Shënohet viktima e parë nga koronavirusi, Basha: Rastet po shtohen, bëni kujdes

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për humbjen e jetës së gruas 73-vjeçare në Durrës nga koronavirusi.

Mesazhi i kreut të PD-së, Lulzim Basha:

Të dashur bashkëqytetarë,

Fatkeqësisht një zonjë humbi sot jetën nga virusi Covid 19. Ngushëllimet e mija për familjarët dhe të afërmit e saj, dhe uroj nga zemra shërim sa më të shpejtë për të prekurit e tjerë.

Ky moment duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë. Rastet e qytetarëve të ardhur nga Italia dhe që janë mbartës te koronavirusit po shtohen. Kjo e bën shumë më të rëndësishëm rritjen e kujdesit, e në veçanti bashkëpunimin e gjithsecilit prej nesh me mjekët dhe stafin shëndetësor. Në të kundërt rrezikojmë veten, familjen, të afërmit dhe miqtë.

Bashkëpunoni me mjekët dhe jinni transparentë, tregoni menjëhere nëse keni ardhur nga Italia, nese keni patur kontakte me persona në zonat e prekura nga virusi. Nuk është turp të prekesh nga koronavirusi, e rrezikshme për veten dhe të tjerët është ta mbash të fshehtë mundësinë e infektimit. Një pakujdesi e tillë rrezikon edhe infektimin e mjekëve e stafeve mjekësore.

E di se shumë prej jush që vini nga zona të prekura, apo që keni qenë në kontakt me persona të prekur, e konsideroni të vështirë vetëizolimin për 14 ditë. Por vetëm kështu ju mund të ndihmoni veten dhe të tjerët.

Mjekët dhe stafi shëndetësor janë duke sakrifikuar shumë prandaj duhet ti ndihmojmë me bashkëpunimin tonë.

Mos ngurroni të zbatoni këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sa më të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm të jemi, aq me më pak pasoja do ta kalojmë këtë situatë.

SHKARKO APP