SHBA: Heqja e mandateve të Selamit, Tahirit e Roshit, fitore për shqiptarët
Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka reaguar sot për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili i hoqi mandatin, Elvis Rroshit, Shkëlqim Selamit, dhe Dashamir Tahirit.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për të hequr mandatet e tre politikanëve, Elvis Rroshit, Shkëlqim Selamit, dhe Dashamir Tahirit, nën ligjin e dekriminalizimit”,- thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA.
Ambasada thekson se “vendimi i sotëm është një fitore për popullin shqiptar dhe një paralajmërim për kriminelët që po mendojnë a të jenë kandidatë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Zyrtarët e zgjedhur apo të emëruar që plotësojnë deklarata false duhet të ndëshkohen me gjithë forcën e ligjit. Personat me dosje penale nuk mund të kenë vend në përfaqësimin e shqiptarëve”.