Kuvend, sherr dhe akuza për zgjedhjet në Dibër dhe trafikun e drogës

Seanca e Kuvendit është dominuar sot nga debati për zgjedhjet në Dibër dhe kultivimin e drogës në gjithë vendin. Debatet në Kuvend janë tensionuar dhe më shumë kur ish-ministri Flamur Noka denoncoi rrëzimin e një avioni të vogël në Durrës. Sipas Nokës, avioni përdoret për transportimin e drogës. Policia dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, konfirmuan rrëzimin e avionit, por mohuan fluturimin e tij për qëllime të trafikut të drogës.

Seanca është tensionuar gjatë fjalës së ministrit, Tahiri. Kreu i Kuvendit kërkoi ndërprerjen e punimeve të Kuvendit, për të bërë pushim derisa minuta, derisa të normalizohet situata.

Deputeti i PD-se, Flamur Noka deklaroi se banorët e Dibrës vuajnë mungesën e ujit, pasi sipas tij përdoret për parcelat me kanabis, duke shtuar se ‘ujin e pinë kuçedrat për kanabis’. Nga ana tjetër, Noka akuzoi Shefin e komisariatit të Dibrës, Robert Aga se është pronar i disa parcelave me kanabis.

“Nuk ka bërë vaki në këto 25 vite në këto vite, që të takosh pensionit dhe më kanë thënë se nuk vi për votime, pasi i kishin kërcënuar se do ti hiqnin pensionin. I keni kërcënuar me bukën e gojës, si ky gjatoshi. Këtë di të bëjë bëj shumë mirë ai. Polici a ë këmbë për të kërcënuar qytetarët për votën. Një bandit, shef komisariati, Robert Aga, shef parcelash me drogë. Ja pra kjo është droga. Gjithë ditën me trafikantët e drogës. E dinë çfarë na thanë qytetarët? Nuk kemi mundur të bëjmë prodhime në Dibër. Dhe e di pse? Sepse ujin e merr kuçedra për kanabisin.”, tha Noka.

Në replikë koordinatori i PS-së në zgjedhjet e Dibrës, ministri Damian Gjiknuri iu kundërpërgjigj Nokës, duke deklaruar se në Dibër PD-ja dërgoi njerëz, përfshi dhe kandidatin Sherefedin Shehu, që s’kishin lidhje me Dibrë. “Ju cucat atje profesorin e nderuar, por ai nuk bën punë, pasi nuk i ka bërë askujt ndere kur ishte në pushtet. Dibranëve iu duhej një njeri i tyre, që i kupton hallet e zonës, ndaj zgjodhën doktor Muharremin. Ju dërguat falangat tuaja, dhe i premtuat që do paguanit faturat e dritave me fondet e bashkisë. Po kush i ha këto? Sidomos në Dibër. Mos u shqetësoni për vjedhjen e votave, se qytetarët dibranë votuan të bindur se po bëjnë zgjedhjen më të mirë. Justifikimet tuaja jane te pavlera, dhe ju ofenduat familje te tera. na bete sherbimin me te madh, qe i bindet dibranet te votojne kunder jush”- tha ndër të tjera Gjiknuri, i cili gjithashtu, nuk ka ndonjë prejardhje nga Dibra.

Por fjalimi i Gjiknurit u shoqërua me  replika nga vendi të deputetëve demokratë.

Tahiri: Kush është karteli i drogës, ne apo ju?

Ministri i Brendshëm ka deklaruar në Kuvend se shumica e sotme qeverisëse ka vullnetin për të luftuar drogën.

“Kush është karteli i drogës në këtë sallë, ne që shkatërrojmë 99.6% të sipërfaqes së mbjellë apo këta që shkatërronin 7% të drogës së mbjellë? Ne vetëm sot po zbulojmë përmasat e fenomenit”, deklaroi ministri Tahiri. Ministri i Brendshëm më pas ka lexuar një listë të gjatë të vendeve ku policia kishte shkatërruar parcela me drogë, në vitet 2007 deri në 2013, por të mbajtura sekret, duke iu drejtuar demokratëve përse kanë heshtur për drogën e mbjellë kudo.

“Përse Jozefinë ke heshtur, ku i ke patur sytë, pse s’ke shkuar te kryeministri t’i thuash për gjithë zonat e mbjella në vitin 2008?”, citoi Tahiri listën e emrave të fshtrave ku ishte kultivuar drogë. “Teksa opozita heshtte, unë do bëj detyrën të shkatërroj drogën në çdo cep, bashkë me mazhorancën, ministrat”, tha Tahiri në Kuvend.

Ai citoi raportet krahasimore të Departamentit Amerikan, mes 2 periudhave qeverisëse, duke konfirmuar vullnetin e mazhorancës aktuale në luftën anti-kanabis. Tahiri replikoi edhe me ish-kryeministrin Berisha, i cili fliste nga vendi. “Unë nuk jam si ti që thua nuk e dija kë kam baxhanak”, tha ministri, duke iu drejtuar Berishës, të cilin nuk e mbante vendi. Acarimi i ish-kryeministrit ka detyruar kryetarin e Kuvendit të ndërpresë seancën.

Balla: PD fyen popullin e Dibrës, të kërkojë falje

Deputeti socialist Taulant Balla i ka bërë thirrje PD-së që t’i kërkojë falje popullit të Dibrës për fyerjet e vazhdueshme që pas shpalljes së fitores së kandidatit të majtë. “Dhëndri i Berishës i quajti dibranët të padinjitet, kjo është e turpshme”, deklaroi Balla. “PD sjellje aspak morale këto tre ditë pas zgjedhjeve në Dibër. PD ka fyer popullin e Dibrës gjithë këto ditë. Duhet t’i kërkoni falje popullit të Dibrës.

PS falënderon gjithë popullin e Dibrës, socialistë dhe demokratë. Nuk ka ndodh në histori që një parti që dikur ishte e madhe, falënderon vetëm votuesit e saj dhe jo kundërshtarët politikë. PD fyeu shumicën që vendosi në Dibër. Pavarësisht diferencës së thellë të votave PD vazhdon dhe shpif”, deklaroi Balla.

Pollo:  Qeveria e paaftë, vendin e mbuloi kanabisi

Deputeti Genc Pollo në fjalën e tij në seancën plenare është ndalur tek situata e krijuar me maturantët të cilët kanë protestuar ditët e fundit pasi nuk rezultojnë fitues në universitet. Pollo tha se ligji i arsimit të lartë është i paqartë, dhe për këtë akuzon qeverinë se është e paaftë për të përmirësuar sistemin arsimor. “Ligji i arsimit të lartë është i paqartë. Kjo qeveri është e paaftë, sistemi arsimor është abuziv. Ligji për arsimin e lartë solli ngatërresa”, tha Polli. Ndërkaq, deputeti demokrat tha se i gjithë vendi është mbjellë me kanabis, duke shtuar se ndonëse këto raste janë denoncuar, kryeministri dhe ministri i Brendshëm kanë heshtur. “Vendi është i mbushur me kanabis. Është denoncuar përhapja e gjelbërimit kanabis kudo në vend. Kjo është bërë me formula të qartë të investimit dhe të ndarjes së fitimit. Kemi denoncuar rastin e Ballshit ku kryetari i bashkisë shkoi me policinë bashkiake. Heshtje komplet. Kisha pritur të shprehej ministri apo kryeministri. Ky i fundit tha luftuam kanabisin në Lazarat, e tani janë fshehur nëpër male. Në çdo mal e kodër janë zoti kryeministër. Kanë mbjellë kudo”, tha Pollo.

Dule: PS e di si fitoi në Dibër

Deputeti kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule duke folur në foltoren e Kuvendit, krahas kultivimit të drogës ka folur edhe për çështjen e zgjedhjeve në Dibër. Ai tha se rezultati i zgjedhjeve në Dibrës është i lidhur me me drogën.

“Të debatojmë për Dibrën. Është efekt i narkotikëve diferenca spektakolare e zgjedhjeve në Dibër. Ndihem humbës që nuk mbështeta dhe opozitën, sepse të gjithë ata që e shitën votën kanë një arsye madhore, vota e demokracia nuk janë më ccështje për ta, nuk i intereson më vota e demokracia, por buka e përditshme e fëmijëve të tij. Ju e dini se nuk fituat në Dibër. Ju jeni humbëst e mëdhenj. Humbët shpirtin e demokracisë dhe nuk fitohet kjo me thes miell e me rrugën e Arbrit”,- tha kreu i PBDNJ, Vangjel Dule.

SHKARKO APP