Studentët: Pas orës 16.00 protesta do të radikalizohet

Në orën 16:00 përfundon ultimatumi i vendosur nga studentët për qeverisë dhe Kryeministrin Edi Rama. Studentët kërkojnë plotësimin e tetë pikave që kanë dorëzuar dhe nuk pranojnë asnjë negociatë mbi përmbajtjen e kërkesave të tyre. Kryeministri Edi Rama, deri më tani, ka plotësuar vetëm një pjesë dhe për çështjet e mbetura kërkon negociata me një përfaqësi studentësh. Por drejtuesit e protestës janë në një qëndrim dhe deklarojnë se nuk kanë për çfarë të negociojnë nëse qeveria nuk pranon që në fillim plotësimin e kushteve të tyre.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri Edi Rama nuk ka bërë asnjë përpjekje serioze për të plotësuar kushtet e studentëve. Jo vetëm kaq, por edhe ka provokuar dhe ironizuar studentët. Të gjitha këto forma reagimi për masën e madhe të studentëve janë marrë si fyerje dhe mungesa përgjegjshmërie nga ana e kreut të qeverisë.

Ndaj në pas orës 16:00 studentët kanë deklaruar se protesta do të radikalizohet dhe do të zhvendoset para Kryeministrisë. Janë disa variante që po diskutohen mes studentëve për mënyrën e reagimit. Por ajo që të gjithë bien dakord është se nuk do të vazhdojnë vetëm me tubime dhe parrulla, por do të detyrojnë Edi Ramën me mjete të tjera që të tërhiqet.

Protesta është masive dhe pjesë e saj tashmë po bëhen dhe kategori të tjera shoqërore. Së fundi, grupi i Tifozëve Kuq e Zi, një nga më të mëdhatë në vend, ka deklaruar se do të jetë pjesë e tubimit para Kryeministrisë. Ndërkohë që të shumtë janë qytetarët që janë bërë pjesë e tubimit, duke e kthyer kauzën e studentëve në një protestë mbarëpopullore antiqeveritare.

Lexoni edhe…

SHKARKO APP