Shkarkohet Prokurori i Përgjithshëm i Gjykatës Penale të Hagës, njeriu që kërkoi urdhër-arrest për Netanyahu-n
Shtetet anëtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare votuan për shkarkimin e Karim Khanit nga posti i kryeprokurorit, pas akuzave për sjellje të pahijshme me karakter seksual.
Avokati britanik Khan u akuzua për sjellje të pahijshme seksuale ndaj një ndihmëseje, akuza të cilat ai i ka mohuar vazhdimisht. Ai u pezullua përkohësisht nga detyra në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN) në qershor, pas një raporti të komitetit ekzekutiv të organit mbikëqyrës të gjykatës, i cili konstatoi se kishte kryer “shkelje të rënda të etikës profesionale”.
82 nga 125 shtetet anëtare të gjykatës votuan pro shkarkimit të Khanit, 13 votuan kundër ndërsa 15 shtete abstenuan.
56-vjeçari Karim Khan tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare në vitin 2024, kur kërkoi lëshimin e urdhër-arresteve ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant për luftën në Gazë, si dhe ndaj disa drejtuesve të lartë të grupit militant Hamas, të cilët ndërkohë janë vrarë.
Karim Khani deklaroi se akuzat ndaj tij ishin pjesë e një komploti kundër tij, si hakmarrje për faktin se ai kishte zhvilluar hetime ndaj përfaqësuesve të qeverisë izraelite.
Një komision i Kombeve të Bashkuara i hetoi këto pretendime dhe në dhjetor të vitit 2025 paraqiti një raport, i cili deri tani nuk është bërë publik. Bazuar në rezultatet e këtij hetimi Gjykata Penale Ndërkombëtare përgatiti edhe një opinion juridik, dokument i cili po ashtu nuk është publikuar.
Megjithatë, të gjitha urdhër-arrestet aktive të GJPN-së do të vazhdojnë të mbeten në fuqi pavarësisht shkarkimit të Khanit, pasi autoritetin për t’i tërhequr ose anuluar ato e kanë vetëm gjyqtarët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare. DW
KOHA JONË SONDAZH
Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?
Results
Vota totale: 10065

