Sot Gazeta “Koha Jonë” mbushi 27 vjet!
Gazeta “Koha Jonë” është e para gazetë e pavarur dhe private në Shqipëri, e cila është themeluar me datë 11 Maj 1991 në qytetin e lashtë të Lezhës.
Themelues i saj është Nikoll Lesi. Por gazeta ka patur si bashkëdrejtues të parë gazetarët Nikoll Lesi dhe Zef Shtjefni. Gazeta filloi botimin një herë në javë si gazetë lokale e rrethit të Lezhës, duke u kthyer brenda një viti në një gazetë të kërkuar nga lexuesit, ndërsa në vitin 1994 u bë gazeta më e madhe (tashmë e përditshme) e Shqipërisë duke arritur kulmin në ngjarjet e vitit 1997 në 88 mijë kopje të shitura në ditë. Kryeredaktor i “Koha Jone” në vitet 1996-1997 ishte Ben Blushi.
Po si vazhdoi historia e gazetës së parë të lirë në Shqipëri?
Pas largimit të Zef Shtjefnit në nentor 1991 në redaksinë e parë mbeten gazetarët Marash Mirashi, Alfons Zeneli, Edmond Kaçeli dhe Vera Ivanaj. Në dhjetor 1991 ofrohet dhe një student me emrin Aleksandër Frangaj, i cili me sharmin e tij gazetaresk dhe kurajon e veçantë ra në sy të botuesit Lesi, i cili e ofroi mënjëherë, duke u bërë bashkëpunëtori më i mirë i gazetës.
Në 22 korrik 1992 Nikoll Lesi i fali Aleksandër Frangaj 40 për qind të aksioneve të gazetës, ku avokat i këtij veprimi juridik ishte Spartak Ngjela. Gazeta u bë me stafin më kurajoz e profesionistë në vend. Periudha më e vështirë, por më e sukseshme e kësaj gazete të madhe mbeten vitet 1992-1997, ku jo vetëm ishte një gazetë profesioniste e kurajoze, por u shndërrua edhe në një universitet të medias shqiptare. Gjatë kësaj periudhe media “Koha Jonë” nxori në treg si filiale gazetat “Sport Ekspres” dhe “AKS”.
Ndaj gazetës “Koha Jonë” pati arrestime të kryeredaktorit Aleksandër Frangaj dhe zv/kryeredaktorit Martin Lekaj (31 janar 1994), ndjekje penale kundrejt drejtorit, vendosje tritoli nga segmentet e shtetit dhe krimit në shtëpinë e Nikoll Lesit natën e 1 Nentorit 1995, rrahje e burgosje të gazetarëve nga pushteti i kohës.
Kulmi arriti natën e 2 mars 1997 kur forcat qeveritare qëlluan me armë dhe dogjën krejt redaksinë e gazetës “Koha Jonë”. Gazeta nuk doli në treg për 40 ditë. Në 31 janar 1997 Aleksandër Frangaj vendos të largohet nga pronësia e gazetës dhe ia shet aksionet e tij, të dhuruara nga Nikoll Lesi, po Nikoll Lesit.
Nga viti 1997 deri me datë 7 mars 2007 Nikoll Lesi vazhdon të jetë botues i “Koha Jonë”, pavarësisht qënies së tij deputet i parlamentit të Shqipërisë prej qershorit 1997.
Me 7 Mars 2007 Nikoll Lesi largohet nga media për t’iu përkushtuar politikës si deputet dhe i kalon 100 përqind të aksioneve të gazetës “Koha Jonë” Aleksandër Frangaj. Por surprizat dhe çuditë nuk vonojnë dhe me datë 17 Tetor 2013 Aleksandër Frangaj njofton se heq dorë përfundimisht nga pronësia mbi gazetën “ Koha Jonë”. Nikoll Lesi e rimerr pronësinë e gazetës, të cilën e themeloi në Lezhë në vitin 1991, duke u kthyer në media, falë edhe eksperiencës që krijoi në politikë duke qenë 12 vjet deputet në parlament.
“Koha Jone” është histori e madhe dhe e veçantë e medias shqiptare të pas vitit 1990.
Në multimedian “KOHA JONË” kanë punuar emrat më të mëdhenjë të medias shqiptare: Nikoll Lesi, Martin Leka, Aleksandër Frangaj, Ben Blushi, Frrok Çupi, Teodor Keko, Armand Shkullaku, Andi Bushati, Andi Bejtja, Blendi Fevziu, Fatos Lubonja, Sokol Balla, Filip Çakuli, Arian Çani, Mimoza Dervishi, Adi Krasta, Mimoza Picari, Kiço Blushi, Rezart Xhaxhiu, Anila Basha, Enton Abilekaj, Henri Çili, Rudina Xhunga, Arta Marku, Jonila Godole, Lorenc Vangjeli, Skender Minxhozi, Edi Rama, Bledar Zaganjori, Mentor Kikia, Keida Kostreci, Alfred Peza, Anila Jole, Aleksandër Çipa, Juli Krisafi, Eriona Shehu, Fatos Baxhaku, Arban Hasani, Ilir Babaramo, Esmeralda Gjoka, Vladimir Prela, Gent Shkullaku, Fatmir Meneri, Edi Lesi, Ylli Pata, Alban Dudushi, Sokol Bregu, Roland Qafoku, Gerti Çarçani, Arben Rrozhani, Mikel Janku, Zef Shtjefni, Marash Mirashi, Gavrosh Levonja, Gezim Nushi, Tritan Kokona, Emin Barçi, Auron Sulo, Zamir Alushi, Arben Vata, Erli Murati, Ilir Gjoni, Xhovani Shyti, Enkel Demi, Tonin Çobani, Alfons Zeneli, Edmond Kaçeli, Ylli Dylgjeri, Dritan Kaba, Agim Xhafka, Milto Baka, Vehab Kaba, Adriatik Dosti, Eglantina Nasi, Albina Gjergji, Edmond Arizaj, Manjola Zeka, Roland Zili, Urim Bajrami, Agim Neza e deri Qamil Xhani (kryeredaktor 2015-2018) si dhe plot të tjerë.
Gazeta “Koha jone” është e para gazetë në Shqipëri, e cila u themelua e pavarur dhe e lirë me 11 maj 1991.
“Koha Jone” u përballë me dhunën, arrestimet dhe djegien nga pushteti, pushtete të cilat asnjëherë nuk e kanë patur mirë me “Koha Jone”, pasi ishte gazeta e cila nuk donte miqësi me pushtetet.
Nga dyert e “Koha Jone” kanë dalë pothuaj mbi 70 përqind e drejtuesve, analistëve dhe gazetarëve të sotëm shqiptarë, të cilët janë ndër më të njohurit e tregut mediatik.
Kjo është “KOHA JONE”!
Në foto: Majtas (Aleksandër Frangaj) dhe Nikoll Lesi. 11 maj 1994
Në foto: Zyrat e redaksisë së “KOHA JONE” djegur nga forcat e SHIK-ut dhe Gardës së Republikës natën e 2 marsit 1997
Në foto: Kopertina e Librit “Kështjella e Medias” shkruar nga Nikoll Lesi për historinë e gazetës së parë të lirë në Shqipëri, “KOHA JONE”.