Sonte PD-ja ka festë për 22 marsin e vitit 1992 apo ka vendim final kundër kryeministrit?!

Kjo e dielë, 22 mars 2026, e gjen sërish Tiranën në protestë kombëtare nga PD. Berisha ka thirrur një tjetër tubim kombëtar kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, në një seri protestash që janë bërë tashmë të shpeshta në muajt e fundit.

Por pyetja që po shtrohet gjithnjë e më fort, edhe brenda vetë elektoratit opozitar, është e drejtpërdrejtë: çfarë po ndryshon realisht me këto protesta pa ndalesë? Apo ikën Edi Rama apo po lodhen protestuesit?

Përtej pjesëmarrjes dhe retorikës politike, fakti është se protestat e njëpasnjëshme nuk kanë prodhuar deri tani një rezultat konkret politik. Qeveria vijon normalisht, kryeministri nuk ka dhënë asnjë sinjal tërheqje dhe dinamika politike mbetet e pandryshuar. Në këtë kontekst, lind natyrshëm një ndjenjë lodhjeje te mbështetësit: sa herë mund të dalësh në protestë pa parë një efekt të prekshëm?

Swiss Digital Desktop Reklama

Historia politike tregon se protestat e shpeshta, pa një kulm të qartë, rrezikojnë të humbasin forcën. Ato mund të kthehen nga një mjet presioni në një ritual të zakonshëm, ku mobilizimi bie gradualisht dhe mesazhi zbehet.

Swiss Digital Mobile Reklama

Dhe pikërisht ky është rreziku që duket se po afrohet.

Mbetet të shikohet sonte se si do të veprojë PD dhe Berisha. Do të flasin e do “shkaterrojnë” kryeministrin Rama me fjalë, do të marshojnë nëpër rrugët e kryeqytetit dhe do shpërndahen si përherë apo do të ketë vendim final me gjëra konkrete?

Në këtë situatë, shumëkush pret një ndryshim strategjie nga opozita dhe nga lideri i saj, Sali Berisha. Ideja e një proteste finale, një momenti kulmor ku të përqendrohet gjithë energjia politike dhe qytetare, po fiton terren si alternativë ndaj protestave të shpërndara në kohë.

Një skenar i tillë do të nënkuptonte jo vetëm një mobilizim maksimal në rrugë, por edhe forma më të forta presioni politik, si qëndrimi i zgjatur në bulevard apo veprime simbolike të forta nga deputetët opozitarë, deri aty sa të qëndrojnë në parlament ditë-natë, të paktën gjysma e tyre. Por këto janë hapa që kërkojnë jo vetëm vendimmarrje të guximshme, por edhe përgjegjësi të madhe, pasi mund të rrisin ndjeshëm tensionin politik dhe social.

Në thelb, dilema për opozitën është e qartë: të vazhdojë me protesta të shpeshta që rrezikojnë të konsumohen, apo të ndërtojë një strategji të re, më të përqendruar dhe më të fortë, që synon një moment vendimtar.

Sepse në politikë, si në çdo betejë, nuk mjafton vetëm prania në terren. Ajo që bën diferencën është koha, mënyra dhe intensiteti i veprimit. Dhe sot, më shumë se kurrë, opozita duket se është përballë nevojës për të zgjedhur mes vazhdimësisë dhe një kthese të fortë strategjike duke marrë vendimi sonte para popullit në Bulevard.

Por vendimi që kërkon turma popullore kërkon guxim nga lidershipi!

Nëse janë thirrur për të kujtuar 22 marsin e vitit 1992, kur PD rrëzoi komunizmin, me mirë të rrinin në shtëpi dhe ta shikonin në televizor apo në rrjete sociale atë moment historik krenarie të demokratëve.

Nëse ka vendim nga Berisha, ai duhet thënë sonte dhe kryer po sonte!

Ndryshe takohemi në protestën tjetër, si përherë që themi se “Rama u rrëzua”, kurse kryeministri vetëm sa shton pushtet.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ikja e Berishës nga kryetar e dëmton PD apo e shpëton?