Shehi: Situata është rëndë, ja vlen edhe djegia e mandateve që BE të reagojë

Djegia e mandateve shihet nga një pjesë e opozitës si e vetmja mundësi për të ndryshuar situatën në vend. Kreu i LZHK, Dashamir Shehi deklaron se djegia e mandateve është e vetmja mënyrë për të ndërgjegjësuar edhe ndërkombëtarët se gjërat nuk po ecin mbarë në Shqipëri.

Ai e quan të pavend kërkesën e Brukselit që opozita të zërë vendet e lëna bosh në parlament. “Ia vlen edhe djegia e mandateve për hir të kësaj gjëje, një pjesë e politikës ia vlen të vetësakrifikohet që t’i kujtojmë Europës se këtu po ndodh diçka thellësisht e keqe. Ne nuk kthehemi në parlament. Kemi shumë respekt për Brukselin, por për këtë thirrje patetike…Ne gjykojmë që vendosmëria jonë do t’ia dalë t’ia bëjë të qartë edhe Brukselit se kush janë problemet reale të Shqipërisë se shpesh herë nuk e kuptojnë’, tha deputeti, njëkohësisht kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi.

Vetëm pas plotësimit të dy kushteve thotë Shehi, Brukseli do ta shohë opozitën në institucione. “Duam ligj për Vettingun në politikë, për dekriminalizimin e zgjedhjeve që po vijnë dhe kjo do ta bëjë të mundur rikthimin e opozitës në Kuvend. Nëse këtu nuk ka ndryshuar asgjë, as ndryshimi jonë nuk ka pse të ndryshojë”,- tha Shehi.

Aleatët në opozitë mbajnë të njëjtin pozicion në raport me mazhorancën, por kur flitet për reformën zgjedhore, të vegjlit janë në llogore të ndryshme me Partinë Demokratike. Me një reformë zgjedhore ende të papërfunduar dhe kur na ndajnë afro 6 muaj nga zgjedhjet vendore, Shehi i kujton kreut të demokratëve kërkesat për ndryshim të sistemit elektoral. “Pavarësisht se PD nuk ka ndonjë entuziazëm të madh për ndryshimin e sistemit, e ka filluar me numërim elektronik, gjëra shumë të rëndësishme, por ne aleatët kemi pretenduar se Shqipërisë i duhet një sistem i ri zgjedhor… o lista të hapura, o zona të korrektuara maxhoritar me proporcional, Shqipëria ka nevojë për një sistem proporcional kombëtar”,- deklaroi Shehi.

SHKARKO APP