëheqësit e Pekinit u përgjigjën duke organizuar stërvitjet më të mëdha ushtarake në historinë kineze në ujërat pranë Tajvanit.
Kina kundërshton çdo marrëveshje zyrtare me Tajvanin
Kontakte zyrtare nga vendet e tjera me Taipein në parim refuzohen nga Kina. Që kur nisën negociatat përgatitore tregtare midis Tajvanit dhe Shteteve të Bashkuara, Ministria e Punëve të Jashtme kineze bëri të ditur se kundërshtonte çdo marrëveshje të natyrës zyrtare që do të kishte pasoja mbi sovranitetin e Kinës, thuhet në njoftimin për shtyp.
Që nga ndarja midis Kinës dhe Tajvanit në vitin 1949, Pekini e ka konsideruar ishullin si një territor separatist, të cilin dëshiron ta ribashkojë me kontinentin, nëse është e nevojshme me forcë ushtarake. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka shtuar frikën se Pekini do të përvetësojë një qasje të ngjashme në marrëdhëniet e tij me Tajvanin.