SPAK, ku je?! Një korrupsion i madh qindra milionë euro po përgatitet mes qeverisë dhe biznesmenit Ndue Kola

“Korrupsioni është i lartë” thonë ndërkombëtarët, “korrupsioni duhet ndëshkuar” deklaron ambasadorja amerikane Yuri Kim, “korrupsioni është gangrenë e Shqipërisë” thotë populli; por duhen emra që të arrestohen. Të gjithë jemi dëshmitarë të korrupsionit në koncensione, në PPP, në tenderime, në leje ndërtimi, etj. Që prej katër vitesh janë publikuar fakte, video, dëshmi, shkresa për korrupsionin galopant në qeverisje, por akoma nuk po shikojmë pranga zyrtarësh të lartë. Asnjë ministër apo biznesmen pranë qeverisë nuk po arrestohet, ndonëse buxheti i shtetit po paguan gjyqet që fitojnë ndaj qeverisë disa biznesmenë të fuqishëm.

Ka vite që ka filluar një lojë djallëzore për të fituar para të “pastra” me vendime gjykatash, sidomos me ato ndërkombëtare, të cilat janë të pa apelueshme. Qeveria shqiptare humbi gjyqin me biznesmenin italian Francesco Becchetti në shuma mbi 135 milionë euro, të cilat nga vonesat në pagesa do rriten për buxhetin e shtetit shqiptar. Po kështu opozita ka dhënë fakte dhe ka kërkuar nga SPAK që Avokatura e Shtetit po bën shkresa me hile në gjykata ndërkombëtare që ti fitojnë gjyqet kompanitë ndaj qeverisë shqiptare, ndërkohë Avokatura e Shtetit ka detyrë të mbrojë interesat e Shtetit Shqiptar.

Akuzat janë shumë të ashpra ndaj kësaj metode, aqsa shkohet nga opozita deri atje sa flitet se vetë ministra të caktuar bëjnë marrëveshje me firma të ndryshme që kanë marrë koncensione apo kontrata qindra milionë euro, që u thonë po biem dakort që ta prishim kontratën dhe ti na hidh në gjykatë arbitrazhi ndërkombëtar dhe e ke të fituar. Dhe paratë paguhen nga buxheti i shtetit shqiptar. Pazari mbetet se ndajnë paratë përgjysëm; gjysmën zyrtari i lartë , ai që urdhëron për prishje kontrate dhe pjesa tjetër shkon në llogaritë e biznesmenit që iu prish kontrata.

Pra këto janë marrëveshje mafioze me paratë e buxhetit të shtetit, pasi edhe kur të humbas PS-ja në zgjedhjet e 25 prillit 2021, përsëri qeveria e re do jetë e detyruar ti paguajë eurot e gjyqit ndërkombëtar. Pra edhe kur të kalojnë në opozitë do kenë qindra milionë euro për të marrë dhe ndarë me njeri tjetrin!

Po kështu qeveria shqiptare ka prishur dhe po prish disa kontrata koncensionare me firmë e vulë, natyrisht në bashkëpunim mafioz me firmat, dhe fitojnë dy herë qeveritarët. Hera e parë në bashkëpunim me firmën që bien dakort t’ju prishet kontrata në mënyrë të paligjshme dhe hera e dytë marrin prapë para korrupsioni me firmën tjetër që ia japin koncensionin e atij që i prishet.

Pra miliona euro me dy duar!

Sot na ka rënë në dorë një dokument sekret (dalë nga një burim serioz nga brenda ministrisë), firmosur nga ministrja e Transportëve, Belinda Balluku (të cilin nesër në gazetën KOHA JONE do publikohet e plotë). Nesër gazeta do të publikojë foto e shkresa për këtë që po përgatitet mes biznesmenit të kompanisë ANK shpk dhe qeverisë shqiptare.

Pra duket se kanë rënë dakort palët; biznesmeni që ka fituar koncensionin e rrugës Milot-Balldre (Lezhë), Ndue Kola dhe qeveria, pra që biznesmeni të hesht, ndonëse ka gjetur kredinë 100 milionë euro. Ministrja do të nis shkresën finale se koncensioni prishet dhe me sa duket po i jepet një kompanie të huaj, greke, ku është lidhur një pjestar i lartë i Rilindjes. Me shkresën që do nis ministrja Balluku pala e firmës ANK shpk do bëjë padi në gjykatën ndërkombëtare të arbitrazhit, ku natyrisht do të fitojë qindra milionë euro dëmshpërblim, pa bërë asnjë punë, dhe më pas biznesmeni do t’i ndajë me pazarxhinjtë në qeveri. Ndërkohë biznesmeni Ndue Kola, hesht, dhe bën si i mërzitur që po ia prishin koncensionin në mënyrë të njëashme qeveria, pasi me atë kontratë koncesionare dhe me kredinë 100 milionë euro që ka siguruar me shkrim, ai e fiton gjyqin ndërkombëtar.

Pra fiton gjyqin me hile ligjore, merr qindra milionë si dhe më pas fiton edhe dhjetra milionë euro nga zhavorri dhe mjetet që ka gati për fillim pune, sipas asaj që ka firmosur.

Euro me thasë!

Kjo është një lojë e rrezikshme me financat e shtetit shqiptar, sidomos tani që po vijnë zgjedhjet dhe të gjitha gjasat janë se humb thellë Rilindja, por ama qindra milionë euro do vazhdojnë të ikin nga buxheti shtetit në xhepat e Ndue Kolës dhe atyre me të cilët ai ka bërë pazarin që t’ia prishin kontratën e Milot- Balldre.

Ndaj SPAK-u ka një fakt të freskët dhe prangat, pasi ti verifikojë këto që themi dhe ato që do të botojmë nesër, duhet ti vërë mbi zyrtaren e lartë dhe biznesmenin.

 

SHKARKO APP