Sulmon egër PS: Lulzim, trego çfarë u ke premtuar rusëve? Basha përgjigjet

“Në emër të çdo shqiptari kërkojmë të dimë të vërtetën nga Lulzim Basha”-thotë deputeti socialist Ulsi Manja në një prononcim për median nga selia e PS-së. Më pas shtron dhe pyetje: “Çfarë i premtoi Basha rusëve në këmbim të parave të tyre?

“Lulzim mos u fshih po duku, se sot të takon të përgjigjesh para opinionit publik, nesër para ligjit: A kishte pagesa te tjera? Kush janë ata që kontaktuan me Lulzim Bashën dhe flasin në emër të rusëve? Gjatë negociatave Basha ishte  vetë apo dikush tjetër negocioi në emër të tij? A ka të tjerë brenda Partisë Demokratike që janë në dijeni të këtij pazari? Përveç rusëve, sa para të tjera me prejardhje ruse janë përdorur gjatë fushatës? A ka ndonjë xhep në Filadelfia të SHBA ku Luli fuste dorën? Çfarë u premtoi Basha rusëve në këmbim?”–tha deputeti Manja, kryetar i komisionit parlamentar të ligjëve.

Sot ishte thirrur në prokurori për këto veprime sekretari i përgjithshëm i PD, ish-deputeti Arben Ristani.

Reagimi i Lulzim Bashës në facebook pas këtyre akuzave:

Për hir të opinionit publik dëshiroj të sqaroj një herë e mirë disa gjëra:

1. Akuza që Partia Demokratike ka marrë para prej rusëve për të bërë konspiracion së bashku me Presidentin Trump kundër Edi Ramës është një akuzë qesharake, që vetëm një mendje megallomane si Edi Rama mund ta gatuajë. Këto akuza janë në vazhdën e qëndrimeve anti-Trump dhe anti-administratës Trump nga Edi Rama.

2. Partia Demokratike nuk ka shkelur asnjë ligj dhe nuk ka asnjë lidhje direkte dhe indirekte me asnjë individ, organizatë, kompani apo interes rus.

3. Dje e akuzova publikisht Edi Ramën për lidhje të errëta me kompaninë ruse Gunvor, por ai sot nuk u përgjigj, duke gatuar një tjetër sallatë ruse, si ajo e Mother Jones, për të fshehur të vërtetat. Nëse ka rrezik rus në Shqipëri, ai vjen përmes Ramës kryeministër! Jo vetëm sepse si njeri i zhytur në krim, ai është lehtësisht i shantazhueshëm nga kushdo, por sepse ai, konkretisht, ka mirëpritur ndikimin rus! Edi Rama duhet të sqarojë publikisht se kush ia solli, çfarë ka biseduar dhe çfarë i ka premtuar kompanisë Gunvor, me të cilën është takuar të paktën një herë në zyrën e tij në Tiranë. Ai duhet të sqarojë, gjithashtu ,se pse mbështet tezën e përkrahur edhe nga Rusia për shkëmbim territori midis Shqipërisë dhe Serbisë. Rama duhet të sqarojë gjithashtu aferën me kompaninë turke që do të ndërtojë aeroportin e Vlorës, kompani e cila ka kontratë me kompani shtetërore ruse për ndërtim centralesh bërthamore.

4. Për kontraten e lobimit të Partisë Demokratike ne i kemi kërkuar prokurorisë shqiptare të kryejë cdo verifikim dhe i kemi dhënë prokurorisë çdo dokument. Për të ruajtur të njëjtin standard dhe për t’i shërbyer drejtësisë, ftoj publikisht prokurorinë shqiptare të fillojë hetimin e burimit dhe mënyrës si Edi Rama, në konspiracion me të tjerë, shkeli ligjet amerikane duke futur para të huaj në fushatën presidenciale Obama. Për këtë çështje ka një vendim të formës së prerë të drejtësisë amerikane që ka vertetuar faktin dhe krimin, prandaj prokuroria shqiptare e ka të lehtë ta hetojë këtë çështje.

5. Edi Rama ka disa javë që po përpiqet të pushojë hetimet për Saimir Tahirin. Prandaj, fushata e sulmeve, përmes mercenarëve me pagesë, ka për qëllim largimin e vëmendjes së opinionit publik nga droga dhe krimi. Çështjet e drogës si “Xibraka”, Maminasi, Saimir Tahiri janë çështje me rëndësi kombëtare, të cilat nuk duhet lejuar që të mbulohen me mjegullën e propagandës qeveritare, sepse rreziku kryesor për destabilizimin e Shqipërisë është droga dhe krimi. Prandaj, lufta ndaj drogës, krimit dhe lidhjeve të tytre me politikën është prioritet kombëtar.

 

SHKARKO APP