Studentët i përgjigjen Ramës: Protesta vetëm sa ka nisur. Bojkot mësimit në të gjitha universitetet
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolla reaguan sot për protestën e studentëve duke refuzuar plotësimin e kërkesave të tyre për uljen e tarifave. Kryeministri Edi Rama, në stilin e tij, zgjodhi një koment në Facebook ku deklaroi se “nuk do të paguante nga buxheti i shtetit për studentët ngelës”. Ndërsa ministrja Lindita Nikolla, në një takim me stafin drejtues të ministrisë deklaroi thuajse të njëjtën gjë si Edi Rama, por me një tjetër mënyrë. Ajo tha se çështja e tarifave është në dorë të universiteteve shtetërore dhe ato duhet të vendosin uljen e tyre.
Por kjo përgjigje, ku nuk mungoi dhe arroganca e Kryeministrit Edi Rama jo vetëm nuk i ka qetësuar studentët, por i ka çuar drejt vendimeve më ekstreme. Në komunikimin me mediat, drejtuesit e protestës së studentëve deklaruan se reagimi i kryeministrit dhe ministres është i papranueshëm.
Ata paralajmëruan përshkallëzim të protestave. Studentët njoftuan se që nga nesër në universitetet shtetërore do të bojkotohet mësimi, si shenjë reagimi për mosplotësimin e kërkesave të tyre. Po ashtu, studentët do të mblidhen sërish paradite para Ministrisë së Arsimit për të vijuar protestën deri sa kërkesat e tyre të marrin një përgjigje pozitive nga ana e qeverisë.
Lidhur me qëndrimin e Ministrisë se u takon universiteteve të shohin nivelin e tarifave, studentët deklaruan se është Ministria dhe Qeveria ajo që ka përcaktuar tarifat dhe universitet vetëm kanë zbatuar udhëzimin e tyre.
“Derisa VKM të shfuqizohet, studentët do rrinë në rrugë duke bojkotuar shkollën. U vendos që në çdo fakultet në Tiranë apo rrethe, orët e mëngjesit do bojkotohen dhe studentët do protestojnë deri në shfuqizim. Rezistenca studentore do vazhdojë pasi do kuptohet që të drejtat e studentët duhet të vihen në vend. Nuk do i nënshtrohemi një arrogance që kërkon të bëjë show me fjalët”,- tha një prej organizatorëve të protestës së studentëve.
Protesta e studentëve pritet të vijoj me intensitet dhe me një numër shumë herë më të madh pjesëmarrësish ditën e nesërme.
Tre kërkesa kryesore të studentëve janë:
- Heqjen e pagesës për kredite të provimeve të mbartura
- Shtyrjen e afatit të pagesës vjetore
- Bërjen e pagesës me këste
Video nga protesta e studentëve
https://www.facebook.com/kohajone/videos/648686205528206/
Lexoni edhe…
- Fillon “Revolucioni studentor” kundër Qeverisë, pasdite do bllokojnë kryeministrinë
- Studentët në protestë, Rama: Nuk paguaj për ngelësit!
- Studentët në rrugë, Berisha: Po dridhen themelet e narkoshtetit!
- Protesta e studentëve/Deklarata për media e deputetes së LSI-së, Floida Kërpaçi
Fotogaleri/Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit