Studentët s’dorëzohen. Të gjithë në PROTESTË!

-Dje kryeministri humbi shansin për të reflektuar dhe për ti pranuar në sallën e Parlamentit të gjitha kërkesat e studentëve, por sulmoi opozitën. 

-Gjatë netëve që studentët po flenë jashtë, qytetarët të zakonshëm, nëna dhe baballarë kanë marrë nga shtëpitë e tyre batanije dhe ushqime për t’ua çuar studentëve të cilët qëndrojnë në bulevard në temperatura minus 4 gradë. Është mbështetje emocionuese për ata qindra mijëra studentët që këto ditë po i kthejnë dinjitetin Shqipërisë.

Studentët që janë ngritur prej 10 ditësh në protesta masive edhe dje nuk kanë marrë një përgjigje zyrtare nga kryeministri për plotësimin e kushteve të tyre. Dita e enjte dhe zhvillimi i seancës në Kuvend ishte një mundësi ku Qeveria dhe mazhoranca e PS të pranonte publikisht kërkesat dhe të ndërmerrte hapa ligjore për plotësimin e tyre. Por dita e djeshme u konsumua nga kryeministri me fjalime për studentët, kërcënime pedagogët dhe ftesa të çuditshme për dialog në rrjetet sociale.

Ndërkohë protesta studentore vijon të rritet nga dita në ditë. Dje para Kuvendit ishin me mijëra të rinjë nga Tirana, studentë dhe gjimnazistë që protestuan në mënyrë paqësore për të plotësimin e kërkesave. Pas përfundimit të seancës studentët u vendosën përballë godinës së Kryeministrisë. Tashmë nuk janë më disa grupime studentësh që protestojnë në pika të ndryshme të Tiranës, por një grup i madh si një trup i vetëm ka vendosur të mos dorëzohet. Pasi kanë qëndruar disa ditë jashtë në temperatura të ulëta të dhjetorit, studentët deklaruan dje se janë më të vendosur se kurrë për plotësimin e kërkesave. Pa asnjë dilemë për ndryshim plani ata thonë se nuk do të tërhiqen e nuk do të pranojnë asnjë negociatë për tetë problemet që i kanë renditur në listën dërguar Qeverisë. Sipas tyre, çdo dialog me këtë qeveri dhe këtë kryeministër është humbje kohë, derisa ende nuk ka një dokument zyrtar të firmosur që t’u jap përgjigje gjithë shqetësimeve që kanë ngritur.

Për të gjitha këto arsye protesta e studentëve tashmë ka arritur në një pikë ku nuk mund të ketë kthim pas pa u plotësuar kërkesat. Ai që mund ta ndryshojë situatën dhe të shmang protestat pa mbarim është kryeministri Edi Rama. Ministrja e arsimit nuk ka asgjë në dorë. Deri dje, kreu i qeverisë nuk dha asnjë shenjë se do të pranonte plotësimin e të gjithë kushteve. Ftesa e përsëritur për dialog, më shumë ngjan si një taktikë për të fituar kohë përballë protestave. Mes shumë arsyeve që ai dhe PS nxorën dje për mos plotësimin e kushteve ishte dhe fakti se Buxheti i Shtetit për vitin 2019 ishte miratuar dhe ndodhej në Presidencë. Ishte një justifikim që kërkonte të bënte pjesë të dështimit të qeverisë me arsimin edhe institucione të tjera. Por brenda pak orësh, Presidenti i Republikës e ktheu në kuvend ligjin për Buxhetin. I dha në këtë mënyrë një mundësi qeverisë që nëse e ka seriozisht se do të plotësojë kushtet e studentëve mund ta bëjë menjëherë. Por në vend të reflektimit edhe këtë ofertë të kreut të shtetit për të dalë nga situata, Edi Rama e mori si sfidë dhe sulmoi kreun e shtetit. Në fakt humbi edhe një mundësi për të dalë nga ngërçi ku e ka futur qeverisjen. Si në asnjë protestë më parë, tubimi i studentëve ka arritur të kthehet në një çështje dinjiteti qytetar dhe kombëtar dhe jo çështje partiake apo vetëm opozitarizmi. Në protestë ka më mijëra studentë dhe të rinj, ka gjimnazistë, ka anëtarë të forumeve rinore të opozitës që janë studentë, por ka edhe të rinjtë të forumit rinor të Partisë Socialiste FRESSH. Kauza që i ka bashkuar këtë herë është e madhe se ndarjet partiake, pasi të gjithë studentët edhe ata të PS, paguajnë njëlloj dhe jetojnë në të njëjtat kushte të mjerueshme të konvikteve. Është një lëvizje që ka zgjuar dhe nervin e reagimit dhe një solidaritet të jashtëzakonshëm të gjithë shoqërisë shqiptare. Gjatë netëve që studentët po flenë jashtë, qytetarët të zakonshëm, nëna dhe baballarë kanë marrë nga shtëpitë batanije dhe ushqime për t’ua çuar studentëve që qëndrojnë në bulevard në temperatura minus 4 gradë. Është mbështetje emocionuese për ata qindra mijëra studentët që këto ditë po i kthejnë dinjitetin Shqipërisë. Është gjesti më i pakët i dhembshurisë për këto vajza dhe këta djem 20-vjeçarë që po na mësojnë të gjithëve se demokracia nuk është vetëm të votosh, por edhe të kërkosh llogari ndaj atyre që janë zgjedhur.

Ndaj rezistenca e studentëve është kthyer në një çështje kombëtare duke mbledhur rreth saj gjithë shoqërinë shqiptare. Është një ortek që vetëm sa ka nisur pak metra larg zyrës së Edi Ramës në  Kryeministri.

Alban Marku

 

SHKARKO APP