Sulmet e PD-së ndaj Arben Krajës dhe Altin Dumanit

Nga Nikoll Lesi

Arben Kraja dhe Altin Dumani, tashmë janë betuar dhe ndodhen në detyrë si prokurorë të SPAK-ut. Derisa u betuan nuk pati akuza as për Krajën dhe as për Dumanin, prej kurkujt. Sapo hynë në zyrat e SPAK-ut, PD-ja dhe disa nga radhët e opozitës filluan sulmet ndaj të dyve.

Nuk kishte akuza korrupsioni apo shkelje detyre. Ishin thjesht akuza për t’i bërë me baltë apo mundet në mënyrë djallëzore, për ti intimiduar. Ndaj kreut të SPAK-ut Arben Kraja u hodh në treg një “dosje” që e përzinte atë me regjimin kriminal të diktaturës komuniste. Ndërsa për Dumanin, se qenka fotografuar me Ulsi Manjën e PS-së.

Për të qenë korrekt me veten, unë pyeta ish-prokurorin, Shkëlqim Hajdarin, një nga prokurorët më të guximshëm dhe profesionist në vend. Te Hajdari besoj plotësisht pasi e njohin mirë të gjithë, bile sot ai mund të ishte një prokuror në detyrë mjaft i vlefshëm për arrestimet VIP. Por ish-prokurori përgjithshëm Adriatik Llalla ia dogji karrierën padrejtësisht dhe pabesisht.

Por le të kthehemi të ideja e shkrimit. Nëse PD-ja apo kushdo tjetër do t’i kishte sulmuar që në fazën e seleksionimit, natyrisht me fakte, duhetj që Vettingu, ONM apo edhe KLP t’i spastronte pa mëshirë, të dy. Por kur kaluan gjithë filtrat e seleksionimit dhe natyrisht filtra shumë të imët, pasi ka ndërkombëtarë që vëzhgojnë, filloi sulmi.

Arben Kraja nuk mban asnjë barrë në atë që sulmohet. Ai, pra Arben Kraja, do të sulmohet dhe “masakrohet” mediatikisht nëse nuk kryen detyrën dhe nuk bën arrestime nga radhët e politikës, politikë e cila ka vjedhur dhe shkatërruar Shqipërinë në këto 28 vite e kusur. Kreu i SPAK duhet të mbahet nën vëzhgim, nga të gjithë, nëse zhgënjen mandatin e tij të dhënë nga KLP e ku populli rri me sytë hapur se cili nga politikanët e lartë do prangoset.

Ashtu edhe me Altin Dumanin, që ish-prokurori Shkelqim Hajdari flet me supërlativa për të si profesionist, nuk ka pse një foto të kthehet në motiv sulmi opozitar. Nuk e vendos fotografia me Ulsi Manjën apo me Arben Ristanin e PD-së në pozitë të vështirë. Altin Dumani do të shikohet nëse i bie në dorë dosja e Dibrës për manipulimin e votave. Aty ka brenda edhe Ulsi Manjën!

Sa për foto, Altin Dumani le të bëjë edhe me Edi Ramën apo Lulzim Bashën, po të dojë. Ai do shikohet tek firma që do hedh në arrestime.

Ndaj opozita le t’i presion SPAK-ut për hetime e arrestime të ish-ministrave apo ministrave të PS-së, kush ka vjedhje fondesh shtetrore apo dhënë koncensione. Edhe për PD-në dhe LSI, le të kërkojë opozita.

Natyrisht që SPAK-u ndodhet nën presion. Por jo t’i baltosim me gjëra koti apo intimidime.

SHKARKO APP