Si nuk u ngopën duke vjedhur?!*

Ministria e Shëndetësisë shpalli fitues të koncesionit të shërbimit laboratorik konsorcumin mes një kompanie shqiptare me 100 mijë lekë kapital-Labopharma, kompanisë franceze Exalab dhe një kompanie të panjohur holandeze.

Ministria e Shëndetësisë shpalli bashkimin e kompanive Labopharma sh.p.k, Exalab France dhe AB Laboratory Solutions B.V me seli në Holandë fitues të koncesionit të shërbimit laboratorik, vlera e së cilit parashikohet t’i kushtojë rreth 100 milionë dollarë buxhetit të shtetit për 10 vitet e ardhshme.

Njoftimi i publikuar në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik tregon se oferta e konsorcumit fitues u përzgjodh mes nëntë konkurrentëve në garë, ndërkohë që vetëm katër prej tyre kishin paraqitur ofertë.

Sipas njoftimit të shpalljes, konsorcumi fitues ofroi 10.70% zbritje nga çmimi i listës së testeve të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë, përqindja në koncesion ndahet në 41.7 për qind për kompaninë shqiptare Labopharma sh.p.k, 25 për qind për kompaninë franceze Exalab France dhe 33.3 për qind për kompaninë e regjistruar në Holandë, AB Laboratory Solutions B.V.

Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania kryesore fituese “Labopharma sh.p.k” është  themeluar në vitin 2007 me aktivitet në import-eksportin e produkteve farmaceutike dhe zotërohet në 100 për qind të aksioneve nga Janis Karathano.

Ajo ka një kapital të nënshkruar prej 100 mijë lekësh, një total asetesh prej 55.8 milionë lekësh dhe bilanci i fundit i dorëzuar nga QKB tregon se ajo e ka mbyllur vitin 2015 me humbje.

Kompania franceze Exalab, sipas faqes së saj në internet rezulton të ketë një rrjet të gjerë laboratorësh biologjikë dhe deklaron se ka të punësuar rreth 400 persona. Kompania e tretë fituese AB Laboratory Solutions B.V rezulton e regjistruar në Hagë të Holandës, ndërkohë që mungojnë të dhënat e tjera.

Në dhjetor 2016, Ministria e Shëndetësisë shpalli tenderin për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiakë të Sarandës dhe Lushnjes-18 laboratorë gjithsej, pavarësisht protestave të mjekëve dhe laborantëve, akuzave të opozitës dhe kundërshtive brenda mazhorancës.

Sipas njoftimit të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, vlera e kontratës për 10 vitet e koncesionit përllogaritej të ishte 13,005, 966,000 lekë pa TVSH.

Në një intervistë më 16 dhjetor, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj sqaroi se ky koncesion ishte përgatitur që në vitin 2014 me asistencën e IFC-së dhe do ta përmirësonte thelbësisht cilësinë e analizave.

“Kërkohet që laboratorët të çertifikohen ndërkombëtarisht me standarte europiane që nuk i kanë sot,” u shpreh Beqaj. “Është kusht i atij që do të pranojë të lidhë kontratë me ne, që këtë gjë ta bëjë brenda kohës optimale kur do shtrihet në të gjithë Shqipërinë,” shtoi ai.

Ndërsa Partia Demokratike e cilësoi një procedurë dhe praktikë korruptive këtë koncesion, duke akuzuar se “nuk ka asnjë model të ngjashëm në botë”.  Koncesion i laboratorëve ëshë kontestuar gjithashtu dhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ka paraqitur dhe një amendament kundër tij në ligjin për buxhetin e vitit 2017, nëpërmjet kreut të grupit parlamentar Petrit Vasili.

Administrimi i shërbimit laboratorik të spitaleve nga kompani private për një periudhë 10-vjeçare është koncesioni i katërt i Ministrisë së Shëndetësisë, pas atyre të check up-it, hemodializës dhe sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Në buxhetin e vitit 2017, qeveria deklaroi se kostoja totale e katër koncesioneve parashikohej të kapte vlerën e 40 miliardë lekëve në 10 vjet, ose 320 milionë dollarëve. (BIRN)

*Titulli është i redaksisë

SHKARKO APP