Sot protesta e studentëve, më e madhja në 28 VITE

Ditën e sotme studentët pritet të organizojnë protestën më të madhe që është mbajtur gjatë gjithë historisë së pluralizmit shqiptar. Pas 6 ditë tubimesh të mëdha para Ministrisë së Arsimit dhe refuzimit të Edi Ramës për të plotësuar kushtet e tyre, studentët kanë vendosur të hidhen në aksionin final duke mbledhur në Tiranë numrin më të madh të protestuesve nga gjithë vendi. Në njoftimin që kanë shpërndarë në rrjetet sociale, studentët dhe gjithë grupimet rinore që marrin pjesë në protestë kanë njoftuar se sot në shesh është thirrur gjithë Shqipëria. Apeli për t’ju bashkuar u është bërë maturantëve të gjimnazeve të Tiranës, të cilët janë shumtë në numër dhe pritet të vijnë në mënyrë masive. Në protestë sot janë thirrur dhe studentët nga universitetet e tjera në vend. Këshillat studentorë në Shkodër, Elbasan, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër kanë konfirmuar se veç tubimeve që zhvillojnë në universitet e tyre do të dërgojnë një numër të madh studentësh për të protestuar në Tiranë. Në gjithë vendin llogariten rreth 130 mijë studentë. Një shifër kjo e mjaftueshme për të bërë jo protestë, por revolucion. Ndërkohë protesta e studentëve tashmë është e hapur për qytetarët dhe kategoritë e tjera sociale që protestojnë. Pas tubimeve shembullore, qëndresës ndaj përçarjes dhe sulmeve të qeverisë, studentët kanë fituar simpatinë e gjithë Shqipërisë. Ndaj sot në protestë nuk do të ketë vetëm të rinj, por edhe prindër e qytetarë të shumtë të Tiranës dhe gjithë rrethet që mbështesin kauzat e tyre të drejta. Pjesëmarrja pritet të jetë massive, por për të shtuar mbështetësit e protestës dhe reagimin mbarëpopullor, ironikisht ka “ndihmuar” vetë qeveria dhe Kryeministri Edi Rama. Që nga dita e parë e protestës, të hënën e kaluar, kryeministri Edi Rama nuk i mori seriozisht studentët. Fillimisht u tallë duke thënë se nuk fliste as dhe jepte para për ca “ngelësa” në provime. Më pas, kur pa se të rinjtë e kishin seriozisht protestën dhe kërkesat e tyre u përpoq ti joshte më gjysmë premtime dhe me gjysmë lëshime për ato që ata kërkojnë. Njëkohësisht me ato që ai i cilësoi plotësim kërkesash, qeveria nisi një fushatë, sa të pandershme aq edhe të rrezikshme, për provokimin e studentëve. Thuajse çdo ditë në grupin e madh të protestuesve ka provokime nga të rinjtë të Partisë Socialiste dhe forumit rinor FRESSH. Shembulli më i qartë ishte dëbimi nga protesta i banorëve të “Astir”. Ndërkohë vet studentët pranojnë se ndaj tyre ka pasur presione të vazhdueshme dhe oferta korruptive për të ndryshuar qëllimet e protestës dhe për të zbutur reagimet ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë. Për shkak se protesta e studentëve organizohet jo nga një, por disa organizata studentore, këshilla studentorë dhe forume jo politike të rinjsh, qeveria është përpjekur të fusë pedagogë dhe gjasme aktivistë të ndryshëm të ndonjë organizate politike për të devijuar protestën për të dobësuar rezistencën e studentëve. Fakti është se tubimi nuk është thirrur nga një organizatë dhe aq më pak nga tre katër emra që dalin çdo ditë në mediat qeveritare dhe flasin në emër të studentëve. Ajo që po ndodh këto ditë është një lëvizje historike dhe një reagim i gjithë studentëve që nuk pranojnë as të përdoren dhe as të organizohen nga të tjerë, por kanë zgjedhur vetë të japin modelin e një protestë qytetare. Në një javë proteste studentët treguan se jo vetëm dinë të kërkojnë të drejtat e tyre, por edhe të sjellin shpresë dhe mesazhe reagimi në gjithë shoqërinë shqiptare.

Dhe efekti i parë dhe më i qartë i protestës së studentëve u pa dje. Në Shkodër, Lezhë, Kavajë dhe Tiranë, mijëra qytetarë dolën në rrugë për të protestuar. Gjatë viteve të fundit ka pasur mjaft protesta, por ajo që binte në sy dje ishte se protestat e qytetarëve kishin kërkesat ekonomike për qeverinë dhe që shqetësojnë gjithë shqiptarët. Ulja e çmimit të naftës dhe ulja e taksave janë vetëm dy më kryesoret, që tregojnë se në gjithë vendin po zgjohet nervi i reagimit qytetarë. Ndaj shërbimi që i bën studentët vendit është shumë më i madh sesa një protestë e thjeshtë. I bënë qytetarët të kuptojnë se pa lëvizur dhe pa protestuar asgjë nuk ndryshon. Pas këtyre qyteteve  pritet që protesta të ngjashme të ketë në gjithë vendi, duke e kthyer dhjetori në muajin e protestive.

Por kryeprotesta ku i ka sytë gjithë vendi është ajo e studentëve. Sot pritet pjesëmarrja më e madhe e qytetarë në sheshin e Tiranës. Është një protestë që do të shkruajë historinë.

Sot do jenë edhe nxënësit e shkollave të mesme të Tiranë që do të dalin bashkë me studentët, pasi nesër do jenë edhe këta studentë që do të kenë këto halle ekonomike,  për të cilat po protestojnë studentët.

 

SHKARKO APP