Sokol Dervishaj i diplomuar në “King’s College” dhe specializuar në Harvard
Ilir Meta përsëri hodhi hapin për të ndryshuar qeverisjen qendrore. Pas Ylli Manjanit një ministër i ri, karizmatik dhe shumë profesionist e mbi të gjitha i vendosur për të respektuar ligjin nga cilido zyrtar, dje LSI-ja bëri edhe një hap tjetër pozitiv në përmirësimin e imazhit të qeverisjes së majtë. Pas një pune tre vjeçare të ministrit Haxhinasto, i cili u falenderua edhe nga kryeministri Rama për bashkëpunimin e shkëlqyer, Ilir Meta vendosi të propozojë Sokol Dervishaj, një zyrtar me eksperiencë në administratën e shtetit, skrupuloz në zbatimin e programit qeverisës dhe korrekt me ligjin.
Sokol Dervishaj është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Master në Studime Ndërkombëtare në “King’s College” (Londër), Studime Strategjike në Kolegjin Mbretëror Të Studimeve të Mbrojtjes (Londër), ka ndjekur Kursin e Nivelit të Lartë në Kolegjin Mbretëror të Shkencave Ushtarake (Britani e Madhe), Politika Publike në Shkollën e Qeverisjes të Universitetit të Harvardit.
Ai ka ndjekur Programin e Marrëdhënieve Trans-Atlantike të “German Marshall Fund” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe Programin e Lidershipit të Vizitorit Ndërkombëtar të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Pra një zyrtar që njihet për vendosmërinë dhe qetësinë, njëkohësisht, profesionalist në drejtimin e punëve shtetrore, me një CV për ta patur zili kushdo që shkruan kundër tij me inate krahinore apo qejfmbetje ndaj kreut të parlamentit, ai dje është emëruar ministër dhe priten formalitet parlamentare për të filluar punë si drejtues i një dikasteri problematik.
Ilir Meta ka futur në qeveri vitin e fundit Ylli Manjanin dhe Sokol Dervishaj, dje, duke sjellë frymë të re në hapin e administrimit të pushtetit qendror, frymë e cila ka nevojë që të ndiqet, realisht, edhe nga vetë PS. Edhe PS-ja ka plot emra që mund të zëvëndësojnë disa ministra socialistë të cilët janë lodhur apo kanë manifestuar paaftësi apo edhe janë akuzuar rëndë për korrupsion.
Natyrisht që kjo mbetet në kompetencën e kryeministrit Rama për ndryshime të tjera në kabinet, por deri sot vetëm LSI po bën de facto premtimin për ndryshime pozitive në kabinet.
Socialistët e thjeshtë dhe sidomos populli në shumicë dërmuese kërkon ritëm tjetër në qeverisje, pra kësisoj edhe lëvizje ministrash të tjerë në qeverinë Rama. Kryeministri duke patur votën e LSI ,duket se edhe në zgjedhjet e ardhshme do të futen bashkë LSI-PS, ka mundësi të ndjehet i fortë përballë një opozite e cila po rritet, porse akoma ka nevojë për pastrim nga vendimmarrja të ish-ministrave, të cilët e çuan në humbje drastike PD-në.
Gjithsesi Sokol Dervishaj është një personalitet në fushën e administrimit të pushtetit në mënyrë shumë korrekte.