Sherr PD-PS, akuza se kush ka marrë më shumë lekë nga oligarkët e vendit
Dy ditët e fundit Partia Demokratike dhe Partia Socialiste janë përfshirë në replika të ashpra lidhur me financime të dyshimta nga biznesmenë të fuqishëm që të dyja palët i emërtojnë oligarkë.
Lulzim Basha publikoi dje emrat e 20 biznesmenëve që, sipas tij, kanë përfituar tendera në mënyrë të paligjshme e që do të kontrollohen në mënyrë të rreptë pas ardhjes në pushtet të opozitës. Ai paralajmëroi sekuestrimin e pasurive të tyre dhe dënimin e zyrtarëve që kanë firmosur këto koncesione dhe tendera. Emrat që Lulzim Basha ka futur në listë janë “Vilma Nushi, Ilir Rrapaj, Jani Karathano, Klodian Zoto, Stela Gugallja, Shefqet Kastrati, Pëllumb Salillari, Rrok Gjoka, Bashkim Ulaj, Lorenc Gjukuria, Agim Kola, Gentian Sula, Edmond Bego, Arjan Leskaj, Besnik dhe Gramoz Murataj, Albano Aliko, Besnik Sulaj, Alban Xhillari, Shkëlqim Fusha, Idajet Ismailaj, Sinan Idrizi“.
Pas publikimit të listës me rreth 20 biznesmenë që sipas Lulzim Bashës kanë marrë tendera në mënyrë abuzive sot ka reaguar në disa dalje mediatike Partia Socialiste.
Kryeministri Edi Rama në një reagim në Twitter tha se kreu i PD është kthyer në një gjobëvënës ndaj biznesit. “Kur një parti politike shpall si platformë dhunën verbale mbi sipërmarrësit ka ngatërruar sistemin ku vepron;ka harruar arsyen pse ekziston;ka marrë fund si alternativë qeverisëse e është kthyer në maskë gjobvënëse! Kur këtë parti pastaj e drejton LB ferra e ka marrë fare uratën“,- shkruan Edi Rama.
Numri dy i PS-së, Taulant Balla dhe deputetë të tjerë të kësaj force politike kanë dalë me disa lista dhe emra kompanish që sipas tyre janë në pronësi të familjarëve të afërm të Lulzim Bashës.
“Opozita është gardiani i qeverisjes. Por sot në Shqipëri Kryetari i PD Lulzim Basha është një gjobvënës i rëndomtë i sipërmarrjes. 11 milionë dollarë gjobë/fatura kanë paguar tek kunati i Bashës kompanitë e “oligarkëve“,-tha Taulant Balla.
Ndërkohë deputetja e PS, Klotilda Ferhati në një dalje për mediat nga selia e Kuvendit prezantoi me emra kompanitë, të cilat janë të kunatit të Lulzim Bashës. “Kunati i tij, Erion Isufi zotëron jo një, por plot gjashtë kompani reklame dhe konsulence: “Landmark Communicatins”, “Landmark Technologies”, “Landmark Premium Print”, “HR Solutions”, “Albania Internet” dhe “Blacksheep”. A e dini se vetëm “Landmark Communications” dhe “Premium Print”, që prej themelimit kanë gjeneruar mbi 11 miliardë lekë. Vetëm vitin e kaluar, xhiro e deklaruar e këtyre kompanive arriti në 2,2 miliardë lekë, nga të cilat fitimi i deklaruar vetëm 40 milionë lekë të vjetra. Pra, një rrjet kompanish që qarkullojnë shuma kolosale, “deklarojnë” se u mbeten në xhep po aq sa fitojne shumë biznese të vogla qe kanë një marzh fitimi prej më pak se 5%. Por, mashtrimi me taksat është halli më i vogël që ka Luli dhe familjarët e tij“,- tha Ferhati.
Deputetja e PS deklaroi se “të gjitha këto para që siguron kjo “perandori” konsulence janë siguruar direkt duke punuar eksluzivisht me bizneset më të mëdha në vend, të cilat sot, në një tentativë të qartë gjobëvënie ndaj biznesit janë vendosur në “listën e zezë” të Lulit“.
Akuzave me emra dhe mbiemra të biznesmenëve, ndër më kryesorët në vend, ka tensionuar kampet politike. Në debatin e fundit duket sikur palëve nuk u intereson fenomeni i marrëveshjeve të jashtëligjshme me biznesin, por shuma e parave që qarkullojnë.
Basha thotë se biznesmenët e Ramës kanë marrë 2.2 miliardë euro nga tenderat dhe koncesionet. Ndërsa sot PS bëri llogaritë e saj dhe doli me shifrën e 2.2 miliardë lekëve xhiro që kanë bërë kompanitë e të afërmeve të tij. Pavarësisht qëllimit politik të akuzave dhe marrjes me rezerva të tyre, shqiptarët sot po shohin një fenomen të rrezikshëm. Nëse akuzat janë të vërteta, del se shteti nuk kontrollon biznesin, por biznesi kontrollon shtetin dhe madje dhe opozitën.
Nga ato që thonë sot PD dhe PS duket sikur po bëjnë llogaritë se në cilin kamp politikë bizneset kanë hedhur më shumë lekë.