Skandal 20-vjeçar në naftë: Bankers Petroleum nën hetim për mashtrim fiskal dhe pastrim parash, dilte gjoja me humbje për 20 vjet!

Pas më shumë se dy dekadash aktivitet në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, kompania Bankers Petroleum Albania Ltd është vënë nën hetim penal. 14 persona janë ndaluar ose shoqëruar, ndërsa 5 të tjerë – të gjithë shtetas të huaj – janë shpallur në kërkim nga Prokuroria, e cila i akuzon për mashtrim me TVSH-në, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Në qendër të skandalit qëndron fakti se kompania ka deklaruar humbje të njëpasnjëshme për 20 vite, duke shmangur tatimin mbi fitimin dhe përfituar rimbursime të dyshimta në miliona euro. Nga viti 2006 deri më 2023, Bankers ka arkëtuar afro 4 miliardë euro të ardhura, por zyrtarisht nuk ka paguar asnjë qindarkë tatim fitimi.
Prokuroria thotë se skema është zbuluar pas një hetimi 6-mujor, ndërsa gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente dhe pajisje që zbulojnë manipulim bilancesh dhe transaksione fiktive, të kryera në bashkëpunim me kompani dhe individë brenda e jashtë vendit.
Hetimi ka vënë në pikëpyetje edhe një klauzolë të kontratës koncesionare, sipas së cilës kompania ishte e përjashtuar nga tatimi derisa të arrinte të ashtuquajturin “faktor R” mbi 1 – një kufi që nuk është arritur kurrë, përkundër pritshmërive zyrtare që kjo ndodhte që në 2013.
Zyrtarë të Kontrollit të Lartë të Shtetit kishin paralajmëruar për vite me radhë se bilancet e Bankers ishin të manipuluara, por institucionet nuk vepruan. Rasti është parë gjerësisht si simbol i dështimit të kontrollit shtetëror mbi një nga pasuritë natyrore më të rëndësishme të vendit.
Patos-Marinza, një nga vendburimet më të mëdha të naftës në Evropë, është shfrytëzuar nga Bankers me zero tatim fitimi dhe me një rentë modeste prej vetëm 10% të prodhimit bruto.
Tashmë, mbetet për t’u parë nëse drejtësia do të shkojë deri në fund të kësaj çështjeje apo nëse procesi do të mbyllet si shumë të tjera: me dënime simbolike dhe paratë e zhdukura në llogari offshore.