Studiuesja amerikane: Rrëzimi i Teatrit, ngjarja më e madhe korruptive
Studiuesja e njohur amerikane mbi trashëgimitë kulturore, dr. Lori Amy, foli sot me shqetësim për miratimin në parlament të ligjit, që parashikon rrëzimin e Teatrit Kombëtar dhe ndërtime të tjera në atë zonë.
“Kjo konferencë mbi korrupsionin në drejtësi dhe përfshirjen e qytetarëve kundër tij është jashtëzakonisht e rëndësishme por në të njëjtën kohë, tani në parlament po miratohet një ligj, që dihet mirë se bie ndesh dhe dhunon Kushtetutën. Ai ligj i heq këshillit bashkiak të drejtën të marrë vendime për qendrën e qytetit. Natyra kriminale e këtij ligji është e tillë, që ne duhet ta ngremë sërish si çështje dhe ta kundërshtojmë”,- tha Amy për Zërin e Amerikës.
Studjuesja shtoi se “duhet demaskuar kriminaliteti, që qëndron pas këtij ligji. Ne nuk kemi pse diskutojmë, nëse duhet një teatër i ri, sepse këtu nuk është çështja për një teatër të ri. Çështja është ky partneritet jotransparent publik-privat, ku ne e dimë mirë se prapa tij fshihet korrupsioni. Pyetja ime në këtë dhomë është se çfarë duhet bërë për këtë? Ne po flasim këtu për masat anti-korrupsion, ndërkohë që në njëjtin çast po ndodh ngjarja më e madhe e korrupsionit në vend, ndaj duhet të merremi me të” – tha dr. Lori Amy për Zërin e Amerikës.
https://www.facebook.com/zeriamerikes/videos/326786361217995/