Sot Opozita në bulevard, kurse Rama iku në Skrapar
Dita e sotme është planifikuar nga opozita si dita e përballjes me qeverinë. Në orën 11:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së kryeministrit, opozita ka planifikuar të mbledh me dhjetra mijëra protestues kundër qeverisë. Pasi disa muajsh heshtje, protesta e sotme sipas opozitës, do të jetë më e madhja e dekadave të fundit në demokraci. Prej një jave PD, LSI dhe aleatët e tjerë të frontit opozitar kanë punuar me strukturat për të pasur një pjesëmarrje masive, bile thonë drejtuesit, do të jetë drithëruese për kryeministrin.
Në çdo protestë politike në Shqipëri frika më e madhe është kalimi i saj nga tubim paqësor në një përplasje të dhunshme me forcat e rendit. Mjafton një provokim i njërës prej palëve dhe mitingu nga demonstrim politik kthehet në fushë-betejë. Tensionet në protesta zakonisht kanë ardhur nga lideri që prin qytetarët në shesh, ose nga pala kundërshtare që ka provokuar nga dritaret pas kryeministrisë. Edi Rama dhe një pjesë e kabinetit qeveritar do të jenë sot në Skrapar në kuadër të turit për “Bashkëbisedimin me qytetarët”. Në PS thonë se largimi i qeverisë nuk është shenjë frike, por vizita në Skrapar ishte programuar disa javë më parë. Cilado qoftë arsyeja largimi i kryeministrit duket se është vendimi më i matur para një proteste, e cila nuk dihet se si do të përfundojë, nisur nga revolta e cila mund të dalë jashtë kontrollit. Qëndrimi i tij në zyrë pas orës 11:00 do të ishte një arsye më shumë që demokratët të tentonin të kalonin gardhin e Kryeministrisë. Interesant është simbolika që Rama ka zgjedhur për “bashkëbisedimin”. Rama ka shkuar në një zonë si Skrapari që prej shumë vitesh se nuk është më e PS dhe as e PD, por e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ish-aleati i PS. Simbolika e kryeministrit shkon edhe më tej, nëse i referohemi të kaluarës. Në zonën e Skraparit gjatë viteve të komunizmit ndodhej dhe një nga bunkerët më të siguritë për udhëheqjen, i projektuar për strehimin e qeverisë në rast se Tirana sulmohej.
A thua e ka menduar këtë fakt kryeministri Rama, nëse ndodh gjë në Tiranë?! Edhe nëse jo Rama, janë ministrat që kanë marrë me vete rroba, ushqim për strehim disa ditor, roje, si dhe kanë larguar plaçkat e shtrenjta nga shtëpitë. Bile një ministër biznesmen ka larguar familjen nga Shqipëria si dhe ka përgatitur dy foristrada për të kaluar maleve për Selanik.
Mësohet nga korrespodenti “Koha Jone” për atë zonë luftarake se janë pastruar bunkerët, të cilët prej kohës së Enver Hoxhës nuk ishte vënë dorë. Po kështu dy helikopterë ndodhen në atë zonë të mbushur mirë me karburant për shtegtim të gjatë.
Ndërkohë Lulzim Basha dhe deputetët e PD deklaruan dje se tubimi do të jetë civil dhe në protestë do të marrin pjesë me familjen duke dhënë mesazhin e një mitingu të ngjashëm me një shëtitje. Drejtoria e Policisë së Shtetit publikoi një plan të detajuar masash me mbi 1500 forca policie në terren, por mësohet se janë angazhuar mbi 7 mijë forca policie. Agjentë të SHISH, antiterror dhe gjithë repartet speciale prej disa ditësh janë vënë në lëvizje për të mos lejuar incidente që të përshkallëzojë situatën. Si rrallë herë, Drejtoria e Policisë njoftoi se në këtë protestë do të ketë dhe përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë që do të monitorojnë situatën. Është një procedurë e re e sigurisë, ku ekspertë të huaj do të vëzhgojnë protestën, por edhe sjelljen e policisë. Një masë e tillë është garanci që policia dhe protestuesit të mos provokojnë njeri-tjetrin dhe jo pasi të bëhet sherri të kërkojnë fajtorin. Një tjetër detaj që tregon se PD ka planifikuar vetëm parulla dhe fjalime është dhe kohëzgjatja e protestës. Deri dje në mbrëmje, PD kishte paralajmëruar se protesta do të vazhdojë gjithë ditën. Dje pasdite në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, selia blu dërgoi një kërkesë ku kërkonte vetëm katër orë leje për bllokimin e bulevardit kryesor.
Ndërsa LSI i mbetet vendosmërisë së saj se duhet larguar sot kryeministri Rama dhe krejt qeveria. Forca rinore LRI do të jetë në ballë bashkë me të rinjtë e PD-së për të shprehur revoltën e tyre qytetare kundrejt kryeministrit.
Skenari për sot nuk dihet nga shumë veta, ndaj pritet se si do të veprojnë lidershipi dhe protestuesit përballë kryeministrisë, aq me tepër se vëzhgues amerikanë dhe të BE janë në shesh para kryeministrisë duke vrojtuar.
Sot flitet se ka një skenar për rrëzimin e qeverisë, por asnjë nuk e di. Mbetet të shikohet pas fjalës së Lulzim Bashës se si do të veprojë turma përballë zyrës së Edi Ramës.
Qamil Xhani