Sot gjenerali i tre kohëve, Rrahman Parllaku, feston 99-vjetorin e lindjes

Ka heronj dhe mbi heronjë, por gjeneral Rrahman Parllaku mbetet mbi të gjithë një hero legjendar i gjallë dhe krenari e brezave.

Rrahman Parllaku, gjeneral në pension, ish- partizan, feston sot 99 vjetorin e lindjes. Zv.kryetari i LSI-së, Luan Rama shkruan se ai është ndër të paktët fitimtarë në tri kohë të ndryshme.

Ai ka qenë partizan në luftën Antifashiste, hero dhe komandant, i persekutuar në komunizëm dhe protagonist në Shqipërinë e ditëve të sotme.

Shkrimi i Luan Ramës si më poshtë për 99-vjetorin e lindjes së Gjeneralit:

Në 99-vjetorin e lindjes:

FITIMTARI I TRI KOHEVE…

Jeta prej heroi e Gjeneral Rrahman Parllakut.

Sot “Heroi i Popullit”, Gjeneral Rrahman Parllaku mbush 99 vjet jetë; jetë në luftë e përpjekje pafund, jetë në sakrifica e privacione, jetë në tri epoka e tri kohë, jetë prej partizani e luftëtari antifashist, jetë prej heroi e komandanti ushtarak, por edhe jetë në ferrin e persekucionit komunist, prej nga na vjen si një feniks, për të qenë ndër ne dëshmitar e protagonist i historisë së Shqipërisë; prej monarkisë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, e prej regjimit totalitar në epokën e lirisë.

Në foto: Gjeneral Parllaku dhe deputeti Luan Rama (djathtas)

Rrahman Parllaku në sagën e vet i ka jetuar të gjitha; mjerimin, luftën, paqen, rritjen e lavdinë, fuqinë e pushtetit, por edhe rënien prej armiqësisë së pushtetit që iu dedikua e i shërbeu me idealizëm, rilindjen e lirinë.

E përmes këtyre dallgëve, shpirti e karakteri i tij mbeti i pandryshuar, me një jetë prej heroi, si pakkush në botën që jetojmë.

Sot ai është fitimtari i tri kohëve e meriton nderim e mirënjohje prej të gjithëve!

Jetë të gjatë me shëndet e gëzime gjeneral Rrahman Parllaku! Pleqëri të bardhë heroi ynë i gjallë!

 

SHKARKO APP