Vezë dhe patate në Shkodër, kryeministri në Vlorë
Kryeministri Rama do vizitonte sot Shkodrën. Kështu njofton PD. Ndërkohë PD dhe LSI kishin përgatitur bllokimin e kryeministrit te hyrja në qytet ose rrethimin e eskortës së tij për ta goditur me vezë dhe patate. Foto, video dhe dëshmitarë të shumtë tregojnë për korrespodentin e “Koha Jone” në Shkodër se veturat ishin mbushur që sot në mëngjez plot me arka vezë, patate e domate për të goditur kryeministrin Rama.
“Këto i kemi për Edi Ramën. Kemi edhe vezë. Do ia rrasim në lule të ballit. E meriton, këto nuk kurrë gja”, thotë shkodrani. Dhe si ky shkodran ishin përgatitur me qindra, aqsa do krijohet një re me vezë, patate e domate mbi kryeministrin dhe ata që do ta shoqëronin në Shkodër.
Kryeministri bëri mirë që anulloi një vizitë (gjithnjë nëse mbetet e vertetë ajo çka thotë PD), e cila do të hynte në histori si një vizitë që do të shkaktonte dhunë e përplasje në Shkodër. Ndërkohë burime kryeministrore thonë se vizita në Shkodër e kryeministrit është shpikje e PD, pasi Rama ndodhet sot në Vlorë në 100 vjetorin e shoqatës së stomatologëve.
Opozita ka deklaruar se ka skenar ndaj kryeministrit për ta goditur me vezë dhe domate në momentin kur ai nuk e pret aspak. Bile PD-LSI mbajnë sekret një sekret për javën e ardhshme, i cili mund të përshkallëzojë shumë situatën, nëse plani realizohet.
Elona Guri, një anëtare e LSI, e cila shquhet për karikim të militantëve të kësaj force politike është shprehur se “do t’ja nxijë jetën Edi Ramës”. Me sa duket, nëse BE nuk i jep Shqipërisë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, situata politike do bëhet shumë shpërthyese dhe destabilitet total. Por edhe kryeministri Rama po lëviz me të gjitha mundësitë e lobimëve të tij për të gjetur shtigje komunikimi me opozitën.
-
PD: Rama u fsheh si frikacak. Axhenda në Shkodër ishte zyrtare
Partia Demokratike akuzoi Edi Ramën për manipulim të opinionit publik lidhur me anulimin e vizitës në Shkodër. PD thotë se kryeministri dhe mediat afër tij dje publikuan axhendën e takimeve në Shkodër. Ndërsa shton se pas presionit dhe protestave kryeministri nuk e pranon që anuloi vizitën por thotë se nuk kishte plan të shkonte në Shkodër.
Deklaratë e Partisë Demokratike
“Edi Rama u fsheh si frikacak sot nga shkodranët, duke anulluar vizitën e bërë publike një ditë më parë nga mediat e kontrolluara prej tij.
I çekuilibruar psikologjisht, për shkak të protestave që po e ndjekin deri tek dera e shtëpisë, Edi Rama gënjeu sot publikisht shqiptarët, kur tha se nuk kishte në plan të shkonte në Shkodër, por në Vlorë.
Kryeministria e ka shpërndarë njoftimin për axhendën e Edi Ramës në Shkodër tek disa nga gazetarët që mbulojnë aktivitetin e Ramës, tek Partia Socialiste e Shkodrës dhe deputetët e saj. PD u bën thirrje mediave të publikojnë mesazhet e shpërndara nga kryeministria, të jenë në lartësinë e misionit të tyre për të informuar publikun me vërtetësi dhe paanshmëri.
Propaganda bajate nuk e mbulon dot as frikën e Ramës as nga shqiptarët, as faktin se, në çoroditje e sipër nga protesta e shkodranëve, gazetarët e Vlorës u lajmëruan me urgjencë nga Bashkia për praninë e Ramës në ceremoni vetëm 10 minuta para nisjes së saj.”