Dje studentët protestues bllokuan kryeministrin Rama dhe kryeqytetin
-Dje protesta më e madhe e të rinjve para Kryeministrisë, por ata paralajmërojnë tubime jo paqësore dhe grevë urie te korpusi qendror i Universitetit, nëse nuk plotësohen kërkesat jetike të gjithë studentëve.
-Të rinjtë, mesazh për kreun e qeverisë: “Plotëso tetë kërkesat ose bëhu gati të ikësh nga pushteti!”. Ndërkohë Rama thotë se ka takuar fshehurazi, mbrëmë vonë, disa studentë të fakultetit të inxhinieri-minierave, por këshilli studentor i fakultetit deklaroi se “nuk ka takuar studentët tanë”. Protestuesit kanë ndërmend të lidhen dorë me dorë dhe të rrethojnë kryeministrinë për të mos lejuar kryeministrin Rama të futet në zyrë derisa ai të pranojë kushtet.
Në ditën e 13-të të reagimit studentor, të rinjtë kanë zhvilluar dje në Tiranë një nga protestat më të mëdha të viteve të fundit. Megjithëse temperaturat kanë qenë të ulëta dhe reshjet e shiut masive, mijëra studentë të fakulteteve të Universitetit të Tiranës, si dhe mijëra të tjera të ardhur nga rrethet kanë “pushtuar” kryeqytetin dhe godinën e Kryeministrisë. Në një protestë model, për më shumë se 6 orë ata kanë kërkuar në shesh plotësimin e tetë kushteve nga ana e qeverisë. Gjatë manifestimit edhe pse të rinjtë u kujdesën që të ishte një tubim paqësor, nuk kanë munguar incidentet dhe provokimet. Mbi dy mijë forca të policisë, si dhe agjentë civilë mes protestuesve disa herë u përpoqën të krijonin incidente. Falë ndërhyrjes në kohë të vetë studentëve u shmang dhuna dhe përshkallëzimi i protestës, pasi qëllimi ishte që më pas qeveria të akuzonte organizatorët si të dhunshëm.
Duke mos marrë asnjë përgjigje pozitive për tetë kushtet dhe të gjendur në presionin dhe sabotimet e protestës nga qeveria, studentët hodhën dje hapin e parë drejt një revolte të mirëfilltë. Në orën 16:00, studentët u vendosën në tre nga akset rrugore kryesore të Tiranës, duke bllokuar gjithë qarkullimin në thuajse gjithë kryeqytetin. Në këtë mënyrë, protesta paqësore e të rinjve në ditën e 13 të saj ka marrë elementët e parë të mosbindjes civile. Një një variant që u diskutua mes të rinjve ishte dhe ai i rrethimit simbolik të godinës së Kryeministrisë, për të detyruar Edi Ramën që të firmosë kërkesat e tyre. Edhe ky variant mbetet prapë në tavolinën e studentëve.
Por pavarësisht se në shesh ishin me disa mijëra studentë që kanë kërkesa legjitime, sërish nga ana e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama nuk pati asnjë reflektim. Përkundrazi, edhe dje studentët u përballën me tentativat për përçarje nga ana e qeverisë, si dhe provokimet e hapura të kryeministrit Edi Rama. Në disa postime në rrjetet sociale, kryeministri deklaroi se protesta ishte e opozitës dhe ata që ishin poshtë zyrës së tij nuk ishin studentë. Një qëndrim i tillë jo vetëm që është fyes për të rinjtë, por edhe shmang protestën e tyre nga kërkesat reale. Sigurisht në protestë kishte dhe të rinj që janë anëtarë të forcave politike. Krerët e partive kanë bërë thirrje që kushdo që beson të kauza e studentëve duhet t’u bashkohet atyre. Por të pasurit e një tesere partie nuk e bënë protestën partiake. Gjatë tubimit nuk kishte asnjë flamur partiak dhe nuk u mbajt asnjë fjalim apo thirrje që lidhet me partitë politike. Në tubim ishin prindër, motra dhe vëllezër që mbështesin studentët. Veç tentativave për të shmangur thelbin e protestës së të rinjve, kreu i qeverisë nisi mbrëmjen e djeshme dhe një fushatë të rrezikshme për gjoja dialog me studentët. Në një takim të zhvilluar në mënyrë të fshehtë, pa media dhe pa asnjë provë që ka ndodhur realisht, me disa pedagogë të inxhinierisë, kryeministri Edi Rama po tenton të mos e llogarisë më protestën e studentëve. Një vendim i tillë për të bërë gjasme dialog me disa pedagogë dhe studentë të FRESSH, vetëm sa i hedh benzinë zjarrit të protestave dhe i çon ato në një drejtim të paparashikuar. Tentativa e Edi Ramës për të gjetur “pedagogë dhe studentë” që shiten lehtë dhe për të nisur dialog me ta ka sjellë dhe reagimin e ashpër të studentëve. Në deklarimet e bëra dje në mbrëmje, studentët janë shprehur se me qëndrimet që po mban Edi Rama po i çon protestat drejt dhunës dhe bllokimit total. Për herë të parë dje, nga goja e studentëve u dëgjua jo vetëm mundësia e zhvillimit të protestave të dhunshme, por edhe kalimi i çështjes së tyre nga tetë kërkesat në kusht për largimin e kryeministrit. “Ose Edi Rama do të plotësojë tetë kërkesat, ose duhet të përgatitet që të iki. Në që e kemi votuar, ne do e largojmë”,- deklaruan dje në mbrëmje studentët që qëndronin para kryeministrisë.
Situata me protestat dhe bojkotin e mësimit po përshkallëzohet me shpejtësi nga dita në ditë. Refuzimi i Edi Ramës për të firmosur kërkesat, ka bërë që studentët të paralajmërojnë protesta jo paqësore, si dhe zhvillimin e grevës së urisë.
Dje ishte prova e parë ku të rinjtë bllokuan Tiranë dhe qeverinë “Rama”. Sot dhe më pas do ketë radikilizim të studentëve, pasi janë sërlodhur duke pritur në protestë kryeministrin Rama.
Alban Marku