Sherri për gjermanin. Rama i shkruan Bashës: I dashur Lulëzim…

Kreu i PD, Lulzim Basha dhe kryeministri, Edi Rama kanë replikuar sot për disa shkrime në portale anonime që sulmojnë Kryetarin e Komisionit të Çështjeve të BE-s në Bundestag, Gunther Krichbaum.

Lulzim Basha doli në një konferencë për mediat dhe akuzoi Edi Ramën si sponsorizuesin e shkrimeve denigruese për politikanin e lartë gjerman, që është dhe një nga njerëzit më të afërt të Angela Merkel në Bundestag.

Shkrimet e botuara në disa media afër PS në Tiranë akuzojnë Gunther Krichbaum për financim nga Rusia dhe deri për trafik fëmijësh! Jehona e shkrimeve të tilla ka mbërritur deri në Berlin dhe sot mediat gjermane kanë folur për sulme jo etike ndaj politikanëve gjermanë.

Pas deklaratës ë Bashës, Edi Rama ka shkruar një status të gjatë në formë letre për Lulzim Bashën. Kryeministri thotë se nuk ka asnjë arsye që PS dhe ai personalisht të merret me një politikan të një vendi tjetër. Ndërsa akuzon Bashën se po dëmton procesin e integrimit të vendit me lobimin në kancelaritë e vendeve të BE kundër çeljes së negociatave.

Letra e plotë e Edi Ramës për Lulzim Bashën

Nga Edi Rama

Zoti kryetar i Partisë Demokratike!

Sapo paske thënë në shqip për publikun, atë që me ndihmën e “dashamirësve” të Shqipërisë, ke shkruar gjermanisht dhe dërguar dje në Berlin, për gjoja sulmin e financuar prej meje në kazanin mediatik të Tiranës, ndaj zotit Gunther Krischbaum!

Kjo është fiks ajo që ti dhe kanakarët e tu anglisht apo gjermanfolës, bëni papushim prej kohësh, kudo e kurdoherë gjeni veshë të huajsh për të derdhur baltën tuaj. Shani e shpifni për t’i lënë Shqipërisë faturën e dëshpërimit prej humbjeve thellë e më thellë, të betejave tuaja zgjedhore. Abuzoni si s’ka më keq me miqësitë e miqtë tuaj gjithnjë e më të paktë ndërkombëtarë, duke përfituar nga dëshira e tyre për t’ju dëgjuar dhe nga pamundësia apo në ndonjë rast, edhe mosdëshira e tyre për t’i verifikuar ngarkesat e rënda të baltës suaj. E quani të kryer me nder punën tuaj krejt të pandershme ndaj këtij vendi, kur dilni prej takimeve me ta pasi i keni shastisur me zeznajën e gjuhës suaj të shthurrur. Dhe meqë mua e Partinë Socialiste nuk na mundni dot në fushën e betejave politike përpara popullit shqiptar, mundni Shqipërinë në recitimet tuaja të turpshme përpara të huajve të interesuar për ecurinë e këtij vendi drejt Europës!

I dashur Lulëzim,

Gunther Krischbaum nuk është miku im dhe as nuk hyn ndër dashamirësit e Partisë Socialiste e të qeverisë sonë! Unë nuk jam aspak dakord me opinionin e tij për punën e qeverisë sime dhe këtë ai e di shumë mirë, sepse e ka dëgjuar nga unë, sy më sy dhe jo mbrapa krahëve. Por, zotëria në fjalë ka të gjithë respektin tim për ndihmën që dha kur zotrote bllokoje Reformën në Drejtësi dhe kurrën e kurrës, jo ai po asnjë i huaj i interesuar për Shqipërinë, nuk ka qenë e s’mund të jetë shënjestra e ndonjë sulmi të orkestruar prej meje apo prej Partisë Socialiste. Kurrë!

Unë dhe Partia Socialiste, jo vetëm s’jemi marrë me asnjë lloj shkrimi për mikun tënd gjerman, po s’jemi marrë asnjëherë as me vetë jetën tënde personale a me familjarët e tu, siç ti dhe Partia jote keni bërë e bëni papushim me zë e me figurë, me jetën time personale, me familjarët e mi dhe me jetën e familjarët e plot kolegëve të tjerë.

Një fjalë e mençur e një dijetari të famshëm gjerman thotë se kush të akuzon për çka nuk ke bërë, ose e ka bërë ose është në gjendje ta bëjë vetë atë për të cilën të akuzon! Mbase zoti Krischbaum nuk e ka të mundur ta bëjë dallimin e qartë mes nesh, sepse ai është miku yt e jo imi dhe nuk e ka as kohën, ndoshta as dëshirën, të thellohet në verifikimin e gënjeshtrave të tua të mëdha për mua e për qeverinë time. Por shqiptarët e kanë shumë të qartë këtë dallim dhe prandaj besueshmëria jote në sytë e tyre vetëm bie dhe udhëheqja jote vetëm thellon humbjet e partisë që ti drejton, në rrugën e saj pa lavdi e as shpresë, nga humbja në humbje.

Sa për portalet e për kanalet, e di e gjithë Shqipëria opinionin tim dhe kam kohë që nuk u kushtoj më minuta të ditëve të mia, sepse as nuk kam mundësi t’ua korrigjoj shënjestrat e as nuk më kanë penguar dot ndonjëherë t’i fitoj betejat! Kështu që mos u bëj edhe më qesharak se ç’je bërë përpara shqiptarëve, duke bërë rolin e të indinjuarit nga balta e hedhur mbi zotin Krischbaum, ndërkohë që balta jote e përditshme është e të njëjtës cilësi mizerabël. Dhe ndaloje të paktën deri në qershor eksportin e asaj balte nëpër Europë!

Deklarata e Kryetarit të PD Lulzim Basha.

Angela Merkel dhe Gunther Krichbaum

Jam para jush për të dënuar fushatën e akuzave të pabaza dhe shpifjeve të ulëta kundër Gunther Krichbaum. Kryetarit të Komisionit të Çështjeve Europiane të Bundestagut, i cili është vënë nën shënjestrën e një fushate të turpshme dhe e papranueshme.

Kjo fushatë e pistë, e frymëzuar nga sulmet e Kryeministrit Edi Rama në mediat e kontrolluara prej tij, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ish Ministrit të Brendshëm, trafikantit ndërkombëtar të drogës, Saimir Tahiri,  bie ndesh me çdo vlerë demokratike dhe europiane. Ajo dëshmon mentalitetin kriminal dheautokratik se kritikët dhe ata që mendojnë ndryshe duhet të sulmohen personalisht dhe të denigrohen.

Gunther Krichbaum është një nga figurat politike më të nderuara dhe të respektuara të Europës. Mbi të gjitha, Gunther Krichbaum është një njeri që e do dhe mbështet Shqipërinë. Por ai do një Shqipëri ku të sundojë shteti i së drejtës dhe demokracia. Prandaj ai ka shprehur hapur dhe me ndershmëri mendimet dhe kritikat e tij për të ndihmuar përparimin e Shqiëprisë dhe të integrimit të saj në Bashkimin Europian. Kritikat e  argumentuara dhe të paanshme të Krichbaum i janë shprehur Edi Ramës dhe qeverisë shqiptare edhe nga shumë qeveri të tjera eurpiane,mbrëmë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kryesisht hapsirës Euroatlantike.

Por në vend që të ballafaqohet me realitetin e vërtetë që Krichbaum e argumenton në mënyrë bindëse, në vend që të reflektojë për kritikat e drejta të Krichbaum, Edi Rama ka zgjedhur të prodhojë një fushatë shpifjesh dhe lajmesh fallco, fake neës, kundër Kryetarit të Komisionit të Çështjeve të Bashkimit Europian në Bundestag.

Gjëja më e ndyrë e kësaj fushate, e cila po zhvillohet prej 3 ditësh në media, është se ajo financohet nga paratë e krimit, drogës dhe korrupsionit qeveritar dhe që lidhen direkt me Edi Ramën, Saimir Tahirin dhe Erion Veliajn. Ky aksion i ulët  propagandistik dëmton interesat e shqiptarëve, dëmton interesat e Shqipërisë, dëmton prespektiven e saj. Me sulmet ndaj Krichbaum, Edi Rama vetëm sa po shton rradhët e deputetëve gjermanë në Bungestag që janë pesimistë për hapjen e negociatave me Shqipërinë, vota e të cilëve është e domosdoshme para se qeveria gjermane të japën vendimin e saj për Shqipërinë.

Së fundmi, dua të shpreh neverinë time personale, jo vetëm si politikan, por mbi të gjitha si shqiptar, dhe të dënoj fuqimisht këtë fushatë shpifjesh dhe sulmesh skandaloze kundër dinjitetit njerëzor të një njeriu dhe politikani të ndershëm që punon për interesin e përbashkët europian jo vetëm të Gjermanisë, por të gjithë popujve europianë.

SHKARKO APP