SPAK: “Ka prova se u kërcënuan dëshmitarët”. Largohen prokurorët nga mbledhja
Këshilli i Mandateve u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të zv.kryeministres Belinda Balluku. Prokuroria u përfaqësua nga drejtuesi Klodian Braho dhe prokurorët Dritan Prençi e Dorina Bejko, ndërsa Balluku nga avokatët e saj.
Mbledhja nisi me tensione politike, pas kërkesës së opozitës për zhvillimin me dyer të hapura. Debati u përqendrua te faktet konkrete që justifikojnë masën e arrestit dhe te pretendimet për kërcënim dëshmitarësh. Një pjesë e diskutimeve u bë publike nga përfaqësues të opozitës, ndërsa burime nga mbledhja sqaruan se referenca për “të fortë” nuk i përkiste elementëve të krimit të organizuar, por personave pranë kabinetit.
Çfarë është në lojë juridikisht?
Heqja e imunitetit parlamentar nga Kuvendi i Shqiperise do t’i hapte rrugë gjykatës për të vendosur masa sigurie: arrest me burg, arrest shtëpie ose kontrolle banese. Nëse imuniteti nuk hiqet, procedimi penal vazhdon, por masa shtrënguese nuk mund të zbatohet.
Ndërkohë, diskutohet edhe për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale që kërkojnë 84 vota, të cilat kufizojnë mundësinë e pezullimit nga detyra për funksionarë të lartë si presidenti, kryeministri, zëvendëskryeministri apo ministrat. Kjo e shton dimensionin politik të procesit.
Prokuroria pretendon ekzistencën e veprave penale dhe rrezikut procedural (ndikim te dëshmitarët, prishje provash). Mbrojtja argumenton se nuk ekziston rrezik arratisjeje apo cenimi të provave dhe se zv.kryeministrja ka bashkëpunuar me hetimin.
Në sfond qëndron edhe hetimi për tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe.
Gjatë paraqitjes së kërkesës për autorizimin e arrestimit, përfaqësuesit e SPAK janë shprehur se: “Në situatën kur i kërkuar masa e parë ndaj znj. Balluku rrezikonte deri në 10 vite burg; sot që flasim situata e saj është rënduar, dhe me akuzat e prokurorisë në këtë moment znj. Balluku rrezikon deri në 35 vite burg”.
Deklarata u bë para deputetëve anëtarë të Këshillit, si pjesë e argumentimit të prokurorisë për ashpërsimin e akuzave dhe për nevojën e një mase më të fortë sigurie për të cilën parlamentit i kërkohet autorizim për arrestim.
Numri dy i qeverisë është e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për tenderin loti 4 Unaza e Madhe.
SPAK njoftoi se po e heton Belinda Ballukun edhe për disa procedura të tjera, çka e rëndon ndjeshëm pozitën e saj përballë drejtësisë.
“Shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:
“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, thuhet në kërkesën e SPAK.
Ndërkohë Ulsi Manja tha se masat e marra deri tani nga SPAK për numrin dy të qeverisë, janë të mjaftueshme.
“Masat e marra nga SPAK deri tani per Ballukun janë te mjaftueshme për hetimin”, tha Manja.
Sakaq, opozita kërkoi që Kuvendi të japë autorizimin për arrestimin e saj.
Prokurori i SPAK ka deklaruar në mbledhje:”Përveç personave të fortë, të dyshuar të përfshirë në krim, por që po hetohet; intimidimi ka ndodhur edhe nga zyrtarë publik, kabineti i ministres, që ka kërcënuar apo tentuar t’i korruptojë dëshmitarët. Nuk japim më shume të dhëna sepse e kemi nën hetim dhe mbrohet nga sekreti hetimor”.
KOHA JONË SONDAZH

