Shkrihet PDIU në Parlament. Dy deputetet i bashkohen Ramës

Edi Rama merr edhe dy deputetë, pa zgjedhje parlamentare. Tashmë numri i deputetëve të PS-së shkon në 76. Deputetja e Dibrës, Reme Lala nga Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit, bashkohet zyrtarisht me Partinë Socialiste. Pas deklaratës për ndryshimin e kampit të saj, ajo ka njoftuar edhe bashkimin me PS të deputetes tjetër të partisë çame, pikërisht të Eleni Xhina, deputete e Elbasanit.

Deklarata nga deputetja e PDIU-së u bë gjatë një takimi që kreu i qeverisë Rama po mban në Dibër. “Unë dua të bashkohem me më të mirët, me Olta Xhaçkën dhe Lindita Nikollën. Dua të bashkohem me PS, se nuk jemi më të mirët, por më të mirë nuk kemi parë”, tha Reme Lala.

Lala e falënderoi Ramën për premtim e mbajtur lidhur me Rrugën e Arbrit. ”Gjithmonë zemrën peshë ke për të na e mbajtur me këto surpriza zoti Kryeministër. Kjo është rruga e ëndrrës së çdo dibrani. Gëzimi i madh sot edhe për Dibrën e Madhe, ne këtej dhe vëllezërit e motrat tona andej kufirit. Në këtë shesh ku jemi sot, në çdo fushatë të çdo partie rruga e Arbrit ka qenë kryefjala e premtimeve dhe pas çdo zgjedhjeve kryefjala e zhgënjimeve. Faleminderit Edi Rama se ma shpëtove mandatin. Bravo të qoftë se përsa i përket Dibrës, i shpëtove nderin politikës, qeverisë dhe vetes”, tha Reme Lala.

Fjalimi ishte gjetje për të justifikuar edhe largimin nga PDIU-ja e Shpëtim Idrizit, të cilin Edi Rama e dogji për pak vota në Tiranë, duke ia grabitur hapur në mes të Tiranës. Ishte Rama që urdhëroi KQZ-në që të mos vazhdonte me rinunërimin e votave nga kutitë e qendrave të votimit, pasi po të vazhdonte rinumërimi sot, Shpëtimi Idrizi do ishte deputet i PDIU-së.

Skema djallëzore për të përçarë PDIU-në e çamëve ishte vënë në funksionim që kur Idrizi u përdor për të larguar Vangjel Dulen e PBDNJ-së, parti e minoritetit grek në Shqipëri.

Edi Rama mbetet mjeshtër i diversionit dhe përçarjes në funksion të mbajtjes së pushtetit për vete. Po kështu përdori edhe LSI-në në vitin 2013, sa të kapte pushtetin ekzekutiv dhe më pas e sulmoi egër, bile më shumë se sa PD-në.

Nga sot PDIU-ja, parti me frymëzim çamiot, në parlament nuk ekziston më, sepse edhe deputetët e fituar me siglën e kësaj partie ikën te Edi Rama.

SHKARKO APP