Skenari i opozitës, pas bllokimit të rrugëve radhën e ka kryeministri
Protestat e opozitës dhe qytetarëve pritet të mos zhvillohen vetëm pika të ndryshme të vendit duket bllokuar rrugët. Skenari i opozitës është që pas tubimeve me tregtarët, të zhvillohet një protestë e madhe para kryeministrisë.
Deputeti i PD-së, Ervin Salijanji paralajmëroi sot një tubim të madh të opozitës para godinës së Kryeministrisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Deputeti i opozitës deklaron se qytetarët po i bëjnë thirrje Edi Ramës dhe qeverisë që të reagojnë dhe në momentin që nuk ka asnjë reflektim, përgjegjësia për atë që do të ndodhë është e qeverisë.
”Nuk ndalet protesta në asnjë ditë pavarësisht formave si protestohet. Protesta do vijë duke u përshkallëzuar dhe rritur, këto janë forma të ndryshme të të protestuari. Do akumulohet i gjithë shpërthimi i qytetarëve dhe protesta, sipas vendimmarrjes, kulmon te Kryeministria. Nëse kryeministri nuk reagon, padiskutim që protesta kulmon përpara përgjegjësit të kësaj situate. Mosbindja civile ishte bllokimi i rrugëve, në katër pikat ku ishin mbi 2 mijë qytetarë”,-tha në studion e ”Report TV”.
Deputeti i PD-së Salijanji përdori fjalën “kulmon” pa dhënë detaje se çfarë nënkupton opozita me kulm. Bllokimi i rrugëve, protesta në Kukës si dhe përballja me policinë kanë qenë disa nga metodat që opozita ka përdorur deri më sot për të reaguar dhe shprehur mosbindjen civile. Ndërkohë që “kulmi” i tubimeve mund të jetë dhe përplasja mes qytetarëve dhe forcave të rendit, apo dhe rrethimi i kryeministrisë. Ky është një nga disa variantet e skenarit që opozita ka për protestat. Ndërkohë që deputetët e opozitës kanë deklaruar ditë më parë se do të tentojnë edhe bllokimin e ministrave dhe kryeministrit, duke mos i lejuar të hyjnë në zyra.
Ditën e sotme mijëra tregtarë në gjithë vendin hynë në grevë kundër qeverisë. Në shenjë proteste për rritjen e taksave biznesi i vogël mbylli për një ditë qepenat. Protestës së tregtarëve ju bashkuan dhe deputetët e opozitës. Opozita deklaron se tubimet do të vazhdojnë me intensitet edhe ne ditët në vijim.