Skandal, paditen 34 deputetë të PD-LSI. Prokuroria heton Basha-Kryemadhi

Prokuroria ka nisur procedime penale për thuajse gjithë deputetët e opozitës, pas padive të bëra nga Policia e Shtetit. Komisariatet në Tiranë, Lushnjë, Elbasan dhe Kurbin kanë referuar materiale për hetim në gjendje të lirë për gjithsej 34 deputetë, duke përfshirë edhe krerët e koalicionit opozitar, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Bashkë me deputetët në listë janë edhe 60 qytetarë që ishin pjesë e protestës, si dhe kreu i bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu dhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi. Zyrtarisht gjithë grupet parlamentare të opozitës janë nën hetim për protestën e zhvilluar ditën e enjte në disa qytete të vendit. Policia e Shtetit, në njoftimin për mediat, ka referuar në Prokurori dy vepra penale, pjesëmarrje në “Tubime të paligjshme” dhe “bllokimi i rrugëve’. Nëse prokuroria do të dërgojë dosjen në gjykatë, sipas asaj që parashikon Kodi Penal, krerët e opozitës dhe deputetët e PD dhe LSI rrezikojnë dënime deri në 3 vite burg ose më e pakta gjobë. Një zhvillim i tillë, që sipas mazhorancës është zbatim korrekt i ligjit, nëse kthehet në fakt nënkupton luftë dhe përplasje totale politike në vend.

Ende nuk ka një vendim zyrtar të prokurorisë se në çfarë faze janë hetimet, dhe nëse do të dërgohen në gjykatë, por sinjali është dhënë. Opozita po kërcënohet me dyert e burgut.

Vendimi i policisë dhe veprimet e prokurorisë janë një hap që thellon konfliktin në vend duke i futur proceset politike në një spirale të paimagjinueshme. Kur gjithë strukturave drejtuese të opozitës u tregohet dera e burgut, në vend që të eliminohen protestat, ato vetëm sa do të shtohet. Vendimi i prokurorisë dhe policisë, nuk ka bërë asgjë më shumë sesa i ka hedhur benzinë zjarrit të protestave që kanë nisur gjatë ditëve të fundit. Madje dhe koha kur janë bërë paditë, duket sikur i nxit më tepër ato. Procedimi penal për shkelje të ligjeve për mitingjet mund të ishte bërë ndaj opozitës që ditën e enjte, ku u zhvilluan protestat dhe u bllokuan rrugët. Gjatë ditëve të fundit deputetë të PD dhe LSI kanë deklaruar se do të kalojnë në forma të tjera reagimi duke bllokuar fizikisht kryeministrin dhe ministrat që të hyjnë zyrë. Paditë synojnë t’i trembin duke u kujtuar ligjin. Me këtë lëvizje ligjore, mazhoranca duket se po kërkon të frenojë tubimet e radhës. Gjithashtu synon të jap dhe një mesazh për qytetarët, pasi kur paditën ligjvënësit që kanë imunitet politik, paditë për qytetarët nuk përbëjnë me lajm. Kjo strategji, në fakt, mund të prodhojë efektin e kundërt. Jo vetëm e komplikon situatën, por mund të sjellë një reagim edhe më të madh qytetar ndaj mazhorancës.

Pas kësaj opozite ka të drejtë për skenarë me të egër. E keqja mbetet se nuk dihet fundi i kësaj historie, pasi duket se përplasja do jetë finale mes palëve në javët e ardhshme. Kreu i PD-së, Lulzim Basha reagoi dje për zhvillimet nga prokuroria. Sipas tij, procedimi penal është prova që kryeprokurorja Arta Marku është vënë nën shërbimin e plotë të Edi Ramës. Kreu i PD-së tha se beteja dhe protestat do të vazhdojnë, ndërsa shtoi se qeveria nuk mund t’i arrestojë dot të gjithë protestuesit. I ashpër në reagim pas padive ishte dhe kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili. Ai akuzoi Prokurorinë duke e cilësuar si një zyrë të qeverisë dhe Edi Ramës, e cila lë të lirë trafikantët e hashashit dhe kokainës , ndërsa heton deputetët e opozitës. Vasili shtoi se kur prokuroria nuk heton krimin, por arreston qytetarët e Kukësit që protestojnë, atëherë ky institucion e ka humbur besimin e popullit.

Zhvillimet e djeshme nga policia dhe prokuroria vijnë në momentin kur opozita ka nisur mosbindjen civile. Të martën është protesta e radhës e partive opozitare, e cila parashikohet të jetë jo vetëm me bllokime rrugësh.

Situata politike po radikalizohet. Palët po shkojnë me vrik drejt përplasjes.

Qamil Xhani

SHKARKO APP