Skandali i Unazës/ Kryemadhi apel Arta Markut: Hetoje si burrneshë, mos hezito!

Monika Kryemadhi sot në një takim me gratë e LSI në kryeqytet apeloi prokuroren e përgjithshme Arta Marku të hetojë megaskandalin e unazës së madhe.

“I bëj thirrje Arta Markut si si grua dhe si nënë, që sot ajo është përballë opinionit publik, përballë opozitës e ndërkombëtarëve të tregojë se vlerat e një gruaja janë më të forta se të institucioneve e tundimi e paraja. Ajo sot duhet të jetë e sinqertë me veten e saj, me fëmijët e saj me gratë shqiptare. I bëj thirrje mos hezito përballë Damian Gjinkurit, lidhjet e tij me ofshoree janë të drejtpërdrejta, mos hezito ndaj Afrim Qendros, që mbron projektin duke reklamuar kompaninë amerikane fake, mos hezito ndaj Edi Ramës, kokës së këtij projekti që s’dimë për cfarë do i përdorte këto para por hetoje si burrneshë nëse je burrnesh se sot ke shansin për ti dhënë emër grave dhe vajzave shqiptare.” U shpreh Kryemadhi.

Ajo theksoi se kryeministri është konvertuar në një njeri arrogant, hajdut i buxhetit të shqiptarëve dhe se me tenderimet, ku tenderi me 18 milionë euro doli me dokumenta mashtruese, ai po verteton se mbetet një armik potencial i shqiptarëve, ndaj duhet përmbysur. Ajo shtoi se familjet e Unazës së Re, të cilët kryeministri po i zbon me zor nga banesat e tyre vetëm sepse synon të vjedh 20 milionë euro nga tenderimi prej 40 milionë për 2 km autostradë, ndaj LSI-ja do t’i mbështesë deri në fund banorët.

Ndërsa për protestën e studentëve Kryemadhi tha se si nënë dhe si politikane, do të mbështesë protestën e studentëve, pasi ata kanë të drejtë. Kryemadhi deklaroi hapur se nga ky moment LSI dhe opozita nuk do ti mbështesë studentët vetëm me përkrahje njerëzore dhe politike, por edhe me krejt militantët e LSI duke dalë në shesh nëse kryeministri nuk firmos për krejt kërkesat e studentëve. Po kështu nga sot ajo shtoi se banorët e Unazës së Re nuk do të mbështeten vetëm me deputetët e opozitës, por edhe me njerëzit e LSI dhe opozitës.

Kryemadhi kërkoi që tani radha po i vjen protestave të mëdha me popull, që është i pakënaqur dhe mashtruar nga kryeministri, duke e përmbysur me forcën e popullit.

Fjala e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në takimin e LGI:

Përshëndetje. Klajda të emocionon gjithmonë kur flet sepse e filloi si një vajzë e sapo diplomuar në LSI dhe sot është nënë. Dhe kupton që dhimbja dhe dashuria e një nëne nuk i mat dot dhe nuk ka matës për to. Sepse dashuria që fal një grua kalon çdo hapësirë, kalon gjithësinë dhe nuk mbaron asnjëherë. Në fakt sot me ne do të ishte dhe një shoqja jonë po nuk është. Por këtu ka ardhur e ëma e saj me motrën. Na mungon Luzhi me forcën, entuziazmin dhe karakterin e saj të fortë, e cila gjithmonë ka qenë pranë nesh. Por edhe pse sot nuk është me ne, ajo është si një engjëll mbrojtës që çdo ditë na jep forcë për të luftuar. E them këtë sepse e njohin socialistë dhe demokratë, por më shumë se ata e njohim ne me të cilët kemi punuar, kemi luftuar dhe kemi arritur shumë gjëra të mira për qytetarët dhe për gratë dhe vajzat e reja.

E tha Klajda pse më 8 dhjetor. Dhe në fakt kjo ishte njëra nga arsyet. Por përveç kësaj ishte dhe mënyra dhe struktura që ne duhet të fillojmë të punojmë. Ju e dini shumë mirë që më 30 qershor do jenë zgjedhjet lokale dhe LSI si gjithmonë, tashmë nuk është një parti e vogël. Por është një parti që vendos, është një parti që është prezente, është një realitet politik, por mbi të gjitha është një realitet moral dhe shoqëror, dhe aq më shumë kur ka gra dhe vajza të cilat i kanë dhënë karakter, identitet dhe integritet Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ne kemi qenë partia e parë që vendosëm kuotën 50% në listën e këshilltarëve për bashkitë dhe pushtetin vendor. Dhe në fakt ia arritëm sepse sot janë të detyruara me ligj që këshillat bashkiakë të jenë të detyruar ku 50% të jenë gra dhe vajza dhe 50 % burra. Kjo erdhi si rezultat i një iniciative të deputeteve të LSI-së, bashkë me koleget e tjera të Parlamentit të shkuar. Kjo është një fitore e madhe, por është dhe një përgjegjësi shumë e madhe. Është një përgjegjësi shumë e madhe sepse sot ne nuk jemi në një realitet normal, nuk jemi në një situatë politike e cila është në normalitet. Nuk jemi në një situatë ekonomike ku ekonomia lulëzon, por jemi në një situatë ku demokracia është në diskutim, jemi në një situatë ku ekonomia lëngon dhe varfëria është shtruar këmbëkryq në familjet e shqiptarëve. Jemi në një situatë  ku arbitrariteti dhe arroganca qeverisëse ka kaluar çdo kufi dhe jemi në një situatë ku rrugët e Tiranës dhe sheshet e qyteteve kryesore universitare mbushen me qindra dhe mijëra studentë për kërkesat e tyre më elementare.

Në fakt shumëkush thotë pse studentët e nisën në dhjetor me idenë për të përkujtuar dhjetorin e 1990. Shumëkush thotë që është jo politike, jo studentore e të tjera e të tjera. Në fakt lëvizja studentore është studentore. Nuk është as politike dhe as apolitike. Lëvizja studentore është një lëvizje kombëtare dhe me lëvizjen e studentëve shqiptarë nuk mund të luajë askush, as neofashistët, as neo komunistët, as marksistët, as anti-komunistët, as socialdemokratë, as socialistët dhe as njeri. Lëvizja studentore është sot një realitet për t’i dhënë një mësim  mediave shqiptare edhe klasës politike shqiptare, mediave shqiptare për t’ju thënë që të mos subvencionohen nga grupe të caktuara, për të shkatërruar lëvizjen studentore me grupe të paguara me para që nuk dinë nga vijnë. Lëvizja studentore është lëvizje Eurosocialiste e të rinjve të Partisë Demokratike, e të rinjve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e të rinjve që nuk kanë asnjë parti politike, e të rinjve që e dashurojnë politikën apo e urrejnë politikën, e atyre të rinjve apo të rejave që luftojnë për të shpëtuar kafshatën e gojës që prindërit e tyre rropëtohen  dhe Edi Rama që kërkon t’ia vjedhë me çdo mënyrë.

Lëvizja Studentore nuk është e asnjë partie politike, e asnjë organizate politike, ajo është e studentëve, prandaj duart larg si politika dhe NGO e subvencionuara dhe të paguara nga Edi Rama për ti përçarë ata. Studentët tanë na dhanë një mësim ne si politikanë, mua të parën, jam e bindur edhe z.Basha edhe të gjithë kryetarëve të frontit opozitar për të na thënë që nuk kanë nevojë për të pritur kushtet për të ngritur zërin dhe për të protestuar, por duan besim, duan forcë, duan alternativë. Na dhanë një mësim shumë të mirë ne klasës politike për të kuptuar se kur je me të drejtën, kur lufton për qytetarët, kur lufton për banorët, kur lufton për të mbrojtur të dobëtit përballë të fortëve, kur lufton për të mbrojtur të varfrit përballë të pasurve, zoti është me ty.

Pra, lëvizja studentore ishte një leksion demokracie, një leksion shprese që i dha opozitës, prandaj ju bëj thirrje të gjitha grave, ju që jeni sot, drejtuesve të shtabeve elektorale në të gjithë Shqipërinë, thirrje çdo nëne, çdo gruaje, çdo vajze të përkrahim studentët, të jemi me ta në çdo moment, pa asnjë lloj kompleksi se ata fëmijë që janë në rrugë që protestojnë për të shpëtuar paratë e prindërve të tyre të cilët rroptohen për ti fituar.

Ata studentë janë bijë nënash, fëmijë prindërish të cilët janë qytetarë të Shqipërisë dhe ne si opozitë e kemi për detyrë, jo vetëm ti përkrahim por edhe ti ndihmojmë, ti ndihmojmë në infrastrukturë, ti ndihmojmë në njerëz, ti krijojmë hapësirat, por edhe ti bëjmë liderët e ardhshëm të politikës shqiptare.

Sot ne shikojmë rastin e  Unazës së Re, dita e 35 e banorëve që protestojnë, të gjithë e morën me qetësi sepse është një rrugë që do të zhvillohet dhe i shërben të gjithë qytetit dhe të gjithë vendit, dhe në fakt banorët ishin vetëm në atë kohë, asnjë nuk i përkrahtë, asnjë nuk i suportonte, por vetëm opozita i tha që ne jemi me ju dhe do të qëndrojmë me ju dhe do të përkrahim kauzën tuaj. Nuk i përdori opozita banorët e Unazës së Re për përfitim politik. Nuk i përdori opozita banorët e Unazës së Re për të bërë protesta të dhunshme për të rrëzuar qeverinë. As për të kërkuar pushtetin në tavolinë, siç thotë Edi Rama, që opozita përdor protestat për këtë gjë. Por ama opozita mbështeti banorët dhe protestën dhe nxorri që projekti i Edi Ramës nuk ishte një projekt zhvillimi, por një projekt vjedhjeje. Ishte një projekt vjedhje aq i turpshëm, saqë sot unë dua të bëj krahasimin midis dy grupeve. Edi Rama shkatërron jetën e 1000 familjeve për të përfituar në një dorë të vetme 20 milion euro.

Edi Rama shkatërron të ardhmen e fëmijëve të 1000 familjeve për të përfituar me një dorë të vetme 20 milion euro. Edi Rama shkatërron imazhin e vendit tonë duke falsifikuar firmën e një sekretari shteti për të përfituar për veten e tij 20milion euro. Edi Rama përdhosi simbolin tonë kombëtar shqiponjën, për të fituar 20 milion euro. Edi Rama bashkë me argatët e tij duhet urgjent të anullojë projektin e Unazës së Re, të tre lotet dhe i bëj thirrje Arta Markut si grua dhe si nënë, që sot ajo është përballë opinionit publik, opinionit të opozitës, opinionit të ndërkombëtarëve për të treguar që vlerat e një gruaje janë më të forta se vlerat e një politikani, për të treguar që vlerat e një gruaje janë më të forta se vlerat e institucioneve, për të treguar se vlerat e një gruaje janë më të forta se çdo gjë: se tundimi, se paraja,se pushteti, prandaj ajo sot më shumë se kurrë duhet të jetë e sinqertë me veten e saj, me fëmijët e saj, me familjen e saj, por mbi të gjitha me gratë shqiptare, me ato gra shqiptare që kanë një muaj që luftojnë për shtëpitë e tyre dhe për djersën e ballit të tyre dhe të burrave të tyre.

Prandaj Arta Markut i bëj thirrje si grua dhe si nënë: Mos hezito përballë Damian Gjiknurit, i cili lidhjet e tij janë të drejtpërdrejta me offshorin për vjedhjen e 20 milion eurove, mos hezito ndaj Afrim Qendros ku e ke me zë dhe me figurë në emisionet televizive, që mbron projektin e Unazës së Re duke reklamuar kompaninë amerikane, që sot është Fake. Mos hezito që të marrësh të pandehur dhe mos ja mbyll çështjet Edi Ramës, kokës së këtij projekti, të cilat këto para nuk dimë se çfarë do përdoreshin. Por hetoje si burrneshë, nëse je burrneshë, sepse sot ke shansin për tu dhënë emër grave dhe vajzave shqiptare. I bëj thirrje kryeministrit në ikje, Edi Rama të anullojë urgjent tenderin famkeq të unazës së re.  Ja ku i ka paratë e studentëve, 40 milion euro.  Të rregullojë godinat e studentëve. Nuk kanë nevojë studentët tanë për projekte 3dimensionale. Studentët tanë janë brezi më inteligjent, të cilët në kushtet e tmerrshme, mungesë laboratorësh, mungesë librash, përballje taksash dhe tarifash të larta. Përballen çdo ditë dhe i mbijetojnë dijes duke luftuar për ta përfituar atë deri në pikën e fundit. Sepse ata e kanë kuptuar që sot është përgjegjësi kombëtare të jesh një student dhe të jesh një student i ekselencës jo vetëm në nota, por edhe në vlera.

Tenderi i Unazës së Re duhet anulluar urgjent, ose përndryshe e gjithë opozita do t’i bashkohet banorëve të Unazës së Re. Jo me deputetë, por me anëtarë dhe me thirrje. Kërkesat e studentëve duhen marrë parasysh. Nuk ka nevojë as të çojmë deputetë tek studentët, por dimë të themi që opozita nuk do të ndalet, do të dalë dhe ajo në rrugë për të kërkuar të drejtat e studentëve.

Edi Rama duhet t’i bëjë llogaritë mirë, sepse nuk janë vetëm studentët në lojë. Janë naftëtarët që i gënjeu. Janë minatorët që i mashtroi. Janë mjekët dhe infermierët që i gënjeu dhe i tha do t’iu rris pagat me 20%, dhe nuk ua ka rritur as 6%. Janë bizneset që iu tha do t’iu ul taksat dhe iu ka rritur taksat. Janë shqiptarët që iu tha do t’iu rris pagat. Por jo vetëm nuk iu rriti pagat, por iu rriti dritat, ujin, taksat, taksa prone, taksë të Edi Ramës, taksë të Ben Ahmetajt, taksë të Lindita Nikollës. Në rrugët e Tiranës nuk janë studentët Edi Ram, por janë fëmijët e shqiptarëve që të urrejnë ty. Nuk të urrejnë ty si njëri, nuk të urrejnë ty si baba, as si bashkëshort dhe as si djalë. Por urrejnë simbolin tënd politik, atë që ti përfaqëson, krimin, grabitjen dhe zhvatjen që iu bën të varfërve shqiptarë.

Edi Ramën nuk e kemi armik si njeri, Edi Ramën e kemi armik si simbol të urrejtjes që ka ndaj shqiptarëve. Edi Rama duhet të kuptojë njëherë e përgjithmonë,  jo Edi Rama si njeri po e them përsëri, por Edi Rama si fenomen. Edi Rama duhet ta kuptojë që shqiptarët duan të jetojnë të lumtur në Shqipëri. Edi Rama duhet ta kuptojë që shqiptarët i duan fëmijët e tyre. Dhe për fëmijët e tyre japin jetën. Edi Rama duhet ta kuptojë që shqiptarët e duan shtëpinë e tyre, dhe sakrifikojnë për ta ndërtuar, zbukuruar dhe pastruar shtëpinë e tyre. Sepse kanë gra nikoqire, punëtore dhe me vlera. Vlerat e grave të tyre nuk do t’i lejojnë që t’i përdhosi njeri. Edi Rama duhet ta kuptojë që ne nënat dhe gratë shqiptare do bëjmë çdo gjë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Sepse fëmijët tanë janë dinjiteti ynë, janë vazhdimësia jonë, janë e ardhmja e këtij kombi. Sepse fëmijët e shqiptarëve janë ata që do të vazhdojnë të valëvisin flamurin shqiptar.

Unë jam koshiente dhe e di që në këto 27 vite tranzicion politika nuk i ka pasur mundësitë për të bërë çdo gjë. Qoftë për faj të saj, qoftë edhe për faj edhe të rrethanave që ajo është gjendur. Por unë mendoj që sot më shumë se kurrë politika dhe populli duhet të jenë të gjithë bashkë, duhet të jetë populli ai që duhet te fitojë nga politika dhe jo politika nga populli, duhet të jenë shqiptarët që duhet të fitojnë nga politika dhe jo politika nga populli. Rasti i denoncimit të Unazës së Re është standardi i ri që do të vendoset midis politikës dhe qytetarëve, standardi i Unazës së Re do të jetë ai standard ku politika nuk bën protesta për përfitimet e saj, por politika i shërben kauzës për ti dhënë shans dhe mundësi qytetarëve të tyre.

Sot, është fillimi i punës tonë, Lëvizja Socialiste për Integrim përveç Këshillave Bashkiak që do të ketë gratë dhe vajzat në lista, do të jenë edhe kandidate për kryetare, të cilat do të jenë kandidatet dinjitoze, ashtu si gjithmonë ne jemi prezantuar denjësisht me gratë dhe vajzat tona. Ne besojmë tek gratë, jo vetëm se unë jam një kryetare grua, por besojmë si filozofi politike tek gratë, sepse gratë janë ato që ndërtojnë familjen, janë ato që mbajnë familjen, nëse një grua ka aftësinë për të mbajtur familjen dhe për ta rritur atë, e ka aftësinë për ta drejtuar një Bashki, e ka aftësinë për të drejtuar një institucion dhe e ka aftësinë për të drejtuar dhe udhëzuar fëmijët e saj në rrugën e drejte, sepse nuk ka nënë që do ti çojë fëmijët e saj në rrugën e gabuar. Të gjitha nënat i duan fëmijët e tyre që ti shikojnë të lumtur, të begatë dhe me vlera.

Ta bëjmë Shqipërinë si shtëpitë tona, ta bëjmë Shqipërinë siç thonë edhe amerikanët “Home Sweet home”, ta bëjmë Shqipërinë ashtu siç themi, që të kthejmë shqiptarët të punojnë, ta ndryshojnë, ta ndërtojnë. Sepse jemi një vend i bekuar, në një zonë shumë  të bukur, që për shkak të pozicionit gjeografik edhe jemi masakruar. Por ta kthejmë këtë pozicion gjeografik në një vlerë dhe avantazh për ta kthyer Shqipërinë në qendrën e botës, ashtu siç i takon që të jetë. Me këta djem dhe vajza, me gratë tona, dhe me të gjithë shqiptarët punëtorë, unë jam e bindur që e ardhmja e Shqipërisë do të jetë e ndritur dhe e begatë, sepse kjo është e vetmja mënyrë për ta ndryshuar këtë realitet.

Sot unë ju falënderoj me zemër. Ju falënderoj me zemër sepse të gjitha ju më keni dhënë shansin dhe mundësinë për të krijuar opinionin e duhur qe gratë ndryshojnë botën. Dhe kur gratë ndryshojnë botën jam e bindur që shumë shpejt do ta ndryshojnë edhe Shqipërinë tonë të vogël. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse ti lutem Zotit t’iu ruajë ju dhe familjet tuaja. T’i lutem Zotit të na japi forcë që të përballojmë sfidat që kemi në familje dhe në shoqëri. Sepse të dyja këto sfida janë sfida të grave dhe të nënave, janë sfida e vajzave të reja për të ndryshuar shoqërinë dhe është sfida e një nëne për t’i dhënë forcë dhe pasion fëmijëve të tyre për të protestuar dhe për ta ndryshuar këtë realitet të hidhur. Zoti ju ruajtë ju dhe familjet tuaja, Zoti i ruajtë shqiptarët.

SHKARKO APP