Sherr për Taulant Ballën në Parlamentin Europian
Emri i Taulant Ballës është bërë shkaku kryesor i mosmarrëveshjeve mes PS dhe PD edhe në Bruksel. Ditën e sotme në Bruksel u zhvillua takimi i Komisionit të Përbashkët Ndërparlamentar Shqipëri-BE. Delegacioni shqiptar që drejtohet nga Taulant Balla ka në përbërje të tij përfaqësues të gjithë grupeve parlamentare. Por demokratët nuk kanë pranuar që Balla të jetë në krye të këtij delegacioni.
Deputeti demokrat, Genc Pollo, ka kërkuar largimin e Ballës nga kryesimi i delegacionit shqiptar duke argumentuar se nuk mund të flasin për integrimin dhe të kenë drejtues një deputet që akuzohet për bashkëpunim me krimin.
“Edi Rama nguli këmbë, ndoshta më shumë nga halli sesa nga qejfi, që Taulant Balla të mbetet fytyra parlamentare e Shqipërisë kundrejt Parlamentit Europian e Bashkimit Europian. Kjo është menyra më efektive për të diskredituar Shqipërinë para Europës mbasi i u mbushën radhët e deputetëve e kryebashkiakëve socialistë me soj e sorollop banditësh. Pse duhet që i pari i delegacionit parlamentar në Bruksel të jetë boçe e brekushe me begot, beçot, rrajot e të tjerë si ata. Apo tani që na doli ministri për Europën në biseda me bandat kush pyet për Taulantin”,- deklaroi Genc Pollo.
Sipas deputetit Pollo, eurodeputetë e PE kanë deklaruar se nuk kanë asnjë mënyrë për të ndikuar në përbërjen e delegacionit të kuvendit shqiptar. Në emër të PD ai tha se nuk mund të vijonte takimi duke pasur drejtues një person të akuzuar.
Deklaratave të Genc Pollos në anglisht iu përgjigj po në anglisht edhe Taulant Balla. Kreu i deputetëve të PS deklaroi se asnjë nga akuzuat e PD nuk është e vërtetë. “Prej 12 vitesh jam i vetmi nga delegacioni shqiptar që ka qenë në këtë delegacion që prej fillimit. Kemi pasur debate. Shqipëria nuk mërzitet asnjëherë me politikë, ne zihemi gjithmonë me njëri-tjetrin, por mësimi që kemi marrë si shumë vende të tjera si Bullgaria, Sllovakia etj është se duhet ti lëmë betejat tona në vendin tonë dhe këtu të vijmë për të bashkuar forcat me ju”,- tha Balla.
Duke ju referuar akuzave të PD dhe qëndrimeve të disa eurdeputetëve, Balla tha se duket sikur eurodeputetët e duan më shumë Shqipërinë sesa opozita shqiptare.
Ndërkohë në sherrin shqiptar të delegacionit të BE ka ndërhyrë edhe raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein. Pas bojkotit të PD nga punimet Fleckenstein tha se opozitës i duhen prova për të faktuar ato që thotë kundër Taulant Ballës. “Unë nuk jam prokuror, polic apo gjyqtar, kemi nevojë për prova për të besuar akuzat ndaj Ballës. Nuk na lejohet t’ju besojmë nëse nuk i ndiqni procedurat”,- deklaroi Knut Fleckenstein.
Nga Tirana, sherri për Xhisielën dhe Babalen tashmë është temë kryesore dhe në takimet e nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe BE.
Por pas sherrit dhe bojkotit në Parlamentin Europian deputetët e PS dhe opozitës janë ulur sërish bashkë në drekën e shtruar për delegacionin.