Shqipëria përmbytet edhe në verë (FOTO-VIDEO)

Përmbytjet janë fenomen me të cilin shqiptarët janë mësuar çdo dimër. Por tashmë vërshimi i ujit në qytetet kryesore është një dukuri që po ndodh edhe në mes të verës. Ka mjaftuar një orë shi gjatë ditës së sotme dhe disa zona në qytete si Shkodra, Fieri, Durrës, Vlora, etj, të cilat janë përmbytur nga uji.

Foto dhe videot që qytetarët kanë postuar në rrjetet sociale tregojë për një situatë të paprecedentë që reshjet kanë krijuar brenda pak minutave. Në shumë qytete të vendit, dendësia e tyre ka bërë që niveli i ujit të shkojë në 30 centimetra, duke vështirësuar qarkullimin apo shkaktuar përmbytje.

Në qytetin e Shkodrës, për shkak të reshjeve të shumta, është përmbytur edhe spitali rajonal i qytetit, si dhe zona të tjera përreth. Pamjet janë shpërndarë nga deputetja e Partisë Demokratike në qarkun e Shkodrës, Izmira Ulqinaku, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në rrjete sociale.

Në video shfaqet uji që është futur në katin e parë të spitalit dhe vërshon nëpër korridore e salla të spitalit. Problematike ka qenë situatë dhe në zonat e tjera të qytetit. Në Durrës pjesa kryesore e qytetit ku ka dhe më shumë lëvizje për shkak të turistëve është bllokuar për disa orë.

Ndërkohë situatë problematike ka qenë edhe në disa qytete të tjera. Në Elbasan, Dibër, Gjirokastër dhe Vlorë ka raportime për bllokim rrugësh dhe probleme në qarkullimin e mjeteve. Edhe në Fier raportohet një situatë kaotike, ku erërat e forta dhe shirat e dendur kanë lënë pa energji elekrtrike banorët e qytetit. Në lagjen ’15 tetori’, xhamat e dyqaneve janë thyer dhe pemët janë rrëzuar në rrugë.

Demet e shkaktuara deri më tani në zonat e jugut raportohet se janë në bujqësi. Në Fier, Mallakastër dhe Lushnje fermerët raportojnë dëme në të  mbjella, frutikulturë dhe në sera.

Në autostradën Tiranë-Durrës është krijuar një radhë e gjatë makinash. Bllokimi i autostradës ka sjellë dhe vështirësi në qarkullim. Stuhia që zgjati për një orë ka shkaktuar probleme dhe në zonat bregdetare që janë të mbipopullura këto ditë me pushues.

Dëme të mëdha në fshatin Goskovë të Korçës

Në fshatin Goskovë, të njësisë administrative Voskop, në Korçë dëmet e shkaktuara nga reshjet kanë qenë më të mëdha se në zonat e tjera. Në video shihen shtëpi të shembura, pemë të rrëzuara, makina që kanë përfunduar në kanal, rrugë të mbuluara nga balta, e gjithçka kanë marrë me vete përrenjtë.

Banorët e zonës kanë pësuar dëmtime të mëdha nga shiu i rënë pasditen e sotme. Jo vetëm shtëpitë e tyre dhe makinat, por dëmtime edhe më të mëdha kanë pësuar të mbjellat. Pas normalizimit të motit, ata janë përpjekur të ndërhyjnë për të shpëtuar atë që shiu nuk e ka shkatërruar plotësisht.

Mungesa e kanaleve kulluese dhe hidrovoreve në zonë ka bërë që situata të bëhet edhe më problematike dhe pas reshjeve të shiut të ditës së sotme, gjithçka për këta banorë është bërë edhe më e vështirë.

E godet rrufeja, humb jetën 22-vjeçari nga Lazarati

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në fushën e Luginës së lumit Drino, afër fshatit Bulo, ku 22-vjeçari Xhuliano Koçiu ka humbur pasi u godit nga rrufeja. Viktima ishte duke kullotur bagëtitë në momentin e ngjarjes, ndërsa është dërguar me urgjencë në spital, por nuk ia ka dalë.

22-vjeçari nga Lazarati është viktima e dytë brenda pak ditësh që humb jetën nga rrufetë. Në Shkodër u goditën tre persona në një arë teksa ishin duke punuar tokën.

Përmbytja e Spitalit në Shkodër 

https://www.facebook.com/izmira.ulqinaku/videos/10212175452966897/

Përmbytje në Shkodër 

https://www.facebook.com/izmira.ulqinaku/videos/10212175452366882/

Stuhia në qytetin e Fierit 

https://www.facebook.com/kohajone/videos/877346905788181/

Stuhi në Berat

 

FOTOGALERI/Stuhia në qytete të ndryshme të vendit 

Orikum, çadrat e plazhit dalin në rrugë

SHKARKO APP