Shpërthen Koço Kokëdhima: Jam socialist dhe do reformoj PS-në
Ish-deputeti socialist Koço Kokëdhima nisi dje nga Saranda lëvizjen brenda Partisë Socialiste për reformimin e saj. Në një takim shumë entuziast më rreth 400 socialistë të Sarandës, Kokëdhima i ka dhënë përgjigje edhe zërave brenda partisë së tij.
“Në këtë situatë, unë kam vendosur dhe kam zgjedhur të zhvilloj këtë lëvizje politike brenda Partisë Socialiste. Kjo lëvizje synon ta reformojë PS-në me vullnetin dhe forcën e anëtarësisë së saj në bazë. Kam vendosur që këto shqetësime dhe mendime t’i ndaj me socialistët kudo në të gjithë Shqipërinë, të shkëmbejmë idetë dhe mendimet si dhe të arrijmë në një projekt të shëndoshë të fuqizimit dhe të zhvillimit të partisë, duke rritur aftësinë e kësaj partie për të ushtruar pushtetin në lartësinë e pritshmërisë të qytetarëve”,- tha Kokëdhima. Ai shpjegoi se kjo lëvizje nuk synon ndarjen dhe përçarjen e Partisë Socialiste, por bashkimi e saj dhe të të gjithë të majtës shqiptare. Por kjo lëvizje politike duhet bërë patjetër nga poshtë, sepse vetëm anëtarësia e thjeshtë e Partisë Socialiste dhe qytetarët kanë nevojën jetësore për të përmirësuar qeverisjen, për të përmirësuar sistemin politik, për të përmirësuar ekonominë e vendit dhe për t’i shpëtuar kësaj situate kaq të trishtë dhe kaq me shumë mund. Kokëdhima shpjegoi se të gjitha mendimet do të konsultohen me bazën dhe më pas projekti final do t’i propozohet forumeve të partisë.
“Kokëdhima e bën këtë mbledhje jo në të mirë të partisë, por të LSI-së. Ju do e kuptoni vetë sot se në interes të kujt është ky takim. Mos vallë duhet një miratim për të menduar për punët e popullit shqiptar apo ato të Partisë Socialiste. Duhet leje për të menduar për shqetësimet, problemet dhe idetë tona? Kush ka monopolin e të menduarit për jetën tonë? Ata që predikojnë se Kokëdhima nuk është socialist kanë frikë nga idetë e mia dhe nuk janë miq as të PS-së as të mitë. Kokëdhima nuk krijon parti tjetër, nuk shkon në parti tjetër, nuk shkon te LSI-ja. Partia e Kokëdhimës është PS-ja”, u shpreh ish- deputeti.
Ai shpjegoi se ka punuar për ta bashkuar PS me LSI-në në çdo palë zgjedhje nga viti 2005 deri sot. Ato janë dy parti të dala nga një trung, ato janë dy pjesë të së majtës. “Në 2005, 2007, 2009, 2011, 2013, 2015, kam negociuar me vendosmëri për ta bashkuar të majtën. E majta e bashkuar ka fituar gjithmonë, fiton gjithmonë dhe do fitojë gjithmonë. PS ka humbur gjithmonë kur e majta ka qenë e ndarë. Na mjaftojnë këto 6 palë zgjedhje për ta kuptuar këtë fakt të thjesht. Tre herë kemi humbur. Pse duhet ta injorojmë, për shkak të prioriteteve të tjera. Ku ka prioritet më të madh për të majtën se sa marrja e pushtetit dhe ushtrimi i tij në interes të popullit shqiptar, në cilësinë që presin njerëzit, në lartësi që duan qytetarët? Çfarë kemi bërë me përçarjet e të majtës në gjithë këto vite? I kemi dhuruar pushtetin Saliut dhe i kemi bërë gjithë ato thagma popullit, vendit dhe socialistëve”, – tha Kokëdhima.
Kokëdhima: Njerëz brenda PS punuan me Berishën kundër meje
Ish- deputeti Koço Kokëdhima ka komentuar nga Saranda situatën e brendshme në Parinë Socialiste duke e cilësuar si të trazuar nga intrigat e brendshme dhe lufta brenda llojit. “Ata të majtë që bashkëpunuan me Berishën kundër mandatit tim kanë frikë nga deskreditimi dhe tradhtia që bënë dhe përpiqen nën zë të thonë se Kokëdhima nuk është socialist besnik. Ne duhet t’i japim fund kulturës së tradhtisë, intrigave dhe luftës pas shpine brenda familjes sonë politike. Ne duhet të zhvillojmë solidaritetin dhe bashkëpunimin e sinqertë mes nesh. Të ndalojmë sulmet ndaj njëri-tjetrit dhe të mendojmë, të punojmë për njerëzit e thjeshtë, për socialistët, për popullin tonë”,- u shpreh Kokëdhima. Ai shpjegi se do të bashkëpunojë edhe me ata që kanë punuar kundër tij për të mirën e socialistëve dhe të mirën e qytetarëve shqiptarë. “Nuk kam dhe nuk do kem armiqësi personale me askënd, as në PS, as në të majtën e bashkuar dhe as në politikën e Shqipërisë”,- tha Kokëdhima.
Kokëdhima: Politika aktuale ka braktisur popullin
Ish- deputeti Socialist Koço Kokëdhima ka sulmuar nga Saranda mënyrën se si kasta politike shqiptare ka drejtuar vendin në këto 26 vjet. Duke u fokusuar tek politikëbërja e këture viteve, Kokëdhima ka kundërshtuar mënyrën se si politika sillet me njerëzit e thjeshtë dhe ka denoncuar korrupsionin. “Tranzicioni shqiptar ka qenë i vështirë dhe i pamerituar për njerëzit tanë, kastat politike të shkëputura nga populli, qytetarët, të papërfaqësuar nga këto kasta sunduese. Demokracia e tranzicionit ishte e mirë vetëm për kastat drejtuese, për politikanët e korruptuar, për bizneset e lidhura me ta dhe mediat që kontrollohen nga qeveritë. Ky tranzicion karakterizohet nga korrupsioni i shfrenuar i elitës politike, nga koncesionet turpëruese dhe pa përfitime për popullin shqiptar. Politikanët i kanë bërë këto koncesione jo vetëm se janë të korruptuar e të kapur, por se janë edhe budallenj e të paaftë si negociatorë”,- tha Kokëdhima.
Sipas tij, njerëzit ndihen të mashtruar, të përdorur, të pashpresë. Ata janë të mërzitur e të stresuar. Nuk ka më gëzim dhe optimizëm dhe shumë prej tyre ndihen të fyer dhe vetëm do të donin të largoheshin nga ky vend. “Në çdo fushatë elektorale, njerëzve iu premtohet parajsa. Ndërrohen ekipet qeverisëse, por pushteti nuk e përfaqëson shumicën e popullsisë. Politikanët i manipulojnë qytetarët dhe elitat politike i përbuzin, i shkelin, i mashtrojnë dhe i vjedhin këta qytetarë. Sistemi zgjedhor në Shqipëri nuk garanton zgjedhje të lira e të ndershme dhe faktin që populli nuk zgjedh vetë drejtpërdrejt asnjë përfaqësues, me të drejtë do të themi se ky është një popull i lidhur, është një popull i mbërthyer. Popullin nuk e lënë të zgjedhë, nuk e lejojnë të ndëshkojë, nuk e lejojnë të “hakmerret”, nuk e lejojnë të marrë në dorë fatet e veta,- tha Kokëdhima. Ai u ndal me konkretisht në Partinë Socialiste. “Problemet e përfaqësimit janë të mprehta edhe në partitë politike, edhe në Partinë Socialiste. Sot, të gjithë përfaqësuesit zgjidhen nga kryetarët e partive. Deputetët, kryetarët e bashkive, këshilltarët dhe gjithçka tjetër. Për këtë arsye, ky system është quajtur edhe sistem partiokratik. Kur them se në Partinë Socialiste ka problem të rënda përfaqësimi, kam parasysh faktin se një numër i vogël socialistësh përfitojnë vende pune dhe të mirat e pushtetit. Por, shumica e socialistëve të thjeshtë vuajnë si gjithë pjesa tjetër e popullit. Ata ndihen të parespektuar, të përdorur, të gënjyer, të shfrytëzuar, të abuzuar dhe të zemëruar”, u shpreh Kokëdhima.