Sherr i madh për biznesin e vogël. Protestuesit: Do rrethojmë Kryeministrinë!

Mijëra biznese protestuan dje në gjithë vendin duke mbyllur për një orë aktivitetin. Protesta me mbylljen e qepenave të dyqaneve vjen si reagim ndaj vendimit të qeverisë për të futur në skemën e TVSH-së edhe biznesin e vogël. Sipas shoqatave të biznesit të vogël aplikimi i skemës së TVSH-së do të sjellë mbyllje të mijëra bizneseve që janë në fazën e mbijetesës. Protestës së tregtarëve në Tiranë dhe qytetet e tjera iu bashkuan edhe deputetët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Përfshirja e deputetëve në këtë protestë bëri që debati për nivelin e taksave të qeverisë për biznesin e vogël të kthehet në një sherr të madh politik mes mazhorancës dhe opozitës. Deputetët e opozitës, ashtu si tregtarët, thonë se me vendosjen e taksave të reja, biznesi i vogël që përbën dhe bazën e ekonomisë së Shqipërisë do të shkojë drejt kolapsit. Por realisht jo në të gjitha rrethet pati efekt maksimal protesta e djeshme. Kishte edhe luftë mes tregtarëve sipas bindjeve politike.

Vendimi për rritjen e taksave për biznesin e vogël vjen në kohën kur qeveria ka miratuar një projekt që u heq taksat bizneseve të mëdha që investojnë në sektorë strategjikë, ose në resorte turistike me pesë yje. Kjo diferencë, për opozitën, është vendosja e shtetit dhe biznesit të vogël në shërbim të oligarkëve dhe biznesit të madh. Nga ana tjetër, duke parë që biznesi i vogël do të detyrohet të rrisë çmimet pas vendosjes së taksës, parashikimet e ekspertëve të ekonomisë në opozitë, thonë se shumë prej bizneseve do të shpallin falimentimin duke rritur dhe numrin e papunësisë në vend. Kreu i PD-së, Lulzim Basha thotë se pas skemës së rritjes së TVSH qëndron dhe një projekt korruptiv i qeverisë “Rama”. Sipas tij, qeveria parashikon që mbledhjen e TVSH ta jap me koncesion. Në thelb, sipas Bashës, rritja e taksave nuk po bëhet për të forcuar buxhetin e shtetit, por për të nxjerrë paratë e koncesionit privat të radhës.rgumente krejtësisht të kundërta nga ato të opozitës jep mazhoranca. Kryeministri Edi Rama reagoi dje, pas protestës së tregtarëve, duke sulmuar opozitën. Kreu i qeverisë thotë se tregtarët po mashtrohen nga deputetët opozitarë. Sipas tij, 80 përqind e tregtarëve që ishin në protestë nuk preken nga vendosja e tatimit, ndërsa akuzoi opozitën si manipuluese të qytetarëve. Po dje, Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, në të njëjtën orë që bizneset mbyllën qepenat sqaroi për mediat se nga vendosja e tatimit nuk preken të gjitha bizneset. Ministri tha se TVSH-ja do të paguhet nga bizneset e vogla që e kanë xhiron vjetore mbi 2 milionë lekë të reja në vit. Synimi i këtij vendimi të qeverisë është formalizimi i ekonomisë dhe shmangia e abuzimeve që bëhet mes klasifikimit të bizneseve, pasi një pjesë e bizneseve klasifikohen si të vogla, por bëjnë xhiro monetare shumë herë më shumë se 2 milionë lekë.

Dje  PD dhe LSI pothuaj ia arritën qëllimit të tyre për sensibilizmin e tregtarëve se duhet reaguar ndaj qeverisë për taksat gjithnjë në rritje, ndaj po mendojnë se si ta vazhdojnë reagimin qytetar ndaj kryeministrit në ditët e ardhshme.

Burime ekzkluzive për “Koha Jone” thanë se po përgatitet një skenar ku do të rrethohet kryeministri Rama, pra ndërtesa e qeverisë, dhe ku numri i protestuesve llogaritet mbi 5 mijë veta, sepse vetëm me kaq njerëz mund të bëhet që dara e shtrëngimit kryeministror të sjellë sukses politik. Përballja me forcat e Policisë dhe Gardës do të evitohet nga Basha-Kryemadhi, pasi do kërkojnë nga turma që asnjë xham të mos thuhet dhe të mos kalohet pragu i vijës së rojeve, porse rrethimi i kryeministrisë do të jetë përfekt me trupa protestuesish, aqsa nuk mund të kalojë Edi Rama.

Mëgjithatë opozita do ta bëjë simbolikisht rrethimin e kryeministrisë duke mos lenë punonjësit e kryeministrisë të hyjnë, ndërsa Edi Rama ka mundësi të mos niset fare për në kryeministri ditën e rrethimit e nuk është çudi që ta drejtojë punën e tij nga Surreli. Por një burim nga selia blu thotë se kemi menduar edhe për Surrelin…

Dit Bushatliu

SHKARKO APP