Sot lufta e PS-së në parlament, për të blerë pesë vota opozitare
Sot parlamenti ka ditën e fundit për këtë sesion, pasi deputetët marrin pushimet verore dhe në shtator rifillojnë punimet. Ndaj mazhoranca ka futur një numër të madh projektligjesh për votim, ku më kryesori mbetet ai për Magjistraturën, siç thuhet në zhargonin e përditshëm.
Ky është projektligji që kërkon 84 vota: “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
PS-ja duke parë se po dështon në Reformën në drejtësi, pasi KPK-ja po palos me “sëpatë” gjyqtarë e prokurorë, sidomos ata që nuk janë me PS-në, atëhere mazhoranca po inicion një formulë momentale për t’i zëvëndësuar ata me studentë që dalin nga magjistratura. Opozita akuzon se shkollën e magjistraturës e kontrollon qeveria, ndaj kryeministri kërkon që emërimet në drejtësi ti bëjë Prokurorja e Përgjithshme (për prokurorinë) dhe KLD për gjyqtarët. Kjo sepse KLP ( Këshilli i lartë i Prokurorisë) dhe KLGJ (Këshilli i Lartë i Gjyqësorit) akoma nuk janë ngritur dhe pak gjasa duken se do ngrihen edhe këtë vit. Nëse opozita pranon ta votojë këtë ligj për të kaluar krizën, ajo thotë se gjithë emërimet do jenë të seleksionuara vetëm nga PS-ja, pra do të emërojë njerëzit e Ramës.
PD dhe LSI theksojnë se kryeministri të zbatojë Reformën në Drejtësi dhe nuk ka nevojë për ligje të tilla kalimtare dhe që bëhen për të mbushur radhët e drejtësisë me militantë të PS-së.
Pra edhe njëherë sot flitet për një projektligj i cili kërkon me çdo kusht 84 vota. PS-ja siç dihet ka 74 deputetë+Tom Doshin+3 të PDIU. Pra shkon në 78 deputetë. Shto këtu edhe një deputet që ka braktisur kauzën e opozitës sapo iku nga pushteti në zgjedhje dhe Edi Rama sot ka në rrjesht 79 deputetë. Lufta bëhet për pesë deputetë nga opozita.
PD-ja ka deklaruar prerë se nuk bën asnjë pazar me PS. Monika Kryemadhi është e vendosur se asnjë votë nuk duhet të shkojë për Edi Ramën.
Pra si do ti gjejë pesë vota sot kryeministri? Me pazare, me para cash apo si?
Mbetet të shikojmë deri në darkë!