Takimet me Donald Lu. Basha: Vazhdojmë protestat. Kryemadhi: Diplomatët të jenë objektiv
Zgjedhja e kryeprokurorit në mënyrë të njëanshme dhe incidentet e ndodhura të hënën në Parlament kanë vënë në lëvizje selitë më të rëndësishme diplomatike në Tiranë. Pas deklaratës ku dënonte dhunën, ambasadori i SHBA është takuar ditën e sotme me drejtuesit kryesor të opozitës, kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Takimet janë zhvilluar pa praninë e mediat. Në njoftimet e zyrave të shtypit të dy selive PD dhe LSI jepen detaje nga takimet. Si Basha dhe Kryemadhi i kanë prezantuar personalisht qëndrimet e opozitës diplomatit amerikan. Kreu i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar se shkelja e Kushtetutës i jep të drejtë opozitës që të vijojë protestat me çdo mjet demokratik. Në këtë mënyrë, Basha ka lënë të kuptohet se tubimet e opozitës do të vijojnë dhe do të jenë edhe më të ashpra në javët e ardhshme.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Ajo ka sqaruar pozicionin e LSI-së lidhur me incidentet dhe është ndalur dhe dhunën ndaj dy deputetëve të reja, Floida Kërpaçi dhe Kejdi Mehmetaj.
Në mesazhin e saj, Kryemadhi ka kërkuar në mënyrë të qartë që selitë diplomatike të jenë më objektive në reagimet e tyre publike dhe të dëgjojnë të gjitha palët para se të mbajnë qëndrime.
Takimi i Ambasadorit me Kryetarin e PD
Kryetari i opozitës Lulzim Basha i përcolli sot ambasadorit amerikan Donald Lu kundërshtimin e prerë të Partisë Demokratike për zgjedhjen antikushtetuese të një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm. Në një takim në selinë e Partisë Demokratike, Zoti Basha bëri të qartë se mos krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, uzurpimi i kompetencave të KLP-së nga parlamenti, zgjedhja e një prokurori të përgjithshëm me shumicë të thjeshtë, zgjedhja e prokurores pa kaluar vetingun, janë puç antikushtetues i cili ka futur në krizë sistemin e drejtësisë, ka shkatërruar procesin politik në vend dhe po prodhon një krizë destablizuese për vendin.
Basha pohoi se të gjitha këto veprime kanë qenë të paramenduara dhe të planifikuara nga Edi Rama për të zgjedhur një kryeprokuror që kontrollohet plotësisht prej tij, me qëllim shkatërrimin e hetimeve për dosjet kriminale të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos dhe politikanëve të tjerë të lidhur direkt me vetë Ramën.
Kryetari Basha theksoi se interesat e shqiptarëve dhe të SHBA shërbehen vetëm duke dënuar kthimin e Shqipërisë në një vend të drogës dhe krimit, duke mos toleruar lidhjet e qeveritarëve me drogën dhe krimin dhe duke kërkuar nxjerrjen para drejtësisë të tyre. Kryetari i Partisë Demokratike i shprehu ambasadorit amerikan qëndrimin e pandryshueshëm të PD për të bërë të gjitha përpjekjet që vendi t’i rikthehet kushtetueshmërisë dhe politikanët e lidhur me krimin, nga Saimir Tahiri tek Vangjush Dako, të përfundojnë para drejtësisë. Asnjë kompromis dhe asnjë interes pragmatik politik nuk do ta ndryshojë këtë qëndrim.- u shpreh Basha.
Kryetari i opozitës e siguroi ambasadorin Lu se në përputhje me parimet më themelore të demokracisë amerikane, opozita dhe qytetarët shqiptarë do të qëndrojnë me të gjitha mjetet dhe format demokratike në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë dhe kundër kapjes së drejtësisë nga Edi Rama, klanet e drogës dhe grupet kriminale që bashkëqeverisin me të.
Takimi i Ambasadorit me kryetaren e LSI
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim në selinë e LSI me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu. Kryetarja e LSI-së Kryemadhi në takimin me Ambasadorin e SHBA.Donald Lu theksoi që në fillim se procesi i zgjedhjes se kryeprokurorit ishte antikushtetues.
“Ishte një proces i një anshëm i cili u krye nga Kryeministri me qëllimi kapjen e institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme për të mbuluar aferat e tij dhe të çështjeve shumë të rëndësishme në hetim si procesi ndaj ish Ministrit Tahiri po ashtu dhe dosjet e korrupsionit të ministrave të tjerë”,- tha kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Duke vënë theksin te procesi i votimit për Prokurorin e Përgjithshëm, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi tha se: Ky votim i njëanshëm i Kryeministrit dhe deputetëve të tij e bën të pabesueshëm institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm, lidhur me vullnetin e tij për tu shkuar deri në fund hetimit të trafikut të drogës që po shkatërron vendin, e në mënyrë të veçantë rininë shqiptare si dhe për të luftuar korrupsionin që po mban peng Shqipërinë, fatin e shqiptarëve dhe Integrimin Europian”.
Kryetarja e LSI-së gjatë takimit me Ambasadorin Lu u ndal dhe te zhvillimet në parlament. Ajo tha se “Gjithçka u shkaktua për shkak të militarizimit të pashembullt që s’ka ndodhur kurrë më parë në historinë e parlamentit pluralist shqiptar, duke nënvizuar futjen e dhunshme të gardës së Republikës, duke dhunuar deputetët dhe shndërrimin e parlamentit në institucion komunist në funksion të interesave vetëm të kryeministrit Rama dhe të mbështetur plotësisht nga kryetari i parlamentit Ruci, sipas një skenari të mirëmenduar për dhunimin e parlamentarizmit në Shqipëri e të fjalës së lirë në parlament”, tha Kryemadhi.
“Parlamenti nuk është më një institucion demokratik por thjesht dhe vetëm një shtojcë e shëmtuar e kryeministrit dhe rikthimi i tij në një institucion demokratik dhe normal është një sfide ku SHBA duhet ta thonë fjalën e tyre”, shtoi Kryetarja e LSI-së.
Kryetarja e LSI, Kryemadhi evidentoi dhunën ndaj deputeteve të saj brenda dhe jashtë parlamentit, Kejdi Mehmetaj the Floida Kërpaçi si dhe nënvizoi se gjakosja e deputeteve më të reja të parlamentit është një provë e qartë publike e dhunës së pushtetit të kryeministrit dhe policisë së tija ndaj çdo reagimi qytetar dhe opozitar, dhunë e cila ishte mesazhi më negativ që mund ti jepej rinisë shqiptare.
Ajo shprehu vullnetin e LSI-së për të futur vendin në rrugën e kushtetuetshmërisë, pasi aktualisht gjithçka ka dalë nga shinat e kushtetutës. “Ky kaos kushtetues ka bërë që qytetarët të humbasin besimin te shteti i së drejtës, gjë që është shkaku kryesor që shqiptarët braktisin vendin dhe pse të rinjtë kanë humbur shpresën”, tha ajo.
“Vullneti i LSI-së për të zbatuar një reformë në drejtësi vetëm në respekt të plotë të kushtetutës dhe të ligjit është një vullnet i pa ndryshuar dhe votat e LSI-së në parlament do jenë në shërbim të kësaj sfide. Ngritja menjëherë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe më tej SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë rruga e vetme për ti shkuar deri në fund luftës kundër trafikut të drogës dhe korrupsionit galopant”, u shpreh Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.
Ajo i kërkoi njëkohësisht Ambasadorit Lu një vlerësim objektiv të ngjarjeve më të fundit për të evidentuar qartë se shkaktarët e dhunës brenda dhe jashtë parlamentit ishte mazhoranca e drejtuar nga Kryeministri dhe dëshira e tyre e shfrenuar për ti mbyllur gojën çdo zëri opozitar dhe qytetar që demaskon dhe denoncon situatën e rëndë ku ndodhet vendi dhe sundimit të ligjit.