Studentët rrethojnë Ministrinë e Arsimit, Rama blindon Kryeministrinë. Shqipëria në protestë

Mijëra e mijëra studentë sot janë në protestë. Ata kërkojnë përgjysmim të tarifave të studimit, si dhe një sërë pikash të tjerë, të gjitha të realizueshme nëse qeveria dëshiron paqe me studentët.

Studentët e nisën marshimin nga kryqëzimi i “21 Dhjetorit’, ata u ndalën tek “Zogu i Zi”, ku u ulën në gjunjë. Me ta u solidarizuan edhe qytetarë të thjeshtë, ndërsa më pas vijuan ecjen përgjatë Rrugës së Durrësit dhe tashmë kanë rrethuar Ministrinë e Arsimit për tu nisur më pas drejt Kryeministrisë. Po kështu mijëra të tjerë parakaluan në bulevard, drejt ministrisë së arsimit.

“Universiteti =një veshkë” është pankarta e studentëve të Universitetit të Mjekësisë, ndërsa Universiteti Bujqësor ka zgjedhur pankartën “U munduan të na varrosin, por nuk e dinin se ne ishim fara”.

“U plotësua vetëm një nga kërkesat, por ne nuk ndalemi. Ajo ishte sa për të na mbyllur gojën. Ne nuk do ndalemi. Ne kërkojmë kushte më të mira. Në rast se do të ketë ndryshime në masë, do t’i bashkohemi”, tha një nga protestuesit.

E ndërkohë që protesta e studentëve vijon përpara ministrisë së Arsimit, duket se te kryeministria janë marrë të gjitha masat. Në ambientet e jashtme të kryeministrisë janë mbledhur një numër shumë i madh punonjësish policie. Pas kryeministrisë janë me qindra forca policie të gatshme për të ndërhyrë ndaj studentëve.

Qeveria duhet të bëjë falas universitetin publik, pasi nuk ka pse jep fonde nga buxheti për universitetet private, duke lenë në mëshirë të fatit studentët e universiteteve publike. Sot studentët do të vendosin fatin e tyre, ndaj janë shumë të vendosur të detyrojnë kryeministrin të plotësojë kërkesat e tyre jetike dhe të drejta.

Studentët përveç tre kërkesave zyrtare, njoftojnë se së bashku me përfaqësues të forumeve dhe klubeve studentore të UBT-së, përfaqësues të 5 fakulteteve, Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit; Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit; Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit; Fakultetit të Mjekësisë Veterinare; Fakultetit të Shkencave Pyjore kanë vendosur 10 kërkesa të reja.

Studentët e UBT deklarojnë se këta kërkesa janë të panegociueshme duke i cilësuar të shenjta. “Ne jemi të gatshëm të luftojmë për t’i fituar këto sfida një e nga një, njësoj si studentët e Bashkimit Europian para 30 – 40 vitesh nëpërmjet lobimit, advokimit dhe protestave në vendet e tyre. Jemi të gatshëm të diskutojmë me këdo që merr përsipër të zgjidhë 10 kërkesat e studentëve të UBT-së”.

Kërkesat zyrtare
1. Anulimi i pikës 4 të vendimit nr. 288 të majit të 2018 për tarifat për kreditet për lëndët e mbartura (Pika e 4 e vendimit u shfuqizua nga qeveria)
2. Përgjysmimi i tarifës së studimit. (grup pune për të negociuar)
3. Përmirësimi i kushteve të konvikteve. (grup pune për të negociuar)
4. Bordi i Administrimit të ketë numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrise së Arsimit, duke shtuar një përfaqësues nga studentët në bord. (grup pune për të negociuar)             

Kërkesat e reja të studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës:
1- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018 – 2019;
2- Rritja e buxhetit për arsimin me 8% të GDP-së, buxheti për vitin 2019;
3- Reduktimi tarifës me 30% për vitin akademik 2018 – 2019;
4- Reduktimi tarifës me 50 % për vitin akademik 2019 – 2020;
5- Arsim publik falas për vitin akademik 2020 – 2021;
6- Përmirësimi i kushteve të konvikteve të Universitetit Bujqësor të Tiranës;
7- Mbështetja e aktiviteteve dhe projekteve të studentëve me një fond të veçantë, nivel fakulteti;
8- Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore;
9- Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor;
10- Rritja nga 10% në 40% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor, dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.

(lajmi është në përditësim)

Rrethohet kryeministria me policë, frikë nga protesta e studentëve

 

SHKARKO APP