Spartak Ngjela: Edi Rama të dorëhiqet. Fatmir Xhafaj Kryeministër  

Avokati i njohur Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet politike në vend, në një intervistë dhënë për “News 24”. Duke folur për reformën në drejtësi, Ngjela tha se Kryeministri Edi Rama nuk mund t’a zbatojë atë.

Ngjela tha se reforma në drejtësi është një investim amerikan që nuk mund të dështojë, pasi dështimi i saj do të ishte dhe i Uashingtonit.

I pyetur se kush mund të jetë pasuesi i Edi Ramës në qeveri, Ngjela tha se kryeministri i ri do të jetë ai që ka raportet më të mira me SHBA dhe do të jetë i përzgjedhur i Amerikës. I pyetur se cili politikan në Shqipëri ka raporte të tilla me SHBA, Ngjela tha se ai është “Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa”.

Rama nuk mund të bëjë reformën në drejtësi. Është fatkeqësi e PS që ka zgjedhur një Kryeministër që nuk njeh as ligjin dhe as ekonominë. Një njeri i tillë nuk mund të jetë në krye të një reforme kaq madhore, ky është problemi i PS. Unë nuk e di kush do të jetë kryeministër i ri, por ajo që di unë është se do jetë dikush që ka raporte të mira me SHBA. …Ministri Xhafaj ka mbështetjen e SHBA dhe media është në dieni që Xhafaj ka mbështetjen e madhe të SHBA”,- tha Spartak Ngjela.

Avokati ka sqaruar se mendimi i tij është se Edi Rama duhet të largohet. “…Më e mira e Ramës është të jap dorëheqjen. Ky është opinioni im se çfarë ai duhet të bëjnë, unë nuk e di nëse do iki. Më pyetet se kush është më i forti në funksion të Uashingtonit, për mua nuk është Rama është ministri Xhafa”, – shtoi avokati i njohur.

Avokati Ngjela u shpreh se drejtuesit kryesorë të mazhorancës dhe opozitës janë kundër reformës në drejtësi, përfshirë dhe kryeministri Edi Rama. “Rama nuk e do reformë në drejtësi, por Rama është i vetëdijshëm se nuk mund të dalë kundër SHBA. Nuk mund të bëjë gabimin fatal ta fusë mazhorancën në përballje me Amerikën dhe ndaj bën lojëra me PD”.

Ngjela pohoi se kryeprokurorja Arta Marku ka mbështetjen e ndërkombëtarëve, duke shtuar se kjo u pa edhe në vizitën e ambasadorit Donald Lu një ditë pas zgjedhjes së saj në këtë detyrë.

Madje Ngjela tha se prokurores së përkohshme i tremben të gjithë, përfshi këtu edhe Ramën.

“Numrin e personave që pritet të arrestohen se kam nxjerr unë, por mund të jenë 8 ose 10 deputëtë. Ju njoftoj se është ndërruar prokurori i Tiranës. Ai i ka në dorë. Ajo që ndodhi në Parlament, mund të ndodhi në rrugë jo aty. Aty ruhet sovraniteti i popullit. Nuk i njoh si emra, por janë të Saliut më shumë.

Të shqetësuar janë ata që i kap reforma në drejtësi. Ata që donin të çanin turmën, të hynin në parlament. Të nesërmen kryeprokuroren shkoi e takoi Lu, që do të thotë se është i ndërkombëtarëve dhe jo e zgjedhur e Ramës.

I vetmi njeri që qëndroi atje ishte Ruçi. Gramoz Ruçi ua dha prokuroren shqiptarëve. Tek ardhja e prokurores së re, është që në këtë rast reforma në drejtësi ka kapur ‘mbretëreshën’ e kundërshtarit, nëse do flasim për lojën e shahut. Asaj po i tremben të gjithë, edhe Rama.”, tha Ngjela.

Por flitet edhe për një përplasje të fortë mes kryeministrit Rama dhe ministrit të brendshëm Xhafaj për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit Haki Çako. Kryeministri ndonëse lëshon ministra apo zyrtarë të tjerë të qeverisë së tij, Haki Çakon vazhdon ta mbështesë pa kushte. Fatmir Xhafaj i ka kërkuar Edi Ramës shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, por Kryeministri ka qenë i prerë në përgjigjen e tij duke i thënë: ‘Po deshe ik vetë, ai nuk lëviz prej aty’.

Rama ia përplasi kështu në fytyrë Ministri të Brendshëm, se kryepolici është i paprekshëm, duke shtuar edhe më tej misterin se përse Haki Çako është kaq i rëndësishëm për Kryeministrin. Nga buron paprekshmëria e Çakos, pyesin sot të gjithë. Ai është në krye të Policisë së Shtetit në periudhën më të errët të saj, kur kjo strukturë shtetërore është përgjegjëse për kanabizimin e vendit si asnjëherë më parë. Me dhjetra raporte të Shërbimit Informativ Shtetëror evidentojnë drejtues të policisë si të përfshirë në kultivimin dhe trafikun e drogës. Nga ana tjetër janë shumë afera të tjera që ‘bëjnë pis’ Haki Çakon.

Kujtoni skandalin me pajisjen e përgjimeve “IMSI-Catcher”, disa ngjarje të tjera kriminale të pazbuluara si vrasje apo grabitje spektakolare, apo dhe dosjen ‘Balili’, dosjen ‘Habilaj-Tahiri’, në të cilën janë të implikuar drejtues të lartë të Policisë së Shtetit e shumë afera të tjera. Askush nuk di të thotë saktë se deri kur do të zgjasë paprekshmëria e Haki Çakos në krye të Policisë së Shtetit. Fakt është se Rama ia ka ende nevojën, ndaj vazhdon ta mbrojë verbërisht edhe pse ai i ka konsumuar të gjitha skandalet. Skandale që nëse ne do të ishim një vend normal, Haki Çako, jo vetëm s’mund të vazhdonte më të ishte në detyrë, por me siguri do të përballej me drejtësinë.

Duket se një përplasje publike mes kryeministrit Rama dhe ministrit të brendshëm mund të sjellë largimin e Ramës.

 

SHKARKO APP