Skandal dhe turp, Shqipëria kundër SHBA

-Rezoluta e Turqisë dhe Jemenit në OKB kundër Amerikës votohet pro nga Shqipëria. Vendet e rajonit, Bosnja, Kroacia abstenuan. Abstenuan edhe Rumania, Polonia, Çekia, etj.

-Presidenti Thaçi: Kosova do votonte në çdo rast pro SHBA.

Qeveria shqiptare ka votuar dje në OKB pro një rezolute që godet direkt interesat  e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me një vendim të paprecedentë në historinë e 27 viteve të fundit, Qeveria Shqiptare është rreshtuar me vendet që bllokojnë aleatin strategjik te shqiptarëve, Amerikën. Në OKB, Turqia dhe Jemeni prezantuan një dokument kundër qëndrimit të SHBA për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit.

Para votimit Presidenti i SHBA, Donald Trump dhe ambasadorja e SHBA në OKB, Niki Haely deklaruan se ky votim do të shërbente për të njohur miqtë e vertetë të SHBA. Ndërkohë Presidenti Trump deklaroi se ata shtete që nuk e mbështesin qëndrimin e tij nuk do të marrin më fonde dhe nuk janë mike. Ishte një kërkesë sa diplomatike aq dhe një thirrje për miqtë dhe aleatët. Qeveria shqiptare çuditërisht refuzoi miqësinë dhe interesin e marrëdhënieve afatgjata me SHBA, duke mbajtur një qëndrim të turpshëm, por edhe të pabesë. Ndërkohë Presidenti Hashim Thaçi u shpreh se jam i tronditur nga qendrimi i Tiranës zyrtare. Thaçi tha se edhe sikur e vetmje të ishte Kosova prapë do votonim pro SHBA.

Votimi i qeverisë shqiptare ndaj kësaj rezolute është i turpshëm ndaj një aleati strategjik dhe i gabuar si lëvizje diplomatike. Është i turpshëm sepse me Shtetet e Bashkuara të Amerikës Shqipëria ka marrëdhënie specifike ndryshe nga shumë vende të rajonit. SHBA është i vetmi aleat strategjik proshqiptar. Në diplomaci ka rëndësi dhe memoria historike dhe qeveria jonë dje tregoi se ka harruar shumë gjëra. SHBA-të janë vendi që ka dhënë më shumë kontribut për ekzistencën tonë si komb. Pas shpalljes së Pavarësisë ishte presidenti amerikan  Uillson që ndaloi copëtimin e Shqipërisë duke u investuar personalisht në Lidhjen e Kombeve, duke dalë edhe kundër gjithë Europës që ishte pro shkërmoqjes së Shqipërisë. Por pa shkuar shumë në histori, nëse Kosova sot është një shtet kjo është falë SHBA-së e cila pranoi të hynte në luftë për lirinë e shqiptarëve të Kosovës. Kishte shumicën e shteteve kundër në OKB dhe megjithatë arriti të imponohet duke u renditur në krah të shqiptarëve. Nëse Maqedonia është një vend ku shqiptarët po fitojnë të drejtat e tyre është meritë e SHBA që ka lobuar fortë për njohjen e  faktorit shqiptar. Por të mos harrojmë se këto 27 vjet Shqipëria do të kishte njohur tatëpjeta shumë më të rrezikshme dhe fatale, nëse në momente të caktuara nuk do të ishin SHBA-të që do të ndërhynin me forcë për të normalizuar situatën. Këto janë vetëm një pjesë e vogël e memories historike që Qeveria shqiptare duhet t’i kishte marrë parasysh në votimin e djeshëm dhe nuk duhet të kishte gabuar. Si për ironi, një ditë para votimit ambasadorja amerikane në OKB ishte në një pritje të Ambasadës së Kosovës në Nju Jork. Diplomatja amerikane premtoi se SHBA do të vazhdonte të punonte fuqishëm për njohjen e Kosovës dhe futjen e saj në OKB. Një ditë më pas, qeveria shqiptare voton kundër SHBA. Kjo nuk është vetëm një gafë diplomatike, por edhe dalje me vetëdije kundër interesave kombëtare. Me vetëdije Qeveria “Rama” ka refuzuar aleatin kryesor të shqiptarëve në rajon.

A e di Edi Rama se ishte SHBA që vendosi me forcë futjen e Shqipërisë si anëtar i NATO-s ndërkohë shumë shtete-anëtare nuk donin?

Ajo që e bënë edhe më të turpshme votimin e Qeverisë Shqiptare është argumenti për votën “pro”. Sipas Ministrisë së Jashtme qëndrimi i Shqipërisë ishte sipas linjës së Bashkimit Europian. Edhe sikur kjo të jetë e vërtetë nuk është arsye. Ne nuk jemi ende vend i Bashkimit Europian dhe nuk kemi detyrime që lidhen  me politikën e jashtme te BE në OKB. Por edhe sikur të jetë kështu, 6 vende të Bashkimit Europian abstenuan në shenjë respekti për qëndrimin e SHBA. Polonia, Çekia, Rumania, Hungaria etj, janë vende që e kanë të detyruar ndjekjen e linjës diplomatike të Brukselit, pro dje ata abstenuan duke treguar më shumë qëndrim diplomatik dhe kombëtar për interesat e tyre.  Çfarë i kushtonte Tiranës që të paktën të abstenonte? Serbia, një vend që aspiron BE, voton rregullisht pro Rusisë dhe kundër Brukselit në OKB dhe nuk është penalizuar asnjëherë. Ndërsa Tirana, njëherë që duhet të tregoj se cilin ka aleat strategjik zgjedh rrugën e gabuar. Bile u tregu edhe e pabesë.

Vendimi i djeshëm është i dëmshëm dhe nga aspekti diplomatik afatgjatë i Shqipërisë. Qëndrimi pro BE-së duket se është një justifikim. Vota në OKB kundër SHBA u kërkua nga Turqia. Qeveria shqiptare dje nuk ka zbatuar direktivat e BE, sepse mjaftonte dhe një abstenim për të qenë korrekt me BE, por i ka bërë një qokë Turqisë dhe qëndrimeve të saj për Jerusalemin dhe Palestinën. Vota është një skandal nga të gjitha pikëpamjet. Edhe Bosnjë-Hercegovina, një vend që ka shumë më tepër interesa ekonomike sesa ne me Turqinë dhe vendet arabe, abstenoi. Bile është një vend me shumicë myslimane, por nuk votoi kundër SHBA.

Në një moment kaq delikat, Shqipëria është rreshtuar në pozicionin e gabuar duke dalë kundër aleatit strategjik SHBA.

Ky është një turp i madh dhe një veprim antikombëtar, tregon dhe një mungese respekti ndaj SHBA, supërshtetit që na ka bërë shtet si Shqipëri.

E fundit, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu duhet të flasë hapur për këtë qëndrim të qeverisë Rama kundër Presidentit Trump.

Mos edhe ambadori Donald Lu është kundër Presidentit Trump?!

SHKARKO APP