Studentët, letër ambasadave: Ndërhyni, qeveria po na dhunon!
Pas dhunës së policisë dhe incidenteve të studentëve me struktura të qeverisë në bordet e fakulteteve, studentët u janë drejtuar sot me një letër gjithë ambasadorëve. Ata kërkojnë ndërhyrjen e trupit diplomatik duke theksuar se situata është shumë e tensionuar dhe po përshkallëzohet në dhunë të qeverisë ndaj tyre.
“Situata po përshkallëzohet në mënyrë shumë të rrezikshme. Studentët kanë paraqitur kërkesat e qarta për ndryshimin e situatës shumë të rëndë në universitete dhe kanë paraqitur kërkesa që nuk janë aspak politike. Kërkojmë mbështetjen tuaj pasi situata mund të pershkallëzojë në mënyrë të paparashikueshme dhe të pakontrolluar pasi dhunimi i policisë ka kaluar çdo limit dhe i ka kthyer universitetet në kazerma policie dhe jo në ambjente universitare”,- thuhet në letrën e studentëve për ambasadorët e huaj të akredituar në Tiranë.
Letra e studentëve për ambasadorët:
11 Janar 2019, Tiranë
Drejtuar: Leyla Moses-One, e Ngarkuar me Punë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
Luigi Soreca, Ambasador i Bashkimit Europian në Shqipëri,
Trupit Diplomatik të Akredituar në Shqipëri
Të Nderuar Ambasadorë,
Studentët shqiptarë prej 37 ditësh ndodhen në një protestë masive që lidhet me kërkesat e tyre për rritjen e cilësisë së arsimit e cila paraqitet tepër e ulët, tarifat tepër të larta të studimit, përmirësimi i kushteve tepër të rënda të konvikteve të universiteteve, rritjen e përfaqësimit studentor në organet e vendimarrjes së Universitetit, pajisjen me kartën e studentit, dhe sfida të tjera lidhur me jetën studentore në Shqipëri.
Ne nuk duam të besojmë se braktisja e vendit si emigrantë apo azilkërkues është rruga e duhur për një jetë më të mirë, por kërkojmë të ndërtojmë një jetë më të mirë në Shqipëri.
Situata në universitetet shqiptare është shumë shqetësuese dhe tepër e tensionuar.
Studentët i janë drejtuar Kryeministrit për përmbushjen e këtyre kërkesave të cilat janë thjesht dhe vetëm detyrime për tu përmbushur nga ana e qeverisë shqiptare pasi është në detyrën e saj ti krijonte këto kushte minimale bazike për funksionimin e universiteteve.
Aktualisht gjendemi në situatën ku Policia ka pushtuar universitetet, po dhunon në mënyrë të turpshme dhe skandaloze studentët dhe ka krijuar klimën e terrorit brenda ambienteve universitare.
Situata po përshkallëzohet në mënyrë shumë të rrezikshme.
Studentët kanë paraqitur kërkesat e qarta për ndryshimin e situatës shumë të rëndë në universitete dhe kanë paraqitur kërkesa që nuk janë aspak politike.
Kërkojmë mbështetjen tuaj pasi situata mund të pershkallëzojë në mënyrë të paparashikueshme dhe të pakontrolluar pasi dhunimi i policisë ka kaluar çdo limit dhe i ka kthyer universitetet në kazerma policie dhe jo në ambjente universitare.
Ne kemi besim tek ju dhe presim të mbështesni krijimin e një ambjenti demokratik në universitete ashtu siç të rinjtë shqiptarë kërkojnë dhe sipas shembullit të shkëlyqer që ata kanë dhënë me protestat e tyre masive por tërësisht paqësore.
Shprehim dhe njëherë bindjen e palëkundur se kërkesat tona janë të drejta, ne nuk tërhiqemi, studentët në të gjithë vendin janë të bashkuar dhe do ti shkojnë deri në fund kauzës së tyre.