Shikoni se çfarë u ka bërë greku, çamëve (foto të rralla nga Robert Elsie)
Ditën e martë, shoqata Çamëria ka lajmëruar një protestë në përkujtim të genocidit grek ndaj tyre. Fotot e mëposhtme janë publikuar nga i ndjeri, albanologu Robert Elsie. Ato tregojnë tmerrin që kanë kaluar çamët
Çamët, të njohur greqisht si Tsamides, janë shqiptarë të cilët banojnë në pjesën më jugore të trevave shqipfolëse. Krahina e tyre, Çamëria, është një zonë malore në kufirin greko-shqiptar. Pjesa më e madhe e Çamërisë ndodhet në rajonin e Epirit grek, i cili përfshin pak a shumë prefekturat e Thesprotisë dhe të Prevezës, por Çamëria përfshin edhe pjesën më jugore të Shqipërisë, d.m.th. zonën e Konispolit. Kur forcat greke morën Çamërinë dhe Epirin gjatë Luftës Ballkanike të vitit 1912, çamët përfunduan papritmas në Greqi, të shkëputur nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Me tërheqjen e forcave gjermane nga Greqia në verë dhe në fillim të vjeshtës të vitit 1944, rajoni ndodhej në fazën e parë të një lufte të përgjakshme civile. Për të siguruar bregdetin jonian për furnizimet e tyre ushtarake, forcat britanike lejuan që njësitë e një komandanti vendas grek, gjenerali Napoleon Zervas (1891-1957), të pushtonin rajonin. Zervasi, themeluesi dhe udhëheqësi i Lidhjes Kombëtare Republikane Greke (Ethnikós Demokratikós Ellenikós Sýndesmos – EDES) u bë i njohur për spastrimin brutal etnik të shqiptarëve të Çamërisë nga qershori 1944 deri në mars 1945. Njerëzit e tij i shikonin çamët si bashkëpunëtorë të italianëve dhe të gjermanëve, dhe kërkonin të merrnin hak
Gjatë sulmeve të tyre, gjetën vdekjen disa mijëra burrë, gra dhe fëmijë në Çamëri. Më 27 qershor 1944, forcat e Zervasit hynë në qytetin e Paramithisë dhe vranë rreth 600 çamë myslimanë – burrë, gra, dhe fëmijë – në një kërdi të paparë. Shumë viktima u përdhunuan dhe u torturuan para se të thereshin. Një batalion tjetër i EDES-it pushtoi Pargën të nesërmen ku u vranë 52 shqiptarë. Me 23 shtator 1944, fshati i Spatarit të Filatit u plaçkit dhe 157 persona u vranë. Shumë gra dhe vajza u përdhunuan, dhe u kryen shumë krime të tjera të llahtarshme. Menjëherë pas këtyre ngjarjeve, tërë popullata çame, e pambrojtur dhe e tmerruar, mori arratinë dhe iku për në Shqipëri për të shpëtuar. Sipas përllogaritjes së shoqatës çame të Tiranës gjatë sulmeve të viteve 1944-1945, u vranë gjithsej 2,771 civilë shqiptarë.Spastrimi i çamëve myslimanë të Greqisë në fund të Luftës së Dytë Botërore shënoi përfundimin e një kapitulli të dhimbshëm të historisë çame dhe fillimin e një tjetri.
Vendi ku arritën çamët e rraskapitur dhe të uritur, pra Shqipëria, ishte pushtuar pak kohë para ardhjes së tyre, nga Enver Hoxha (1908-1985) dhe forcat e tij komuniste. Udhëheqësit e rinj marksistë nuk u treguan shumë mikpritës apo tërësish të predispozuar për të ndihmuar bashkatdhetarët e tyre çamë. Megjithatë, çamëve iu dhanë status si refugjatë dhe u lejuan të qëndronin në Shqipëri. Çamët morën ndihmë jo nga regjimi i Enver Hoxhës, por nga Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Rehabilitim (United Nations Relief and Rehabilitation Administration, UNRRA), e cila shpërndau çadra, ushqim dhe ilaç në kampet e mjeruara çame në Vlorë, Fier, Durrës, Kavajë, Delvinë dhe Tiranë. Gjatë viteve pas Luftës së Dytë Botërore, Komiteti Antifashist i Emigrantëve Çamë bëri fushatë për kthimin e çamëve në vendlindjen e tyre. Duhet theksuar se shumica e tyre nuk donin të rrinin në Shqipëri, veçanërisht duke marrë parasysh spastrimet e tipit stalinist që po zhvilloheshin aty. Komiteti mbajti dy kongrese në vitin 1945, një në Konispol dhe tjetri në Vlorë. Komiteti hartoi memorandume dhe dërgoi telegrame në mbështetjen e qëllimeve të tij.
Në vitin 1946, Përfaqësuesi i Shqipërisë ngriti çështjen çame në Konferencën e Paqes të Parisit, por të gjitha veprimet rezultuan të pafrytshme. Përpjekjet për të internacionalizuar çështjen çame ranë kryesisht në vesh të shurdhër. Për vite më radhë, çamë vazhduan të shpresonin se situata politike do të qetësohej dhe se ata do të mund të ktheheshin në Greqi. Por kjo nuk u bë. Edhe sot, në shekullin e 21-të, çamët e moshuar që kërkojnë të hyjnë në Greqi për një vizitë kthehen në kufi nga zyrtarët kufitarë grekë. Pasaportat e tyre stampohen me persona non grata ose madje grisen para syve të tyre, shkruan Mapo.
Fotografitë e këtij koleksioni janë bërë në vitin 1945 në kampet e refugjatëve çamë në Shqipëri nga antëtarët e Administratës së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Rehabilitim (UNRRA). Ruhen në Arkivin e Kombeve të Bashkuara.