SPECIALE/ Tragjedia te rrethrrotullimi i TEG-ut: Dy viktima, siguria në pikëpyetje | Flet eksperti

Dy persona humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur në aksidentin e rëndë të ndodhur te rrethrrotullimi i TEG-ut. Një betoniere u përplas me një automjet tip “Audi”, çau barrierën mbrojtëse dhe ra nga mbikalimi në autostradën poshtë tij. Të dy personat që udhëtonin në mjetin e tonazhit të rëndë humbën jetën, ndërsa drejtuesi i “Audi”-t u dërgua në spital.
Tragjedia, e dyta me pasoja fatale në të njëjtën nyje rrugore, ka rikthyer shqetësimin për sigurinë e rrethrrotullimit dhe ka ngritur pikëpyetje mbi projektimin, barrierat mbrojtëse dhe masat për kufizimin e shpejtësisë.
I ftuar për të analizuar rrethanat, eksperti më i mirë shqiptar i sigurisë rrugore Artur Sulçe tha se të dyja ngjarjet kanë elemente të përbashkëta. Sipas tij, mjetet kanë ardhur nga ana lindore (Unaza e Madhe) dhe kanë hyrë në rrethrrotullim me shpejtësi më të lartë se ajo e parashikuar në projekt.
Sulçe shpjegoi se shpejtësia e projektimit për një nyje të tillë është rreth 35 deri në 40 kilometra në orë. Në rastin e betonieres, shpejtësia dhe qendra e lartë e rëndesës kanë ndikuar që mjeti të humbiste qëndrueshmërinë, të shtypte barrierën dhe të përfundonte poshtë mbikalimit.
Por përgjegjësia, sipas ekspertit, nuk mund të kufizohet vetëm te drejtuesit. Infrastruktura duhet t’i detyrojë automjetet të ulin shpejtësinë përpara hyrjes në rrethrrotullim, përmes sinjalistikës, gjeometrisë së rrugës dhe sistemeve më të forta mbrojtëse.
Eksperti vlerëson se kjo nyje nuk i përgjigjet më fluksit aktual të trafikut dhe kërkon rikualifikim të plotë, bazuar në matje reale dhe standarde bashkëkohore. Pa ndërhyrje të menjëhershme, paralajmëron Sulçe, aksidente të tilla mund të përsëriten, duke marrë të tjera jetë njerëzish.
Emisioni u realizua nga Melisa Dallashi dhe regjizor Daniel Muçaku.
KOHA JONË SONDAZH

