Sherr për Babalen. PS: Audiopërgjimi sajesë kriminale, PD do pushtet me dhunë
Denoncimi i Partisë Demokratike për vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka qenë temë e debatit mes opozitës dhe mazhorancës edhe sot në Komisionin e Ekonomisë.
Deputetët e PD kanë kërkuan dorëheqjen e ministrit të Brendshëm në vijim të akuzave në adresë të të vëllait. Ndërsa kreu i komisionit të Ekonomisë, deputeti i PS, Erion Braçe e ka konsideruar akt të pastër kriminal audio-përgjimin e Partisë Demokratike përmes një personazhi të njohur tashmë si “Babalja”.
Deputeti socialist thekson se kjo ngjarje nuk mund të mbyllet pa u hetuar dhe se autorët do të mbajnë përgjegjësi ligjore.
Braçe theksoi gjithashtu se përmes audiopërgjimit të sajuar të “Babales”, PD tenton të marrë pushtetin me dhunë. Në këtë mënyrë Braçe ka nënkuptuar se PD-ja ka pasur një skenarë për protesta të dhunshme kundër qeverisë, pas publikimit të audiopërgjimti.
“Të hetohet audiopërgjimi. Ai është një akt i pastër kriminal, ku është përfshirë PD. Sajojnë gjithçka për të ardhur në pushtet. Kjo histori nuk do të mbyllet pa u hetuar gjithçka. Inskenimi për një synim për të marrë pushtetin me dhunë”,- tha Erion Braçe.
Pas fjalës së tij deputetët demokratë janë larguar nga mbledhja. Ndërkohë sot të rinjtë e PD dhe LSI do të vijojnë tubimet para Ministrisë së Brendshme ku kërkojnë largimin Fatmir Xhafajt.
Po sot, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla nëpërmjet një postim në rrjetin social Facebook deklaron se kryedemokrati, Lulzm Basha po keqpërdor të rinjtë e FRPD me tubimet para Ministrisë.
Ballës thotë se Basha është zhdukur se e di të vërtetën e Babales dhe e vërteta e përgjimit do të dalë brenda pak ditësh. “Ku është zhdukur babalekryetari e Partisë Babalokratike? Pse i keqpërdori dje të rinjtë e FRPD Lulzim Basha pa ju treguar të vërtetën për Babalen dhe babalepërgjimin? Sepse Lulzimi e di të vërtetën. Edhe pak ditë dhe shqiptarët do të dëgjojnë të vërtetën babalepërgjimit”,- shkruan Balla.
Çështja e përgjimit të publikuar nga PD është në proces verifikimi nga institucionet e drejtësisë. Materiali është dërguar në Itali dhe pritet një ekspertizë për verifikuar nëse në audio është zëri i vëllait të ministrit. Kryeministri Edi Rama, ministri Fatmir Xhafaj dhe vetë vëllai i ministrit, Agron Xhafaj kanë deklaruar se video është montazh dhe PD ka mashtruar opinionin publik.