Si do ta sigurojë Kosova vaksinën anti-Covid?

Nga radio gjermane DW

Kosova pritet të sigurojë falas 360 mijë vaksina, kurse pjesën tjetër do ta blejë. Ndërkohë zyrtarë të OBSH-së në Kosovë parashohin që procesi i vaksinimit në Kosovë nuk mund të fillojë para stinës së pranverës.    

Festat e fundvitit edhe Kosovën do ta gjejnë me masa të nevojshme dhe një plan të ri për të parandaluar përhapjen e Covid-19, ndonëse autoritetet nuk kanë specifikuar ende, nëse do të ketë mbyllje të plotë për shkak të gjendjes jo të përmirësuar me pandeminë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u shpreh, se institucionet janë duke u përgatitur për vendosjen e masave të nevojshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit gjatë festave të fundvitit. “Institucionet shëndetësore do të mbesin të mobilizuara. Po përgatisim skenarët për masat e nevojshme për festat e fundvitit kur ka frekuentim më të madh të qytetarëve, përfshirë edhe ardhjen e bashkatdhetarëve”, shkroi Hoti në Facebook.

Por, si do ta sigurojë Kosova vaksinën?

Shpresat janë tek Bashkimi Evropian. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, kanë premtuar se BE-ja do ta ketë si prioritet ndihmën ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor me vaksinën kundër COVID-19.

Brüssel | Pressekonferenz zum Brexit

Ursula von der Leyen

“Ne kujdesemi edhe për fqinjët tanë. Bashkimi Evropian do të koordinoj donacionet e vaksinës nga shtetet anëtare, posaçërisht për mbrojtjen e punëtorëve shëndetësorë në Ballkanin Perëndimor dhe fqinjët”, ka thënë Von der Leyen, duke folur pas samitit të fundit të BE-së. Mediet në Prishtinë duke ju referuar burimeve nga Komisioni Evropian, shkruajnë se vaksinat për vendet e Ballkanit do të sigurohen nga koalicioni ndërkombëtar COVAX, ku BE -ja ka rolin kryesor. Në këtë koalicion ndërkombëtar për sigurimin e vaksinës janë 184 shtete të botës.

Vaksinat anti-Covid kërkojnë kushte të veçanta të ruajtjes dhe transportit.

IZëdhënësja e Komisionit Evropian ka thënë se nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor kërkohet që strategjinë e tyre të vaksinimit ta zhvillojnë në përputhje me udhëzimet që ka dhënë Komisioni Evropian për vendet anëtare, duke e bërë kështu më të lehtë ndihmën e BE-së dhe koordinimin me shteteve anëtare. Sipas BE-së tashmë janë duke u bërë koordinimet mes Komisionit Evropian, vendeve anëtare të BE-së dhe shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për të siguruar dozat e para të vaksinave.

Kosovo | Stadtansichten aus Pristina

Vaksina jo para pranverës në Kosovë

Zyrtarja për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, përfaqësia në Kosovë, Isme Humolli, thotë se procesi i vaksinimit kundër koronavirusit në Kosovë nuk mund të fillojë para stinës së pranverës. “Ne po shpresojmë si OBSH që të jetë gjysma e marsit, eventualisht fillimi i prillit. Gjasat për me fillu më herët nuk ka duke pasur parasysh sasinë e vogël e vaksinave që janë në prodhim dhe kërkesave shumë të mëdha që janë në mbarë botën”, thotë Humolli.

Një hap tjetër e bëri edhe ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj. Javën që shkoi ai nënshkroi aplikimin zyrtar për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 nëpërmjet Aleancës Botërore të vaksinimit.  Sipas ministrit Zemaj, Kosova pritet të përfitojë rreth 360 mijë vaksina falas, ndërsa pjesën tjetër synon ta blejë. Kosova ka 1.7 milionë banorë.  Që nga shfaqja e pandemisë në Kosovë, janë shënuar më shumë se 43 mijë të prekur me Covid-19. 1120 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 29 mijë janë shëruar. Raste aktive të prekur me koronavirus, në Kosovë sipas IKSHPK-së, janë rreth 11 mijë e 500 persona.

 

SHKARKO APP